Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka qëndruar dje në Gjakovë. Hoxhaj ka thënë se procesi i finalizimit të shtetndërtimit të Kosovës dhe anëtarësimi në OKB do të jenë prioritete kryesore në qeverisjen e PDK-së. “Ne jemi të interesuar të përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës dhe ajo do të përmbyllet vetëm atëherë kur PDK do të qeverisë dhe do të anëtarësojë Kosovën në OKB. Këtë mund ta bëjë vetëm një parti politike që ka merita në themelet e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Natyrisht edhe anëtarësimi në OKB do të jetë një proces i natyrshëm”, ka thënë ai. Para qytetarëve të Gjakovës, Hoxhaj ka shpalosur edhe planin për vaksinimin anti-covid të popullsisë së Kosovës gjatë këtij viti.
“Ne kemi plan ta vaksinojmë gjysmën e popullatës vetëm gjatë vitit 2021. E kemi hartën e qartë. I dimë vendet ku do të jenë qendrat e testimit. I dimë vendet ku do ta jenë qendrat e vaksinimit dhe brenda 100 ditshit të parë, jo vetëm që do ta sigurojmë vaksinën, por brenda vitit 2021 do ta vaksinojmë gjysmën e popullatës së Republikës së Kosovës. Ndërsa, në vitin 2022 do të vazhdojmë me pjesën tjetër të popullatës”, ka thënë ai.
Duke folur për gjenocidin që ka bërë Serbia në Kosovë, Hoxhaj ka thënë se Instituti i Krimeve për Dokumentimin e Gjenocidit Serb do të vendoset në këtë qytet. “Meqenëse ky është një vend që ka vuajtur shumë gjatë luftës dhe politika e gjenocidit serb është shpërfaqur mbi të gjithë në Gjakovë, edhe Instituti i Krimeve për Dokumentimin e Gjenocidit Serb do të vendoset në Gjakovë”, ka thënë ai.