Gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin e Sigurisë Globale që po mbahet në Doha të Katarit, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim dypalësh me ministrin e Financave të Sudanit, Dr. Gebreil Ibrahim Mohamed. Në këtë takim, Hoxhaj e ka falënderuar ministrin sudanez për mbështetjen e vazhdueshme dhe njohjen zyrtare që Sudani i ka bërë pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndësishëm në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit. “Kënaqësi ta takoj Dr. Gebreil Ibrahim Mohamed, ministër i Financave i Sudanit. E falënderova për mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sudani!”, ka shkruar Hoxhaj . Forumi i Sigurisë Globale është një ngjarje e përmasave ndërkombëtare që mbledh liderë politikë, diplomatë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar sfidat globale të sigurisë, paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.