Komisioni parlamentar i Ligjeve, i mbledhur të enjten pas mesdite, konstatoi se deri në afatin e përcaktuar (ora 14:00) të ditës së sotme asnjë kandidaturë për President të Republikës së Shqipërisë nuk është depozituar në Kuvend. Në këto kushte, edhe radha e votimit në Kuvend, i planifikuar në orën 15:00 të ditës së sotme, parashikohet pa asnjë kandidat në konkurim. Sipas nenit 87 të Kushtetutës, komisioni i Ligjeve, e quan votimin të kryer edhe kur në garë nuk paraqitet asnjë kandidature, thuhet në raportin përkatës, që do i paraqitet për informim seancës së sotme plenare. Rregullorja parlamentare parashikon, që deri në ora 14:00 të ditës së sotme procedura të ishte e hapur për të paraqitur kandidaturat, ndërsa pas kësaj ore fillonte detyrimi i komisionit të Ligjeve për të marrë në shqyrtim kandidaturat eventuale dhe për t’i paraqitur raportin përkatës seancës plenare.
Të mërkurën pasdite Kuvendi u mblodh për të votuar raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Por, deri në afatin e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve nuk ishte depozituar asnjë kandidaturë për President pranë Kuvendit. Pas kësaj seance, kryeministri Edi Rama tha se maxhoranca i ka numrat për ta zgjedhur Kreun e ri të shtetit, por po mundohemi t’i japim një shans opozitës për të gjetur një figurë sa më shumë përfaqësuese dhe sa më gjithëpërfshirëse. (ATSH)