Enver Hyzri Rashiti (10.7.1974 – 15.1.1999)

Enver Hyzri Rashiti (10.7.1974 – 15.1.1999)

Reçaku, luftës për çlirimin e trojeve shqiptare i ka dhënë 12  dëshmorë dhe 50 martirë. Masakra mbi popullatën civile, të cilën e kryen forcat ushtarake dhe policore serbe, më 15 janar të vitit 1999, në Reçak, ishte ndër më monstruozet për nga mënyra e ekzekutimit dhe masakrimit të kufomave. Akti i asaj  egërsie barbaroide, të cilën e kryen serbët mbi shqiptarët e paarmatosur  i dha lemerinë forcave demokratike përparimtare të mbarë botës. Krimi i shëmtuar kundër civilëve, bëri që të aktivizohet diplomacia përparimtare botërore, e cila aktin e shëmtuar të masakrimit e trajtoi si “krim të rëndë kundër njerëzimit”.  Më 15 janar të vitit 1999, nga radhët e luftëtarëve të Reçakut kanë rënë në mbrojtje të popullatës civile: Enver Rashiti, Ali Beqa, Ismail Luma, Mehmet Mustafa, Shaqir Berisha, Kadri Syla, Nazim Kokollari, Skënder Qarri, Lutfi Bilalli,  Kadri Syla, Shaqir Berisha, Sadik Mujota, ndërkohë që në përpjekje për tërheqje të popullatës kanë rënë: Nexhat Ramadani,  Sadik Osmani dhe Ragip Bajrami. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së, nga fshati Reçak  kanë rënë dëshmorë edhe Alush Mustafa, Afrim Syla, Idriz Mehmeti dhe Elmi Kamberi, i cili  ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Më 19 janar 1999, në luftë për të mos lejuar që forcat serbe të merrnin kufomat e të masakruarve të Reçakut ka rënë duke luftuar heroikisht edhe Ahmet Kaçiku, Komandanti i Brigadës 161 të Zonës Operative të Neredimes.

Enver Rashiti lindi më 10 korrik të vitit 1974, në një familje të varfër fshatare në Reçak të komunës së Shtimes. Mësimet fillestare i mbaroi në shkollën fillore “Skënderbeu” të fshatit. Në kushte dhe rrethana të cilat ishin krijuar në vitet 90, Enveri nuk arriti ta kryejë shkollën e mesme. Ka marrë pjesë në demonstratat që janë mbajtur në Shtime, Ferizaj, Prishtinë, në përkrahje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në pranverë të vitit 1998, kur në Zonën e Neredimës ishin parë për herë të parë luftëtarët e lirisë me emblemë dhe uniformë të UÇK-së, Enver Rashiti kishte kontaktuar luftëtarin e radhëve të para të luftës, Isak Musliu dhe kishte kërkuar të kyçej në luftë për çlirimin e vendit. Duke qenë se nuk kishte armë të mjaftueshme, i shtyhet për një kohë inkuadrimi në luftën çlirimtare. Mirëpo  Enveri ishte shumë këmbëngulës për të luftuar kundër pushtuesve serbë dhe  nuk i humb shpresat. Ndërkohë, nga Gjermania në Kosovë, në radhën e luftëtarëve të UÇK-së kishte arritur edhe vëllai i Enverit, Isaku, i njohur me nofkën “Plaku”. Dëshira e zjarrtë e Enverit për t iu bashkuar luftës, i plotësohet në tetor të vitit 1998, kur pranohet në radhët e luftës çlirimtare, fillimisht në fshatin Luzhak e pastaj në Kompaninë e Rancës, të cilën e komandonte Isak Musliu. Pika e Rancës shërbente si pikë lidhjeje mes Zonës Operative të Drenicës e Pashtrikut, me qëllim për zgjerimin e zonës së Neredimes  dhe vajtje ardhjen e vullnetarëve nga kjo anë që shkonin për armatim në Shqipëri.

Me rastin e krijimit të Zonës Operative të Neredimës, në vjeshtën e vitit 1998, në kohën kur ishte krijuar Kompania e Reçakut, Enver Rashitin e sistemon  në këtë kompani ku ka dhënë kontributin e tij çlirimtar  për disa muaj. Atëbotë i caktohet detyra e korrierit ndërlidhës të luftës, meqë zona malore nuk mbulohej dot me radiolidhje. Detyrën e korrierit të luftës e ka kryer me përgjegjësi dhe korrektësi.

Ai disa muaj para se të inkuadrohej në UÇK, ishte martuar me Nakie Hajrushin nga fshati Topillë. Asokohe familja e tij ndodhej në Reçak. Tri ditë para fillimit të luftimeve në Reçak, i kishte lindur bija, të cilën e kishin përgëzuar me emrin, Blerinë.

15 janari i acartë i vitit 1999, Enver Rashitin e gjen në pozicione të luftës, në kohën kur forcat ushtarake dhe policore serbe ishin afruar te pikat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sapo kishin filluar luftimet, ende pa zbardhur mirë drita, Enver Rashiti ndodhej në vendin e quajtur “Zabeli i Sherifit”, ku edhe bie dëshmor. Ndërkohë, qindra policë dhe ushtarë serbë kishin depërtuar te një pjesë e popullatës civile dhe në mënyrën më barbare kishin vrarë e masakruar 42 pjesëtarë të popullatës civile, që nuk kishin arritur të largoheshin nga fshati, meqë serbët kishin filluar goditjen në një rreze të gjerë të veprimit, me qëllim për të penguar largimin nga fshati.

Më 18 janar trupat e dëshmorëve, në mesin e tyre edhe trupi i dëshmorit Enver Rashiti, varroset në fshatin Legjendas, Ish Mallapolc. (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …