Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, e ka komentuar edhe njëherë vendimin e kryetares Vjosa Osmani, lidhur me shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai theksoi se pas këtij vendimi janë krijuar mundësitë edhe për shkarkimin arbitrar të institucioneve të tjera me rëndësi kushtetuese. “Unë mendoj fuqishëm që Avokati i Popullit duhet ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për arsye shumë të thjeshtë, sepse bëhet fjalë për institucionet qendrore të shtetit të Kosovës. Dhe ky vendim ka hapur dyert e anarkisë dhe të mundësisë potenciale për shkarkim arbitrar edhe të institucioneve të tjera titullare, të institucioneve tjera të pavarura të Kosovës ose të institucioneve që quhen me rëndësi kushtetuese”.
Në anën tjetër ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka,në Rubikon në Klan Kosova ka paralajmëruar se nesër do të dërgojë një kërkesë te Avokati i Popullit për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja Vjosa Osmani në mënyrë që ky institucion më pas të mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në emër të saj.
Valdete Daka tha se nuk po e kërcënon, zonjën Osmani, por se po e shfrytëzon të drejtën e saj ligjore.
“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emrin tim. Meqë deputetët dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë çka mendoj se është për të ardhur keq, sepse nuk është në pyetje rasti i Valdete Dakës por është në pyetje një institucion i pavarur dhe është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur”.
“Deputetët si të zgjedhurit e popullit kanë obligim që të mbrojnë organet e pavarura dhe për këtë e marrin edhe votën e qytetarëve. Nuk është në pyetje më Valdete Daka, por është në pyetje institucioni dhe mbrojtja e institucionit të pavarur, sepse është krijuar precedent. Ky precedent mund të jetë i rrezikshëm, sepse në të ardhmen mund të vijë një president tjetër dhe të thotë “Nuk po më pëlqen puna e X ose Y personit dhe po e shkarkoj” dhe për këtë duhet që Gjykata Kushtetuese ta japë mendimin e vet dhe të thotë se a ka të drejtë presidenti dhe nëse ka të drejtë në çfarë mënyre. Le të zgjidhet kjo dilemë dhe këtu nuk duhet të ndihet askush i kërcënuar apo i ofenduar, është thjesht çështje kushtetuese”.
Daka ka thënë se ka përgatitur një dosje të cilën do ta dorëzojë te Avokati i Popullit dhe i njëjti pasi ta shqyrtojë do ta vlerësojë nëse e njëjta ka bazë që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese ose jo.