Emin Duraku është emër i njohur i Lëvizjes Komuniste shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë. Ai u lind në vitin 1917, në Gjakovë, ku edhe i mori mësimet e para. Në vitin 1932 së bashku me disa shokë kalojnë kufirin ilegalisht dhe shkojnë në Shqipëri me qëllim për të ndjekur mësimet në gjuhën amtare, meqë Jugosllavia monarkike jo vetëm që nuk lejonte shkollimin shqip por ndëshkonte çdo përpjekje për ta mësuar atë. Gjendja e vështirë ekonomike që sundonte atje u vërejt me të arritur në Shqipëri, e cila ishte e njëjtë si në vendlindjen e tij të okupuar nga Mbretëria jugosllave.
Me të arritur në Tiranë, regjistrohet në shkollën e mesme të qytetit nga e cila më 1935 edhe përjashtohet për shkak të angazhimin e tij në grupet revolucionare, majtiste, që vepronin në kuadër të Lëvizjes komuniste të kohës. Pas përjashtimit nga shkolla, në Tiranë, shkon në Shkodër dhe atje vijon mësimet e shkollës së mesme.
Për shkak të ideve të tij përparimtare shoqërore, ideologjike e politike, duke qenë se puna dhe aktiviteti i tij përcillej nga sigurimi i Shtetit, arrestohet dhe dënohet me tri vite burg. Burgosja e tij merr fund me hyrjen e trupave italiane në Shqipëri më 1939, me ç’ rast ikë nga burgu. Me të dalë nga burgu, fillon vetë angazhimin në organizimin e rezistencës kundër pushtuesve italianë, të cilët kishin okupuar Shqipërinë.
Së bashku me disa shokë, me të cilët edhe kishte kryer shkollën e mesme në Shqipëri, në vitin 1939 kthehet në Gjakovë. Duke qenë se bindjet e tij politike i kishte orientuar në programin e Lëvizjes komuniste, ai kontakton disa anëtarë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Kosovë, si Bora Vukmiroviq dhe Milladin Popoviq, të cilët fillimisht i kishin qëndruar besnikë platformës së lirisë barazisë dhe Vetëvendosjes së kombeve dhe kishin premtuar se ato do të realizoheshin pas çlirimit nga fashizmi. Sërish kalon kufirin dhe kthehet në Shkodër ku merr pjesë në demonstratat antifashiste kundër pushtimit italian që u mbajtën më 28 nëntor të vitit 1939. Duke qenë se bie në sy si militant dhe i vendosur forcat fashiste e arrestojnë dhe e internojnë ishujt italian Ventotene.
Gjatë internimit studion literaturën marksiste dhe nga aty më 1941 i shoqëruar nga bashkëmendimtarët kthehet në Tiranë, me qëllim të krijimit të lidhjes me Partinë Komuniste të sapo ngritur në Shqipëri. Së bashku me Miladin Popoviqin aktivizohen për përhapjen e pikëpamjeve komuniste në hapësirën e Vilajetit të Kosovës, që nënkuptonte Kosovës e sotme, Sanxhakun e kryesisht trojet etnike shqiptare nën regjimin jugosllav.
Sipas disa të dhënave, Emin Duraku sërish vë kontakt me Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe ishte zgjedhur sekretari i komitetit organizativ. Ishte angazhuar aktivisht në përfshirjen e popullsisë shqiptare në organizatën e quajtur Lëvizja Çlirimtare e Popullit, duke i besuar verbërisht komunistëve jugosllave, të cilët shqiptarëve u premtonin liri, barazi e Vetëvendosje. Në fillim të 1942, në Gjakovë me nismën e tij, të Fadil Hoxhës dhe disa komunistëve të tjerë u formua Komiteti Çlirimtar dhe ai u emërua Sekretar i tij. Në fund të vitit 1942, sipas direktivave te komitetit të Krahinës së Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit u zgjodh në Byronë e Komitetit krahinor.
Në vjeshtë të vitit 1942, Emin Duraku kishte kontaktuar grupet komuniste në rrethin e Lypjanit. Në dhjetor të atij viti ndodhej në fshatin Suhadoll, në një rreth aktivistësh serbë, të cilët kohë më parë xhandarmëria shqiptare-italiane i kishte arrestuar dhe dënuar për posedim të armëve. Pasi ishte konsideruar se qëndrimi i tij në Suhadoll ishte me rrezik, natën e katër dhjetorit të vitit 1942, ai ishte vendosur në shtëpinë e një serbi të fshatit Grackë. Përcjellësi i tij serb, ishte kapur nga xhandarmëria dhe me qëllim për të shpëtuar kishte denoncuar vendin ku ndodhej Emin Durakun dhe grupi i komunistëve serbë.
Atë natë, në Kuesturë kishte ndodhur, në detyrë, Ismail Dragusha, i cili e kishte njohur Emin Durakun, përmes një lidhjeje paraprake familjare dhe ishte përgatitur të nisej me qëllim për ta shpëtuar. Para se Ismail Dragusha të arrinte në Grackë të Vjetër, Kuestura italiane kishte rrethuar shtëpinë e serbit, ku ndodhej Emin Duraku, i cili në përpjekje për të ikur ishte futur në një oxhak, me qëllim që të mos zbulohej. Një ushtar italian e kishte goditur me armë, duke qenë se ai nuk ishte dorëzuar. Emini ishte plagosur rëndë dhe Ismail Dragusha, që ishte nënkomandant i Kuesturës kishte urdhëruar që sa më parë ta dërgonin në Spitalin e Prishtinës. Emin Duraku iu kishte lutur Ismajlit, të cilin e njihte dhe i besonte, që ta niste për në Spitalin e Prizrenit, ku do të ishte afër familjes. Të pranishmit kishin konstatuar se plaga ishte e rëndë dhe rruga deri në Prizren ishte e gjatë për të mbijetuar. Në fund ia kishin plotësuar dëshirën, por pa arritur në Spital kishte vdekur më 5 dhjetor të vitit 1942.
Në aktakuzën e regjimit komunist jugosllav kundër, Idriz Mehmetit nga fshati Banullë në vitin 1945, (sud.br. 82/45-15,) ai ishte akuzuar se me shumë të tjerë kishte marrë pjesë edhe në kapjen e Emin Durakut. Aty shkruan se “Emin Duraku kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë”. ( Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së 1945-1950m faqe 43.) Edhe pse dihej fare mirë se Emin Durakun e kishte plagosur ushtari italian Leone, po ashtu dihej se të gjithë xhandarët shqiptarë kishin bërë përpjekje ta shpëtonin, meqë ishte i njohur i Ismail Dragushës, komunistët serbë kishin dënuar me burg më shumë se 20 shqiptarë, të cilët ishin akuzuar se kanë marrë pjesë në zënien dhe plagosjen e tij. Nga mesi i atyre që janë akuzuar për vrasjen e Emin Durakut dhe që janë ekzekutuar kanë qenë: Habib Emini, Hazir Selimi, nga Banulla, Kadri Bebë Ribari, meqë kishte qenë kryetar i komunës së Lypjanit në atë kohë, ishte dënuar me vdekje pushkatim, ndërsa me 20-vjet burg ishin dënuar Qerim Selimi, Selman Buja, pushkatim, vëllezërit Domaneku, dy prej tyre pushkatim, Idriz Mehmeti e shumë të tjerë.
Emin Duraku ishte denoncuar nga komunistët serbë, vetëm sepse ishte anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, madje këtë fakt ata nuk e kanë mohuar asnjëherë gjatë akuzave publike nëpër gjyqe, që iu kanë bërë shqiptarëve, të cilët sipas tyre edhe e kanë vrarë Emin Durakun. (Ahmet Qeriqi)