Emil LAFE: Duke përkujtuar prof. Kostaq Cipon (1892–1952) në 130-vjetorin e lindjes dhe 70-vjetorin e ndarjes nga jeta

Emil LAFE: VLERAT HISTORIKE TË KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT

Përkujtimi i 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, me solemnitetin e denjë për këtë ngjarje, ndërlidh kujtimet e së shkuarës me gjendjen dhe detyrat e së tashmes. Kongresi i Drejtshkrimit u mblodh në ditët e atmosferës së ngrohtë kombëtare që kishte krijuar përkujtimi i 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe me këtë merrte edhe një vlerë simbolike: për herë të parë pas 60 vjetësh mblidhej përsëri një kuvend i përgjithshëm kombëtar për të diskutuar dhe për të vendosur për një çështje madhore, për gjuhën letrare të përbashkët e të njësuar.

Më 28 Nëntor 1912 delegatët shqiptarë u mblodhën rreth flamurit kombëtar dhe nënshkruan themelimin e Shqipërisë si shtet i pavarur; më 25 Nëntor 1972 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën rreth flamurit të gjuhës shqipe për të pohuar se shqiptarët, kudo që janë, kanë tashmë një gjuhë letrare të përbashkët e të njësuar, që po ecën në rrugë të mbarë, dhe me këtë akt hodhën themelet për një shtet kulturor, arsimor, shkencor të përbashkët, për të mirën e
të mbarën tonë, pa i sjellë shqetësime kurrkujt. Kryetari i parë i Akademisë sonë të Shkencave, punëmbari Aleks Buda, duke shprehur edhe përjetimet e pjesëmarrësve në Kongres, tha atëherë në fjalën e tij: “Të gjithë ne po jetojmë me emocion të thellë këto çaste që, në kuptim të plotë mund t’i quajmë historike. Nëse këtë fjalë kaq shpesh të përdorur duhet ta përdorim me njëfarë kursimi, këtu është rasti ta përdorim me plot gojën.”

Koha ka vërtetuar se Kongresi i Drejtshkrimit përbën një veprim të mençur e të guximshëm njëkohësisht, të papërsëritshëm dhe të pazëvendësueshëm, në kohën e duhur dhe në një datë simbolike. Ne, delegatët e atëhershëm që jemi sot këtu pas 50 vjetësh, e përkujtojmë atë ngjarje me krenari të ligjshme dhe me ndërgjegje të pastër. Ai Kongres ishte produkt i pjekurisë shkencore, i përgjegjësisë intelektuale dhe i guximit qytetar të njerëzve të shquar të studimeve filologjike, të letërsisë dhe të shkollës shqipe. Kongresi i Drejtshkrimit gjeti vëmendje dhe mbështetje të ngrohtë popullore në kohën e vet, krijoi një vlerësim të denjë për gjuhësinë shqiptare, e ngriti edhe më lart dashurinë e vetvetishme të popullit për gjuhën shqipe dhe e nxiti shtetin ta vlerësonte si kurrë më parë rëndësinë e kulturës dhe të disiplinës gjuhësore në veprimtarinë e tij. 1 Kongresi i Drejtshkrimit nuk krijoi ndonjë gjuhë standarde të paqenë më parë, duke përzgjedhur sipas mendimit të këtij ose atij elemente të ndryshme strukturore nëpër dialektet dhe variantet letrare. Krijimet të tilla artificiale gjithnjë kanë dështuar. Kongresi
sanksionoi atë që ishte arritur si zhvillim i natyrshëm organik i shqipes letrare deri atëherë dhe dha orientimet e duhura për kodifikimin e normës letrare të kësaj gjuhe që e kishte dëshmuar tashmë veten si gjuhë letrare e përbashkët dhe e njësuar për gjithë shqiptarët. Prandaj arritjet e
atij Kongresi mbeten e do të mbeten të qëndrueshme.
Gjallëria e sotme e jetës mendore dhe shoqërore të shqiptarëve është e lidhur ngushtë me zbatimin e shqipes standarde, siç e quajmë tani gjuhën letrare shqipe të njësuar, që sanksionoi Kongresi. Zhurmuesit kundër saj, sado të zhurmshëm ose të sofistikuar, në fund të fundit do të
meken e do të shuhen si çdo zhurmues tjetër, që nuk mund të pengojë zhvillimin dhe përparimin. Pa një gjuhë standarde të përbashkët nuk do të kishim sot atë osmozë tëshëndetshme bashkëpunimi e lidhjesh brendakombëtare, e cila e ka zbehur krejt hijen e
dallimeve kulturore e sociale, që kishin më parë kufijtë shtetërorë ndërshqiptarë.
Duke bashkuar qartësinë e mendimit me mjeshtërinë e ndërtimit të një tabloje artistike,
kryeministri E. Rama e ka cilësuar këtë lloj zhurmimi si një veprim të verbër, ku “janë përzier
gjithfarë gjysma mendjesh që duan të ripeshojnë me gjysmëhijet e tyre shkencore dhe
gjysmëhijet e tyre politike, dy pjesët e trupit, kaherë të bashkuar njëherë e mirë të gjuhës sonë.
Është koha për ta ndarë njëherë e mirë shkencën nga politika dhe rrugën e pasurimit të gjuhës
shqipe nga rruga e mjerimit politik të shkencës.” 2
Vështruar nga perspektiva e sotme, Kongresi i Drejtshkrimit mund të vlerësohet si arritja më
e madhe e shqiptarëve në fushën e kulturës për periudhën e pasluftës. Falë asaj arritjeje
historike, ngjarjet që rrodhën nga fundi i shekullit të shkuar dhe më pas, na gjetën më të
bashkuar, më të lidhur e më të afërt me njëri-tjetrin se kurrë më parë. Pavarësisht se shqiptarët
nuk jetojnë të gjithë në një shtet administrativ, dihet mirë se sot në rajonin tonë ka një faktor
shqiptar, që po fiton peshë gjithnjë e më shumë. Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (prill 1968),
Kongresi i Drejtshkrimit si vijim e kurorëzim i rrugës së saj, dhe shqipja standarde e vendosur
prej tyre kanë qenë momente vendimtare që shqiptarët sot gjenden së bashku përpara historisë
dhe përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku gjuha standarde shqipe, si një e vetme dhe
e pandarë, do të jetë e barabartë me të drejtat dhe kërkesat e gjuhëve të shteteve anëtare. Gjuhët
standarde realizohen si domosdoshmëri objektive në një etapë të caktuar të jetës shtetërore e
shoqërore të një populli. Ato nuk janë instrumente diskriminimi, por bashkimi. Nëpërmjet tyre
kryhet kulturimi i shoqërisë dhe zhvillimi i jetës së saj si bashkësi e organizuar.
Në këta 50 vjet rrezja e veprimit të shqipes standarde ka ardhur duke u shtrirë gjithnjë e më
shumë si në pikëpamje territoriale, ashtu edhe në pikëpamje të shtresave shoqërore. Në Shqipëri
e në Kosovë gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, gjuhë e veprimtarisë shtetërore, e shkollës, e
shkencës dhe kulturës në kuptimin e gjerë të fjalës; në Maqedoninë e Veriut statusi i gjuhës
shqipe ka përparuar dhe ajo ka marrë edhe funksionet e gjuhës zyrtare në komunat me popullsi
shqiptare. Agjencia e Zbatimit të gjuhës shqipe në Shkup po punon me përkushtim që edhe në
këto funksione të reja shqipja standarde të jetë edhe atje sa më e rregullt, pa gabime dhe në
pajtim me kodifikimin e sotshëm.
Është naive të mendohet se menjëherë pas Kongresit të Drejtshkrimit shqiptarët do të flisnin
kudo me gjuhën e njësuar! Gjuha përfaqëson një shprehi dhe shprehitë duan kohë si për t’u
fituar ashtu edhe për t’u ndryshuar. Le të kemi parasysh edhe se analfabetizmi ndër shqiptarët
deri në mesin e shekullit të kaluar ka qenë rreth 90 për qind dhe se një përqindje shumë e lartë e
popullsisë jetonte ose vinte nga fshati, që, siç dihet, me jetën shoqërore të kufizuar, mbetet vatër
e ligjërimit dialektor. Edhe në vende të tjera me tradita kulturore shumë të pasura, gjuha letrare
është shtrirë pak nga pak në masat e popullit, duke u zgjeruar dhe përmirësuar arsimi i
përgjithshëm, po ashtu shtypi, botimet, radioja e televizioni dhe jeta qytetare. Është iluzion të
mendohet se një standard ndryshe, kinse më i përshtatshëm, do të kishte pasur më shumë
sukses. Jeta shtetërore, shoqërore e kulturore në të gjitha kontekstet shqiptare zhvillohet me
standardin e sotshëm. Kjo ka bërë që ai të njihet e të kuptohet kudo, edhe nga ata që nuk janë në
gjendje ose nuk e kanë të nevojshme ta përdorin.
Gjuha është një dukuri shoqërore komplekse. Sot gjuha shqipe përveç varietetit standard
jeton edhe një në varg varietetesh të tjera, që gjuhëtarët i quajnë diatopike ose gjeografike(d.m.th. që përdoren në hapësira të caktuara gjeografike – të folmet vendore), diastratike ose
sociokulturore (d.m.th. që përdoren nga shtresa të caktuara të popullsisë sipas gjendjes arsimore
e sociale) dhe diakronike ose kronologjike (d.m.th. që janë përdorur në periudha të caktuara,
p.sh. gjatë Rilindjes, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore etj.). Këto varietete gjuhësore
ekzistojnë objektivisht, kanë historinë e tyre, askujt nuk i lejohet t’i quajë të paqena për kohën
tonë. Çështja është që ato t’i njohim, t’i studiojmë, t’i përdorim dhe të përfitojmë prej tyre
elemente që plotësojnë dhe risojnë standardin. Varieteti standard vështrohet në gjuhësi si një
etalon, të cilin e synojmë, por nuk mund ta arrijmë qind për qind, pasi edhe folësit e kujdesshëm
të standardit është vështirë të shkëputen kurdoherë nga elementet diatopike ose diastratike nëpër
të cilat ka rrjedhur formimi i tyre gjuhësor. Por shqipja standarde, ashtu si çdo gjuhë standarde,
është streha e përbashkët ose elementi strehues dhe mbrojtës i këtij diasistemi heterogjen, duke
përfshirë edhe ligjërimet arbëreshe popullore e letrare 3 . Këto ligjërime sot mund të mbijetojnë
vetëm të strehuara në shqipen standarde dhe duke e pranuar, zotëruar e lëvruar këtë standard
folësit e tyre 4 .
Rezultati i parë shkencor i Kongresit të Drejtshkrimit ka qenë hartimi e botimi i veprës
“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Komisioni për këtë ka punuar ngultas, gati përditë gjatë gjithë
vitit 1973. Janë marrë në shqyrtim dhe janë vlerësuar me kujdes të gjitha propozimet e
diskutimet para dhe gjatë Kongresit. I vështruar si tërësi rregullash drejtshkrimi ynë mendoj se
paraqitet mjaft i plotë dhe i përpjesëtuar nga rrethi i çështjeve të trajtuara, racional në
kombinimin e parimit themelor fonetik me parimin morfologjik dhe me parimet ndihmëse, i
përmbajtur në përjashtimet. Këto e kanë bërë drejtshkrimin e shqipes relativisht të lehtë në
formulimin e rregullave dhe në përvetësim. Gabimet drejtshkrimore që vërehen sot në praktikë,
flasin kryesisht për pakujdesi dhe përgatitje të pamjaftueshme gjuhësore gjatë shkollimit, sesa
për rregulla të papërshtatshme. Në rregullat themelore drejtshkrimi i shqipes mund të vështrohet
si i qëndrueshëm e i përcaktuar përfundimisht. Ai ka ndikuar edhe për mënjanimin e disa
varianteve krahinore të shqiptimit dhe po ndikon edhe më tej për një shqiptim më normativ, pa
ngjyrime të dukshme krahinore.
Me shtrirjen që ka marrë lëvrimi dhe përdorimi i gjuhës letrare, mendoj se është mbyllur
etapa e parë, kur një numër çështjesh drejtshkrimore vështroheshin nga pikëpamja e përhapjes
dialektore të dukurive fonetike (ndër to edhe shkrimi i zanores ë të patheksuar). Tani
drejtshkrimi do të vështrohet brenda sistemit të gjuhës letrare, si një element përbërës i
rëndësishëm i tij, në marrëdhënie edhe me elemente të tjera e me traditën letrare. Po të
shprehemi në mënyrë të figurshme, drejtshkrimi i shqipes tani ka nevojë për një limë të hollë
vende-vende, jo për ndonjë mjet tjetër.
Sot kanë dalë në rrafsh të parë detyra të tjera të mëdha për të përballuar, që i diktojnë
ndryshimet politike të rajonit dhe statusi i ri që ka fituar gjuha shqipe në Kosovë e në Maqedoni.
Kongresi i Drejtshkrimit na mësoi se kur mblidhemi si shqiptarë “me një dëshirë, me një
qëllim”, ne mund të njësojmë e të bashkojmë shumëçka nga fusha e kulturës dhe e shkencës dhe
shumëçka tjetër që varet vetëm prej nesh. Ndarja që kemi pasur, nuk duhet të peshojë rëndë mbi
të ardhmen tonë. Njësimi i normës drejtshkrimore e gramatikore më 1972 mbetet vërtet një
arritje shumë e madhe, por vetëm shkalla e parë në rrugën e njësimit gjuhësor të domosdoshëm,
veçanërisht në rrethanat e sotme. Shqipëria dhe Kosova, si shtete të veçanta, do të kenë secila legjislacionin dhe kodet e veta, por terminologjia e tyre duhet të jetë e njëjtë. Për natyrën e kësaj
konference nuk është e përshtatshme të përmend shembuj. Vetëm do të sjell këtu shqetësimin e
akademikut të ndjerë Esat Stavileci, sidomos për terminologjinë e administratës publike. Duke
krahasuar praktikat në Shqipëri e në Kosovë në fushën e kësaj terminologjie, ai kishte vënë re
“një shkallë relativisht të lartë të mosnjësimit”, e cila “ndonjëherë arrin kuotën e moskuptimit
dhe nevojën e sqarimit term për term për të kuptuar thelbin e problemit.” 5 Edhe në disa degë të
tjera të veprimtarisë së shtetit, të shkencës e të teknikës gjendja paraqitet me të njëjtat probleme.
Terminologjia është një fushë ku fjalën vendimtare e kanë specialistët e lëndës përkatëse
dhe ku gjuhëtarët janë më fort në një rol ndihmës, organizues e bashkëpunues. Në shumë vende
ka organizma të posaçëm për terminologjinë, zakonisht komitete shtetërore. Edhe në Shqipëri e
në Kosovë është i domosdoshëm nga një organizëm i tillë, që të ndërtojë dhe të ndjekë
bashkëpunimin për njësimin dhe përafrimin hap pas hapi të terminologjisë. Besoj se më e
ngutshme për t’u njësuar është terminologjia e administratës publike. Duhet të njësohemi së pari
brenda vetes, që të jemi pastaj të ballafaqueshëm e të krahasueshëm me gjuhët e tjera të
Bashkimit Europian. Njësimi i terminologjisë do të sjellë si rrjedhim pozitiv pasurimin e fjalorit
të gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e saj nga ndikimet e huaja të panevojshme e të padëshirueshme,
ruajtjen e veçantisë kombëtare të saj. Në Shqipëri fjalori teknik e kulturor ka pasur dhe ka një
ndikim të fortë nga italishtja; në Kosovë e në Maqedoni vërehet ndikimi i gjuhëve sllave edhe
në ndërtimin e termave të përbërë, po ashtu në ndërtimin e fjalisë – të dyja këto krijojnë herë-
herë vështirësi dhe përshtypje të papëlqyeshme në komunikimin ndërmjet nesh. Mbi këto sot
është shtuar edhe detyra e përballimit të sfidave gjuhësore që sjell epoka e globalizmit.
Në ditët tona programet kompjuterike janë shtrirë edhe në fushën e gjuhës. Roli i tyre për të
shkruar pa gabime, për të gjetur fjalën më të përshtatshme dhe për ta ndërtuar drejt fjalinë, sot
është i jashtëzakonshëm. Po jetojmë në një kohë kur ritmet e përparimit të shkencës dhe të
teknologjisë, veçanërisht të informatikës, janë të pashembullta. Kush vonohet t’i kapë këto
ritme, rrezikon shumë. Koha e shfletimit të fjalorëve dhe librave të gjuhës ia ka lënë vendin
marrjes së informacionit shpejt dhe drejtpërdrejt nga kompjuteri, që është bërë mjeti kryesor i të
shkruarit. Si bashkëpunëtor prej më se njëzet vjetësh për këto programe me një ekip të
mbështetur nga qeveria e Kosovës, kam kënaqësinë të pohoj se me arritjet tona të sotme janë
krijuar mjete cilësore, që sigurojnë një përmirësim të shpejtë e të sigurt të përdorimit të gjuhës
së shkruar në kompjuter dhe në pajisje të tjera elektronike 6 . Uroj që ky prodhim aq i dobishëm
të shkojë pa vonesë te përdoruesit dhe të bëhet i detyrueshëm për aparatin administrativ qendror
e vendor, ku disiplina e sotme gjuhësore e shtetit lë shumë për të dëshiruar.
Gjuha shqipe është pasuria më e madhe kulturore që kemi trashëguar brez pas brezi, është
shenja e parë e identitetit tonë kombëtar dhe gjaku ynë i përbashkët që na mban gjallë si popull
shqiptar. Si shprehëse e shpirtit të popullit, kjo pasuri ka mbijetuar shekull pas shekulli. Sot,
përveç mbrojtjes së popullit të thjeshtë, kjo pasuri ka nevojë për kujdesin dhe mbrojtjen nga ana
e popullit të organizuar në shtet. Ndoshta është e vetmja pasuri kulturore që i mungon një
mbrojtje e tillë. Uroj që Akademia jonë e Shkencave ta rimarrë dhe ta çojë deri në fund nismën
e saj të dikurshme për një mbrojtje ligjore të gjuhës shqipe në zbatim edhe të dispozitës
përkatëse në Kushtetutë.

Prania e personaliteteve të larta shtetërore në këtë konferencë është një shenjë domethënëse
e gatishmërisë së shtetit për të marrë përgjegjësitë e tij lidhur me gjuhën shqipe. Në mbyllje të
fjalës sime dëshiroj të përshëndes përzemërsisht edhe në emër të Shoqatës së Gjuhësisë
Shqiptare, Sh.T. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë. Të gjithë ne, punëtorë dhe
dashamirë të gjuhës shqipe, të mbledhur në këtë konferencë, do të jemi shumë të lumtur një ditë
– uroj sa më të afërt! – kur institucioni i Presidentit të Shqipërisë dhe institucioni i presidentit të
Kosovës të vendosin ta marrin së bashku nën kujdesin e tyre të veçantë e të përhershëm gjuhën
shqipe dhe të ushtrojnë autoritetin e tyre për të mbarën e të mirën e saj. Ne do të jemi pranë jush
për të gjitha shërbimet që na takojnë dhe do të kemi shumë kënaqësi të punojmë nën
përkujdesjen tuaj!

Tiranë, 10.11.2022

1 [Këshilli i Ministrave i RPSH]: Vendim Nr. 50, dt. 8.3.1974 “Mbi masat për zbatimin e
drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” –“Studime filologjike 28(11)/1974, nr. 2,f. 3-6;
“Vendim i Këshillit të Ministrave për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e
mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe.” – Studime filologjike 33(16)/1979, nr. 3, f. 205; “Vendim
i Këshillit të Ministrave të RPS të Shqipërisë për organizimin e punës për pastrimin dhe
pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”. – Gjuha jonë 1/1981, nr. 1, f. 11-12.
2 Fjala në nënshkrimin e marrëveshjes për njësimin e kurrikulave mësimore me Kosovën,
03.06.2014.
3 Khs. Rolf Ködderitzsch, “Për një gjuhë letrare kombëtare shqipe.” – Hylli i Dritës XXIV
(1996), nr. 1–2, f. 1–8.
4 Dialekti i një ngulimi (në rastin tonë ngulimet arbëreshe) quhet i pastrehuar, kur folësit e tij
nuk e zotërojnë gjuhën prej së cilës ai vjen. Një dialekt i tillë përzihet me gjuhën standarde të
mjedisit dhe pak nga pak tretet në të.
5 Esat Stavileci, “Terminologjia në administratën publike”. – në: Gjendja dhe zhvillimi i
terminologjisë shqipe – probleme e detyra (konferencë shkencore). Akademia e Shkencave e
Shqipërisë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Tiranë, 2009, f. 81.
6 Shih: https://www.gjuhashqipe.com

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …