Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është dashur të përballet me një sfidë me të cilën me të cilën nuk ishte përballur asnjëherë, paraardhësi i tij Hashim Thaçi. Nga 110 kandidatë sa do të duhej t’i kishte kjo parti për zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni me AAK-në, “Nismën” dhe shtatë parti tjera të vogla ia ka lënë Veselit një listë gjysmake. Ai është detyruar të largojë nga lista shumë prej fytyrave të rëndësishme të partisë. Atyre u prin ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ndërkohë Veseli ka sakrifikuar edhe tre ish-ministrat e Partisë Demokratike. Hajredin Kuqi, Besim Beqaj e Justina Pula nuk kanë gjetur një vend në mesin e listës së liderit të ri të partisë më të madhe në vend në zgjedhjet e fundit. E jashtë listës së Kadri Veselit ka mbetur edhe një prej ish-deputetëve që jo pak ishte ballafaquar me drejtësinë, siç është Latif Gashi.
Partia Demokratike e Kosovës e ka vonuar listën e saj përfundimtare, gjë të cilën pritet ta bëjë sot gjatë ditës. Por dihet se në listën e PDK-së, përveç kryesusit të listës Kadri Veseli, janë edhe emrat si: Ganimete Musliu, Hajdar Beqa, Nait Hasani, Andin Hoti, Mergim Lushtaku, Naim Bazaj, Bislim Zogaj, Bekim Haxhiu, Muharrem Xhemajli, Rafet Rama, Beatrisa Pista, e të tjerë.