Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të sillet në të ardhmen në mënyrë reciproke, nëse Qeveria e Serbisë vazhdon arrestimin e oficerëve të lartë të shtetit të Kosovës apo të zyrtarëve të lartë. Sipas tij vetëm zyrtarët e lartë nuk bën të arrestohen nga Serbia ndërsa pjesëtarët e tjerë e UÇK-së mund të arrestohen. Ministri Hoxhaj e cilësoi si “akt të papranueshëm arrestimin e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi” dhe njëkohësisht theksoi se po bëhen përpjekje të shtuara për lirimin e tij. Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, për Mitrovicën Jugore, Nehat Thaçi, u ndalua të enjten e kaluar në vendkalimin e kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletë arresti të Serbisë për, siç thuhet, veprën penale të terrorizmit. Një gjykatë në Nish, një ditë më vonë i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Kjo duhet të kuptohet në një rrafsh më të gjerë; Serbia ka zgjeruar gamën e provokimeve në raport më Kosovën dhe në raport më rajonin; prej zhvillimeve që po ndodhin në Republika Serpska në referendumin atje (në Bosnje dhe Hercegovinë) e deri tek ndërhyrjet më të shpeshta edhe shumë dimensionale qoftë në Kosovë, qoftë në vendet tjera të rajonit. Kjo për ne është e papranueshme”.