Enver Hoxha

Enver Hoxha për herë të dytë ndër shqiptarë II

Paraqitja misterioze e  Enver Hoxhës në Tiranë, ishte përcjellë me interesim të madh, jo vetëm nga qytetarët por edhe nga Policia, mediet madje edhe nga autoritetet shtetërore. Të gjithë sikur kishin arritur në një përfundim se dikush kishte krijuar me mjeshtëri një dublet, aq të përkryer, sa ata që kishin pasur rast ta kishin parë Enver Hoxhën, sa ishte gjallë, apo e kishin parë në fotot e shumta, të afishuara në medie e në filma, rrëfenin se figura ishte qind për qind e njëjtë, krejt identike. Askush nuk dyshonte se  ishte fjala për një dublet, por kishte mjaft të tillë, sidomos nga radhët e besimtarëve  që besonin se ai ishte ringjallur, si paralajmërim për fundin e botës, për apokalipsin, apo ditën e kiametit.

Disa ditë më vonë, figura apo hija e  Enver Hoxhës ishte parë në Gjirokastër. Një burim i besuar i kishte njoftuar policisë se në orët e mesnatës kishte parë me sytë e tij nga dritarja kundruall,  njeriun, për të cilin flitej se ishte Enver Hoxha. Ai ishte futur në shtëpinë e tij muze, e cila nuk ruhej nga askush gjatë natës. Policia me shpejtësi kishte rrethuar shtëpinë dhe kishte pritur që në orët e hershme të mëngjesit të intervenonte për ta kapur mashtruesin e madh, që paraqitej me figurën e Enver Hoxhës.

Aksioni i policisë kishte rezultuar pa sukses, ndërkohë që spekulohej se Enver Hoxha në kohën e tij kishte ndërtuar një kthinë nëntokësore, brenda shtëpisë,  për të cilën nuk dinte askush, madje as familja e tij.

Hija e Enver Hoxhës po kthehej në makth për shumë kë.

Shtroheshin shumë pyetje, por nuk kishte asnjë përgjigje të besueshme, përveç faktit se dikush po e mashtronte, madje edhe po e kërcënonte opinionin. Kërcënimi në emisionin e TV-Klanit doli të jetë fals. Mbase dikush kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte tmerruar debatuesit. Flitej se vetë Fe-Ziu e kishte kurdisur telefonatën me qëllim që të shkaktonte një skandal për të qenë në qendër të vëmendjes së medieve. Madje, flitej se ishte pikërisht ky njeri me një ish-shofer të Sali Berishës që e kishin kurdisur tërë mashtrimin, duke krijuar një dublet, një maskë krejtësisht identike të fytyrës së Enver Hoxhës të moshës së  tij 50-60-vjeçare.

Mjegulla rreth paraqitjes së Enver Hoxhës, në Tiranë dhe në Gjirokastër kishte filluar të dendësohej edhe më tepër kur figura e tij ishte paraqitur në Shkodër, mu në mes të qytetit. Një kalimtar rasti, nga befasia, sapo e kishte parë instinktivisht e kishte përshëndetur me grushtin lart. Edhe ai e kishte përshëndetur me grusht dhe sakaq ishte futur në një veturë me targa të huaja, ku po e priste shoferi i tij. Kalimtari, Gjon Maculla ishte drejtuar në Komisariat dhe kishte rrëfyer tërë ngjarjen, pa e fshehur faktin se e kishe përshëndetur me grusht dhe që kishte pasur respekt për prijësin e dikurshëm. Ai kishte dhënë informata për vendin ku e kishte parë, kohën e saktë, veturën, ngjyrën, mirëpo shoferin nuk e kishte parë në fytyrë. Nuk e kishte mbajtur mend numrin e regjistrimit, as dinte tipin e veturës, por e dinte se ishte regjistrim i huaj.

–  I ke dëgjuar zërin?- kishte pyetur komisari.

– Jo, belda nuk foli, por sapo e ngrita grushtin, edhe ai e ngriti dhe m’ përshneti vetëm me kokë.

– Je i sigurt se ishte Enver Hoxha?

– Po, pasha t’ madhin Krisht, me tesha veshë. Ose ndonjë dublet si po i thonë tash, po vetë Enveri. Nuk m’ rren mendja, jo.

– Mos t’ lëshoi në dorë ndonjë letër, afishe, apo ndonjë lek.

– Jo për Krisht, asgja nuk m’ ka dhanë se nuk kishe me e fsheh’ para pushtetit. Unë  vetë erdha me dëshmua.

– A kishte njerëz të tjerë, kur u përshëndetët?

– Kishte gjindje, po asnja  i njohur nuk ndodhi. Me siguri se e ka pamun edhe ndokush veç meje.

Paraqitja e figurës së Enver Hoxhës vazhdonte të mbetej enigmë misterioze, që kishte ngjallur bezdinë e autoriteteve. Dominonte mendimi se dikush po e mashtronte opinionin, por askush nuk e zbërthente dot motivin. Po ashtu, gjatë analizave që kishte bërë policia lidhur me vendet ku  shfaqej papritur, kishte ardhur në përfundim se ai nuk ishte dukur asnjëherë në prani të policëve, as ndokund para komisariateve. Kjo tregonte se personi misterioz ruhej, ndërsa paraqitej atje ku nuk e priste askush.

Një ditë, një burrë jo aq i moshuar, nga radhët e ish të përndjekurve politikë, një Duro Mali, kishte kapur për fyti një të panjohur i cili  i kishte përngjarë me figurën e Enverit, që po përflitej.

– Të zura, e zura njeriun që po paraqitet me figurën e Enverit, lajmëroni policinë, bërtiste me zë ndërsa  i kapuri në befasi, po mundoje të lirohej, po mundohej të shpjegohej  me gjeste  por nuk nxirrte dot fjalë.

– Fol kush je, i kishte bërtitur duke e mbajtur me forcë, në kohën kur ishin afruar disa kalimtarë rasti.

– Lëshoje njeriun, çfarë të ka bërë? – i drejtohet një burrë në moshë por i zhvilluar.

– Të thërrasim policin, thotë një tjetër

– Është Enveri, kapa Enverin, lajmëroni policinë!

– Mor,  po ti qenke i marrë, po për cilin Enver e ke fjalën, liroje njeriun se i zyre frymën, mor derr.

I Kapuri ishte një burrë i dobët dhe i moshuar, që mezi qëndronte në këmbë, madje ishte edhe shurdhmemec, por realisht kishte një dozë ngjashmërie me personin enigmatik.

Ai, po jepte shenja me duar  se nuk fliste, ndërsa kjo e bënte edhe më këmbëngulës personin që e kishte kapur për duarsh,  meqë ai mendonte se viktima e tij po improvizonte, apo mundohej ta fshihte identitetin.

Nuk kishte vonuar dhe kishin arritur dy policë.

– Kapa Enverin, thotë ish i përndjekuri.

Policia kishte legjitimuar të dy. Personi i kapur kishte letërnjoftim si dhe certifikatën se ishte shurdhmemec. Asgjë nuk përputhej me të pandehurat e njeriut që e kishte ndaluar dhunshëm dhe i cili po dridhej nga e papritura.

Policët i kishin përcjellë të dy në komisariat.  Rrëmbyesi i shurdhmemecit, Duro Mali tashmë kishte filluar të dyshonte, por ishte mbrojtur me faktin se kishte dëgjuar sa e sa herë për paraqitjen gjatë atyre ditëve të Enver Hoxhës, apo një dubleti të tij.

– Përse e ke ndaluar njeriun e panjohur, madje i ke shkaktuar edhe lëndime duke e kapur fortë për fyti, kishte pyetur polici, hetues i rastit.

– Më përngjau me Enverin, ishte përgjigjur shkurt.

– Me cilin Enver?

– Me Enver Hoxhën, pra.

– Ç’ ke ti me Enver Hoxhën, ai ka vdekur qe 30 vjet.

– Thonë se është ngjallur. Desha ta kap, sepse më ka mbajtur dy vjet në burg.

– Kush të ka mbajtur në burg?

I përndjekuri ishte munduar të shpjegohej duke motivuar dyshimin e tij lidhur me të përfolurat, ndërsa polici hetues kishte ndodhur nga ata që nuk kishte dëgjuar, apo nuk i kishte dhënë rëndësi lajmit sensacional, mbase edhe të trilluar për paraqitjen figurës së Enver Hoxhës.

– Njeriu që ti ke kapur është një shurdhmemec, nga Durrësi, që ka ardhur sot në Tiranë për një punë të tij.

– Më vjen keq atëherë, do i kërkoj falje. M’u duk i njëjtë me Enverin, por ja që ia paskam  futur kot.

– Nuk di nëse ia ke futur kot apo jo, por ai po kërkon dëmshpërblim për frikën që i ke shkaktuar dhe për kapjen për fyti.

– Epo ja që po ia shoh sherrin Enverit edhe për së vdekuri.

– Dëgjo qytetar, do të bëjmë një kallëzim për ndalim  të paligjshëm të personit të panjohur dhe përdorim dhune ndaj tij.

I përndjekuri ishte në hall. E pranonte se kishte gabuar. Kërkonte t’ ia mundësonin takimin me viktimën, që ta bindte përse e kishte ndaluar, t’ i kërkonte falje, mbase t’ i jepte edhe ndonjë lek si dëmshpërblim, por e gjitha i kishin shkuar kot.

Policët e kishin arrestuar.

Shurdhmemeci ishte liruar.

Ngjarja në sheshin e Tiranës ishte komentuar në të gjitha mediet. Spekulimet kishin marrë dhenë. Titujt bombastikë kishin çorientuar opinionin. “Ishte kapur Enver Hoxha”. Policia e kishte arrestuar rrëmbyesin ndërsa kishte liruar personin dublet të Enver Hoxhës. Enver Hoxha i mistershëm, prodhim i PD-së,  gogol i kurdisur i PS-së” e tituj të tjerë sensacionalë.

Pas incidentit të fundit, shumë të përfolur nga mediet,  sidomos në Tiranë, hetimet për kapjen e personit, që paraqitej me pamje si të Enver Hoxhës sikur kishin pushuar. Dy javë rresht nuk ishte përhapur  asnjë informatë për misterin, që po i bezdiste të gjithë, sidomos ish të përndjekurit, kundërshtarët politikë, por edhe familjen e tij,  e cila bombardohej me informata të sajuara, pa e ditur qëllimin e krejt parodisë të sajuar apo të spikatur nga një grup i panjohur njerëzish. Në kohën kur dukej se paraqitja e Enverit kishte “avulluar” ashtu sikur shumë sensacione të llojit të tillë, dubleti i Enver hoxhës ishte paraqitur, kësaj radhe, në oborrin e Spitalit Amerikan, ish Spitali Ushtarak. Roja, në hyrje të Spitalit kishte vërejtur një të dyshuar dhe iu kishte qepur pas. Me qëllim për ta kapur në befasi, i kishte vajtur pas, duke i përcjellë me vëmendje ecejaket e tij. Në momentin kur ai kishte hapur derën në hyrje të objektit të Spitalit, roja e kishte dalë para dhe e kishte ndaluar.

-Jam roja i objektit, je person në dyshim, letërnjoftimin, ju lutëm, i kishte thënë personit i cili tani kur e kishte afër nuk po i përngjante me atë të mëparshmin. I dyshuari edhe pse ishte shqetësuar nga e papritura, ia kishte ofruar letërnjoftimin.

– Nga Kosova je?

– Po,  ishte përgjigjur shkurt.

– Na falni se ju ndaluam,  por po kërkojmë një njeri, që nuk di si ta shpjegoj…

– Enver Hoxhën apo? Nuk ke gabuar. I përngjaj shumë. Të gjithë ma thonë.

– Vërtet se i përngjan, por ama nuk dukesh tamam si Enveri, por nga larg i përngjan ama.

– E po si të jem Enveri, kur ai ishte nga Gjirokastra dhe vdiq 30 vjet më parë. Unë, më sheh edhe vetë se  jam  gjallë.  Erdha ta shoh një mik, të shtrirë këtu,  në Spital.  Ç’ faj kam se i përngjaj pak xhaxhit.

– Jo, jo askush nuk të vë faj, por edhe veshja Juaj është pak si e dyshimtë. Palltoja e pranverës, cilindri që mban në kokë, veshjen  e stilit të kohës së shkuar madje edhe këpucët e modës së vjetër, kordelja e kuqe…

– Epo, si vishem unë, është puna ime, mor vëlla!…

– Ju zotëri i nderuar e pranoni se i përngjani Enverit, ndërsa edhe vetë ke dëgjuar për fushatën që po zhvillohet në kapjen e tij.

Kosovari quhej, Selver Koxha. Kishte emër e mbiemër tjetër, por edhe emri e mbiemri tingëllonin po aq afër dhe larg në të njëjtën kohë, ashtu sikur edhe pamja nga larg Enver, nga afër Selver.

– Më vjen keq i nderuar, por më duhet të denoncoj në polici, thjesht ti më ngjall dyshime i kishte thënë roja dhe pa vonuar kishin arritur tre policë, të cilët personin e ndaluar nga roja e hyrjes së Spitalit e kishin përcjellë me veturën e tyre në komisariat.

Selver Koxhës, prokurori i rastit  i kishte  caktuar 48 orë paraburgim, ndërkohë e kishin ballafaquar me disa persona që kishin denoncuar paraqitjen e Enverit. Në fillim e  kishin ballafaquar me rrëmbyesin e shurdhmemecit, Duro Malin, i cili po ashtu mbahej në arrest për lëndimet që i kishte sjellë personit që e kishte pikasur se ishte Enver Hoxha e më vonë ishte  bërë  e ditur se kush ishte.

–  E ke parë ndonjëherë  këtë njeri?- iu kishte drejtuar hetuesi i Prokurorisë.

– Jo, nuk e njoh, as e kam parë ndonjëherë, të paktën kështu më duket tani për tani.

– Të përngjet me Enver Hoxhën?

– Nga veshja po, por jo edhe aq nga fytyra.

– Ky përngjet më shumë në Enver Hoxhën sesa shurdhmemeci që desh e vrave.

– Isha gabim, e pranoj, mbase paranoja ime e kohës së kaluar në burg.

– Sa vjet ke mbajtun burg, e pyet  kosovari.

– Dy vjet!

– Unë për Enver Hoxhën kam mbajtur 15 vjet. Aq më kanë dënuar duke më shpallur armik të Jugosllavisë dhe agjent të xhaxhit, të cilin e kam parë në TV dhe  nëpër filma dokumentarë, por kurrë nuk e kam parë për së gjallë, edhe pse kam pasur mall tërë jetën për ta parë nga afër.

– Andaj edhe e emeton Enver Hoxhën, iu kishte drejtuar hetuesi.

-Jo, jo zotni hetues e ke gabim, Nëse më thua se e do,  apo e urren Enver Hoxhën, unë të tregoj drejt, e kam dashur, e kam nderuar dhe e dua edhe për së vdekuri, por ama që jam unë Enver Hoxha, kjo duket çmenduri. Nëse më keni arrestuar sepse jam enverist, kjo në rregull, por ama se po improvizoj Enverin kjo është marrëzi për ju si zyrtar i institucionit. Sapo të shkoj në Kosovë do ta denoncoj rastin.

– Në Kosovë do të shkosh pasi të kemi sqaruar gjithçka rreth teje.

– E pra nuk ka ku shkon më qartë, për njerëz normalë.

– E si të dukemi ne, anormalë?

– Më shumë se anormalë, krejtësisht të marrë. Po ja ku është letërnjoftimi o burrë, ja fotoja, ja unë. Pyetni në këtë numër të telefonit në shtëpinë time, në dashi edhe shoferin e kryeministrit se e kam shok, pyeteni EULEX-in.

– Dale, dale. Ne e dimë se ti nuk je Enver Hoxha, por ama përse vishesh sikur ai?

– Po ku ka ligj që e dënon veshjen, apo mënyrën e veshjes or, njeri. Po të isha  zhveshur, po të mbaja çallmë apo mjekër, pale, por mijëra vetë në Tiranë mbajnë cilindra mbi kokë, mbajnë veshje të holla pranvere. Kjo me të vërtetë është çmenduri.

– Po ky shalli i kuq, në qafë?

– Ia bleva nipçes, këtu te tregu, s para e hapja valixhen për ta vënë atje dhe e hodha në qafë.

Hetuesi kishte stepur. Ishte ulur në kolltuk, kishte marrë telefonin dhe kishte biseduar me një të njohur, ndërkohë që qytetari i Kosovës që e quanin Selver po qëndronte në këmbë duke u ankuar se e kishte humbur kohën e vizitës për mikun e tij në spital.

– Jemi në hall, zotëri. Kemi ca dyshime dhe nuk mund t iu lirojmë për 24 orë. Keni të drejtë ta merrni një avokat.

– Avokatin duhej ta ma kishe propozuar para se të filloje të më hetoje.

– Po ti nuk e kërkove!

– Ishte detyra jote të më lajmëroje!

– Po aq sa e jotja për të mbrojtur veten.

Hetuesi i Prokurorisë ishte në dilemë, andaj kishte folur me prokurorin, i cili kishte urdhëruar t’ i lironte të dy dhe t’ iu kërkonte falje.

-Po iu liroj kësaj radhe iu thotë pas pak. Duro Mali ishte gëzuar pa masë ndërsa kosovari kishte kërkuar një vërtetim lidhur me ndalimin, madje të nënshkruar dhe të vulosur.

– Po ti dashke sherr, mor zotëri. Pak të duket që po të liroj?

– Vërtetimi më duhet për ta pasur kur të më arrestojnë të tillët si ty. Sapo të dal nga këtu më ndalon tjetri dhe unë nuk mund të bëhem tjetër njeri.

– Ti po e pranon qe ke qenë dhe je enverist, mirë të bëhet, ja pra  ik, pirdhu i thotë duke i treguar derën.

Selver Koxha ishte nxehur dhe ia kishte kthyer me zë të lartë.

– Pirdhu ti mor krye-thi. Po tërë një jetë ke qenë enverist mor djall dhe tani i ke hyrë në prapanicë Salos, ashtu sikur si ai  i kishte hyrë Enverit në kohën e tij.

-Mbaje gojën kosovar, tash po e thërras policin.

– Thirre edhe Salon po deshe  sa për mua, por ama dije se je kokëbosh, njeri i marrë, paranojak, thotë dhe drejtohet nga dera i sigurt se hetuesi nuk do ta shtynte më tej, veçse të lirohej nga marrëzia ku ishte katandisur….

 …

Po bëheshin tre muaj që nga paraqitja e parë e dubletit të Enver Hoxhës, në Tiranë e në qytetet e tjera  dhe organet e hetuesisë nuk kishin arritur ta gjenin njeriun, për të cilin konsideronin se e kishte sajuar këtë rreng. Dyshimi më i faktuar lidhej me Selver Koxhën, për të cilin mendohej se ishte sajuesi i tërë historisë. Ai pranonte ballëhapur se ishte enverist, se deri dikur edhe e emetonte Enverin, por ngjashmëria nuk ishte e tillë dhe krejt identike sikur e kishin përshkruar shumë e shumë dëshmitarë okularë. Hetues,i Kol Coli, i cili kishte marrë në pyetje Selver Koxhën kishte shfaqur haptas dyshimin, por mbrojtja që i kishte bërë vetes kosovari, e kishte çarmatosur fare. Madje edhe prokurori i kishte dhënë urdhër që ta lironte. Megjithatë ai nuk i kishte ndaluar hetimet. Kishte aktivizuar tre agjentë të Shërbimit për ta përcjellë kosovarin, i cili dukej se i kishte mashtruar. Njëri prej agjentëve i kishte raportuar se dy ditë pas lirimit, i dyshuari për mashtrim, apo dublanti i figurës së Enver Hoxhës, Selver Koxha ishte parë në varrezat e Shares, në Tiranë, ku në mesin e pesë vetave kishte vendosur lule te varri i Enver Hoxhës. Më vonë ishte parë në Plazhin e Durrësit ku dukej se do të qëndronte për një kohë. Çdo lëvizje e tij mbahej nën vëzhgim. Hetuesi kishte urdhëruar agjenten, Kolina Reçi, që ta kontaktonte dhe të përdorte tërë zgjuarsinë që të njihej si rastësisht me kosovarin dhe  t’ i qepej pas për të vërtetuar dyshimet.

Kolina ishte një grua e zgjuar rreth të dyzetave. Ishte e bukur dhe joshëse për meshkujt. Kishte 10 vite që punonte agjente dhe ishte dalluar në zbulim. Me kohë kishte mbetur peng e SHIK-ut meqë ishte zënë në një trafikim me narkotikë, por e kishte zbuluar grupin. Për t’ ikur dënimit 15 vjet burg, ishte pranuar të bashkëpunonte me Shërbimin dhe ishte treguar ndër më të suksesshmet. Pesë vjet kishte qëndruar në Itali, në përcjellje dhe vëzhgim special dhe pasi ishte kthyer në Tiranë  i kishin ndërruar edhe letërnjoftimin me emrin e ri.  Kolina ishte ndër agjentet më të zhdërvjellëta  të vendit dhe pikërisht për këtë e kishin angazhuar për ta zgjidhur enigmën e paraqitjes së figurës dubluese  të Enver Hoxhës, një ngjarje kjo që nuk e lindte të qetë madje as sigurimin e Shtetit.

Pasi, bashkëpunëtori i saj i kishte treguar jo vetëm fotot por edhe vetë kosovarin e dyshuar, ajo ishte lëshuar në gjah dhe një ditë me vapë ishte takuar me te, ballë për ballë, në dalje të Hotelit.

-Më falni nëse u shqetësoj, mbase po më përngjani në një person të njohur mos jeni, Hekurani Ju?

– Jo zonjë, apo zonjushë e nderuar, nuk jam Hekurani, Hasan më quajnë, jam nga Kosova.

– Më fal atëherë!

– S’ ka gjë, njerëz jemi, andaj edhe i përngjajmë njëri tjetrit.

– E qartë, edhe një herë u kërkoj falje, i thotë duke i drejtuar një buzëqeshje joshëse, e habitur paksa me fshehjen e emrit.

Kolina e kishte lajmëruar hetuesin e lartë, Kol Coli se kishte takuar kosovarin e dyshuar dhe  iu kishte vënë prapa. Nuk i kishte treguar se ai paraqitej me emër tjetër. Në recepcion kishte marrë numrin e dhomës ku banonte dhe kishte dalë në plazh, me qëllim që ta takonte sërish, gjithnjë si rastësisht. Kishte vënë syze të zeza dhe në kokë kishte vendosur një kapelë të bardhë. Me rroba plazhi, me syze dhe kapelë iu kishte afruar çadrës së kosovarit i cili ishte shtrirë në zall dhe po djersinte nga vapa.

Shumica e pushuesve ishin nga Kosova. Këtë e dallonte nga gjuha që flisnin, por edhe nga pamja, meqë vendësit ishin më të zinj, ndërsa kosovarët më të bardhë dhe më të gjatë.

Kishte qëndruar për një kohë këmbë e më pas ishte ulur në zall dy tri metra larg kosovarit.

Pas disa vështrimeve të rastit kishte fituar bindjen  se ai nuk e kishte mbajtur mend.

Kësaj radhe i kishte kërkuar çakmakun.  Me qëllim kishte vënë në përdorim një çakmak të shpenzuar, me të cilën po mundohej ta ndizte cigaren.

-Mos keni rastësisht zjarr, i drejtohet Kosovarit me një timbër të ndryshuar të zërit. Ai ishte ngritur nga zalli  dhe ishte ulur në cepin e shtratit.

-E kam një, këtu  në çantë, edhe pse unë nuk e pi duhanin.

-Sa mirë që nuk e pi këtë helm, si lum ti!

-Sa keq që e pi, si mjerë ti, ia kishte kthyer. Ai tashmë e kishte kuptuar se ishte po ajo femra  që e kishte takuar në hyrje të hotelit. Ishte përmbajtur duke mos treguar as më të voglin dyshim. Kolina dyshonte por kishte bindje se kosovarët janë më pak të vëmendshëm, pak më të trashë se të tjerët. Ishte kjo një bindje jo vetëm e saj.

– Nuk e ke pirë kurrë duhanin?, i drejtohet duke ia kthyer çakmakun.

– E kam pirë një kohë, por gjatë qëndrimit në burg e kam lënë dhe nuk kam tymosur më.

– Paske qenë në burg?

– Po kam mbajtur 10 vjet burg.

– Për politikë, apo?

– Jo për politikë, por për Enver Hoxhën.

– Si është e mundur kjo!

– Është absurde, por kështu na thonë bashkëvendësit tanë atje në Kosovë, nga ata që nuk kanë qenë nëpër burgje dhe që ishin pjesë e regjimit jugosllav, por  edhe këtu në Shqipëri. Realisht ne ishim në burg se kërkonim Kosovën Republikë, por ata na thoshin se po kërkonim  bashkim me Shqipërinë e Enver Hoxhës.

– Mbase nuk gaboj, por ju i përngjani paksa Enverit.

– Po, i përngjaj, aq sa njerëzit përngjajnë me njeri tjetrin.

– E them me rezervë, por edhe ju më duket se i përngjani shumë aktores, Rajmonda Bulku. U ka thënë njeri këtë? Kolina ishte turbulluar, por e kishte marrë veten.

– Ma kanë thënë, sepse unë e kam fis.

– Unë Enverin nuk e kam fis, edhe pse kam pasur dhe gëzoj respekt të madh për të.

– Respekt!, ua  kjo është për t u habitur!

– Ju, apo të afërmit Tuaj  nuk kishit respekt, në kohën e tij?.

– Ndryshe ishte atëherë. E pranoj kam qenë pioniere. Por ashtu na kishin mësuar dhe edukuar.

– Mendon ti, se tani ka më shumë kulturë dhe arsim në Shqipëri, sesa në kohën e xhaxhit.

– Nuk di çka të them nuk merrem me statistika të natyrës së tillë.

– Natyrisht, ju merreni me punë të tjera. Kjo që po bisedojmë është pjesë e punës dhe profesionit tuaj?

– Tina më quajnë, kam një biznes privat në Tiranë. Nëse të bezdis, ditën e mirë i kishte thënë dhe ishte bërë gati të largohej.

– Më vjen keq nëse të lëndova, por personi që të ka orientuar për të më gjurmuar është një torollak.

-Nuk e di për kë po flisni, i thotë sikur e zënë në faj dhe kishte vazhduar  rrugën drejt hotelit.

Selver Koxha, ishte në mesin e shumë enveristëve të Kosovës. Ishte arrestuar nga regjimi i Titos dhe e kishin  dënuar 15 vjet burg për pjesëmarrje dhe organizim të demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981. Burgun e kishte mbajtur në Gradishën e Vjetër  të Kroacisë. Disa vite kishte qenë në të njëjtin burg me simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, të cilin e donte dhe e respektonte si as kënd tjetër. Ishte në mesin e më militantëve nga radhët e  të burgosurve politikë, nga ata që më vonë kishin kapur armët dhe kishin luftuar për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

Prill 2015

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …