Emin Pajazit Sinani (5.2.1949 – 25.5.1999)

Emin Pajazit Sinani (5.2.1949 – 25.5.1999)

Murgulla, fshat në brezin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në vitin 1979 ishte i banuar nga pjesëtarët e fisit Shalë, të afërt me banorët e Shalës së Bajgorës. Më vonë pas dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre nga regjimi okupator serb, këtu u vendosën edhe disa familje të tjera, të cilat erdhën nga fshatrat e rrethit të Prokuples e Nishit dhe u vendosën në Murgull, me shpresë se një ditë do të kthehen në vatrat e tyre në viset veriore. Kjo nuk ndodhi asnjëherë ngase me qindra fshatra u boshtaisën nga popullsia vendase shqitpare dhe në to u vendosën kolonë serbe.
Familjet e vendosura në Murgull filluan jetën e re, por disa prej tyre që kishin humbur shpresën se do të ktheheshin sërish në vendlindjet e tyre, nuk qëndruan në këtë fshat, ku jeta ishte e vështirë, por u shpërngulën në vende të tjera, ku mund të jetohej më mirë. Ata që mbetën këtu filluan të punojnë dhe të japin kontributin e tyre, duke u treguar gjeneratave të reja se prej nga kishin ardhur dhe ku kishin qenë dikur. Banorët e këtij fshati kanë dhënë kontribut të çmueshëm në vazhdin e luftërave për çlirimin kombëtar. Në këtë fshat në shtëpinë e Ramë Sabedinit u mbajt tubimi i prijësve të lëvizjes kombëtare të kohës së Azem Bejtës, i quajtur si Kuvendi i Murgullës, në vitin 1920, i cili zgjat tri ditë. Në këtë kuvend përpos prijësve të qetave të Llapit mori pjesë edhe komandanti i çetave të luftëtarëve të lirisë, Azem Bejta. Në këtë vit çetat çlirimtare në Llap shtuan luftën kundër pushtuesve serbë edhe në fshatrat kufitare siç ishte Murgulla.
Në Murgull të Besianës, në një familje të varfër, më 5 maj 1949 u lind Emin Sinani. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm nuk e vazhdoi për shkak të gjendjes së varfër ekonomike. Që nga rinia e hershme, ai u mor kryesisht me punë bujqësie. Përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, Emini çdo herë ishte në rrjedha dhe në përkrahje të çështjes kombëtare. Edhe përkundër largësisë së madhe nga qyteti i Besianës, ai mbajti kontakte me njerëz përparimtarë të lidhur ngushtë për çështjen kombëtare. Shpesh herë ngarkohet me detyra të rëndësishme e sidomos kur kishte të bënte me vëzhgimin e terrenit në zonën kufitare si dhe me strehimin e grupeve ilegale dhe materialeve të ndrysme. Këto detyra i kryente me përpikmëri dhe në konspiracion të thellë.
U ndihmon shumë njerëzve dhe mbante lidhje të rregullta me njerëzit që vepronin në qytet kur ai shkonte në Besianë për të kryer ndonjë punë apo për të shitur dru. Në qerren me dru ai shpesh bart materiale ilegale dhe gjësende të nevojshme për atë kohë, madje shpesh edhe armatim.
Me shpërthimin e luftës për liri, pa hezituar radhitet në radhët e luftëtarëve të lirisë, që tashmë UÇK-ja shtriu radhët edhe në trevën e Llapit.
Që nga 22 dhjetori i vitit 1998 bëhet pjesëtar i njësitit ‘’Ulpiana 55’’, që ishte në kuadër të Brigadës 152 ‘’Shaban Shala’’. Detyrë kryesore e tij në këtë njësit, pasi e njihte mirë terrenin, ishte vëzhgimi i vijës kufitare Kosovë-Serbi.
Sipas Isuf Latifit, ish-komandant i Kompanisë në Pollatë, Emin Sinani fillimisht ishte i angazhuar në Mbrojtjen Civile të fshatit Murgull, në kuadër të UÇK-së. Ai për herë të parë është vendosur në Murgull në vendin e quajtur ‘’Merqez’’, nga e cila pikë vëzhgohej vija kufitare me Serbinë.
Emini ishte pjesëtarë i togut të lll-të në Murgull, që vepronte në kuadër të kompanisë me shifrën ‘’U-55’’, Batalioni i lll-të i Brigadës 152 ‘’Shaban Shala’’.
Bashkëluftëtarë kishte vëllain, Abit Sinani, dëshmor i kombit, komandantin e togut në Murgull, Ali Halilin, Jakup Sinanin etj.
Gjatë luftimeve në fshatin Murgull, Emini bën përpjekje të ndalojë forcat e okupatorit, për të mos depërtuar deri te popullata në këto anë, ku në Grykën e Zhitisë ishte grumbulluar numër i madh i popullatës civile. Këtë popullatë e mbronin djemtë e UÇK-së, nga të gjitha anët, si, nga Murgulla, Sllatina, Sylevica, Zhitia, Pollata, Repa, Tashevci, Shala e Bajgorës etj. Emini gjatë këtyre luftimeve ra heroikisht në Murgull, më 25 maj 1999.
Meqë ato ditë zhvilloheshi luftime të rrepta në këto anë, Emini është varrosur pas dy ditësh në afërsi të vendit të rënies. E varrosën bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e tij, kurse në ditët e para pas mbarimit të luftës, rivarroset në varrezat e fshatit Murgull. Edhe vëllai i tij, Abiti, gjatë këtyre luftimeve bie dëshmor, një ditë më vonë, më 26 maj 1999.
Dëshmori i kombit Emin Sinani, ishte i martuar dhe ka lënë bashkëshorten, Gjylën dhe bijtë e bijat: Xhevdetin, Hesetin, Shaipin, Fazliun e Ferizin, Hajrien, Shukrien dhe Fazlien. Pas luftës në një fatkeqësi komunikacioni kanë humbur jetën dy bijtë e tij, Fazliu e Ferizi.
Në fshatin Pollatë është ngritur lapidar i përbashkët për të gjithë dëshmorët e rënë në këto anë, pjesëtarë të kompanisë së Pollatës, e në mesin e tyre është edhe Emin Sinani.
Familjes së dëshmorit Emin Sinani i ka dhënë mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Llapit, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe instanca të tjera organizative.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …