Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për paraqitjen e tij në takimin e parë në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi. Hoxhaj përmes një publikimi në rrjetin social ka deklaruar se java e kaluar shënoi mjerimin politik të kësaj Qeverie, duke thënë se këtë “me cirkuset e tij diplomatike e manifestoi Albin Kurti”. “Në vend të njohjes nga Serbia, në Vjenë ai kërkoi mos sulmimin nga ajo. Në vend se të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe forcimin ekonomik të vendit, mohoi ligjshmërinë e saj”, shkroi ai. Hoxhaj njëashtu tha se pret nga Kurti që të sillet me përgjegjshmëri shtetërore dhe institucional në takimin që do të zhvillohet në Paris me kryetarin Macron.
