Posta e Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare me titull “Shijo Kosovën”, si produktin më të ri të Filatelisë së saj.
Ky emision i pullave postare është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si pjesë e organizimeve dhe manifestimeve të shumta për nder të mërgimtarëve tanë në kuadër të platformës “Shijo Kosovën”.
Roli dhe kontributi i bashkatdhetarëve tanë në periudhat e ndryshme të historisë së vendit tonë ishte dhe vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm. Në ditët e sotme shumë prej tyre po na bëjnë krenar me arritje në shkencë, art, kulturë, sport, biznes, etj., duke u bërë ambasadorë të shkëlqyeshëm të Republikës së Kosovës.
Në shenjë falënderimi për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, Posta e Kosovës përmes Filatelisë së saj paraqet pamjet e pullës postare pikërisht me logon e të gjitha manifestimeve të organizuara përmes platformës “Shijo Kosovën”.
Filatelia e Postës së Kosovës, përpos pullës postare me vlerë nominale €2.10, të vendosur në tabak të dizajnuar me 4 pulla postare, emeton edhe Zarfin e Ditës së Parë i cili me Vulën e Ditës së Parë paraqet një tërësi filatelike.
Pulla postare “Shijo Kosovën“ do të jetë në shitje për të gjithë koleksionistët, qytetarët dhe bizneset, deri në konsumim të plotë, përmes imazhit të saj artistik promovohet shteti ynë kudo nëpër botë.