Dëshmori i kombit, Enver Musa, rrjedh prej një familje patriotike të Shalës së Bajgorës. Babagjyshi i tij, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk u pajtua me regjimin e instaluar jugosllav. Gjatë luftës ishte pjesëtar i forcave nacionaliste dhe nuk pranoi mbetjen nën robërinë serbe të popullit shqiptar. Edhe babai i dëshmorit, Istrefi, asnjëherë nuk u pajtua me regjimin sllav dhe iu kundërvu disa herë regjimit. Ai, që nga viti 1968 e deri në luftën e UÇK-së, ishte veprimtar i palodhshëm i çështjes patriotike. Ai haptazi përkrahu demonstratat e studentëve të vitin 1981 e po ashtu përkrahje të parezervë i dha edhe UÇK-së. Edhe vëllezërit e tij dalloheshin në rrugën patriotike, të cilët asnjëherë nuk u pajtuan me regjimin dhe për këtë u shkolluan me shumë vështirësi dhe sakrifica. Nga viti 1981 ata u ftuan shumë herë në biseda informative, u maltretuan e u rrahën. Kontributi i tyre për çështjen kombëtare ishte i madh si me aktivitet konkret ashtu edhe materialisht.
Enver Musa u lind më 17 maj 1971 në Krasniqe të Epërme ish- Dumnicë e Epërme të Vushtrrisë. Kjo familje atdhetare në vitin 1958 kishte zbritur nga bjeshkët e larta të Bajgorës së trimërisë e të historisë sonë kombëtare.
Babai, Istrefi dhe nëna, Hata, patën dhjetë fëmijë: Rahimen, Haradinin, Ukshinin, Remzijen, Gjylën, Enverin, Senverin, Muhametin, Sefedinin dhe Bekimin.
Enveri mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën fillore “Bajram Curri”, ndërkaq shkollën e esme “Muharrem Bekteshi” e kreu në Vushtrri. Si nxënës dallohej me frymëzimin e tij kombëtar. Kishte shpirt të pastër revolucionar që nuk pajtohej dot me robërinë e popullit. Këto virtyte atdhetare i kishte fituar qysh në fëmijëri, atëherë kur në odën e kësaj familje temë bisede, shpesh ishin heronjtë e kombit dhe trimëritë e tyre.
Dëshmori i kombit Enver Musa e kishte hobi muzikën popullore. Këngët atdhetare për historinë kombëtare i gërshetoi me mësimet shkollore, frymëzim që te ai brumosi idealet e lirisë kombëtare.
Dy vëllezërit e dëshmorit ishin në punë të përkohshme në Gjermani dhe atij ia kishin siguruar vizën, që edhe ai të shkojë atje. Enveri nuk pranoi që të shkojë jashtë vendit, sepse ishte betuar që, me gjithë forcën, të luftojë për lirinë e vendit dhe që nga këtu ta shporrë okupatorin shekullor. “Nuk mund të vij atje, – u kishte thënë një ditë ai vëllezërve të tij. Dua të qëndroj këtu. Armiqtë kërkojnë që ne të ikim nga vatrat stërgjyshore, unë këtë nuk do ta bëjë kurrë”.
Enveri kishte vendosur që bashkë me bashkëshorten Sabahaten dhe me dy vajzat, Blertën e Besartën, të qëndronte në vendlindje.
Në prill të vitit 1998, në punktin famëkeq të Nadakofcit, afër Vushtrrisë konfrontohet me policinë serbe, pasi ata e kishin ndaluar në rrugë. Pikërisht atë ditë edhe qe betuar se për së gjalli, dorë e shkjaut nuk do ta prekte më.
Ai kaherë ishte në rrjedhat e lëvizjes ilegale. Në vitin 1995-1996 kishte qëndruar në Shqipëri, ku kishte marrë mësime për rrugën e mëtejme që duhej vazhduar, bashkë me shokët e tjerë për çlirimin e
vendit.
Në qershor të vitit 1998, dëshmori Enver Musa shkoi në bjeshkët e Shalës së Bajgorës, pikërisht në fshatin Zabërgjë ku ishin mbledhur djemtë e Shalës, për t’u përgatitur për luftën çlirimtare e cila pritej të shpërthejë në çdo çast edhe në këto anë. Pas vendosjes këtu ai ishte shumë i kënaqur sepse aspirata e tij çlirimtare po bëhej realitet.
Enveri mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në Zonën Operative të Salës. Gjendej kudo aty ku e kërkonte nevoja dhe ku kërciste pushka e lirisë.
Më 4 korrik 1998, në fshatin Ceceli, nën udhëheqjen e Gani Imerit, formohet Batalioni “Rexhep Musa”. Enveri ishte ndër të parët që u radhit në këtë njësi ushtarake dhe që nga fillimi u dallua, si për disiplinë të lartë ushtarake, maturi dhe trimëri mahnitëse. Që nga ajo kohë, Enveri nuk ndaloi për asnjë çast së vepruari, ishte i palodhur e gjendej kudo, nga beteja në betejë, nga fronti në front.
Me kalimin e kohës shtoheshin edhe aksionet luftarake, ngase shtoheshin edhe ofensivat e armikut dhe numri i luftëtarëve të lirisë shtohej përditë e më shumë.
Që nga formimi i njësisë speciale të Brigadës 141 “Mehë Uka”, e komanduar nga Shemsi Ahmeti, ku bënte pjesë edhe Enver Musa, ai barti barrën kryesore të luftës në Zonën Operative të Shalës, deri në çlirimin e vendit.
Në kuadër të kësaj njësie qenë sistemuar ushtarët më të përkushtuar, më të shkathtë, më të aftë dhe më të zotët. Në këtë njësit përpos Enver Musës, bënin pjesë edhe Sabri Haziri, Arsim Muzaqi, Faruk Beqiri, Shemsi Ahmeti, Eset Ibishi, Mustafë Ibishi, Smajl Istrefi, Musli Musa, Miftar Kurti, Bahri Istrefi, Shefqet Istrefi, Bastri Fazliu, Haki Istrefi, Bajram Peci etj. Duke parë trimërinë, shkathtësinë dhe shembullin luftarak në luftë kundër armikut, Enverin shokët e thërrisnin me emrin “Divi” që njëherësh i mbeti edhe si emër i luftës.
Bashkëluftëtarë të pandarë kishte: Faruk Beqirin, Arsim Muzaqin, Shemsi Istrefin, Rrustem Hysenin, Shemsi Ahmetin. Ata ishin kudo ku paraqitej nevoja për ta luftuar armikun që bënte përpjekje për të depërtuar te pozicionet e UÇK-së. Enveri me bashkëluftëtarët depërtonin nga një vend në tjetrin, prej Kutllovci në Trepçë, Melenicë, Rahovë, Pantinë, Ashlan e gjetkë. Çdo herë shprehte gatishmëri që vullnetarisht të shkonte nga një vend në tjetrin, kudo ku bëhej luftë. Përleshjet e shpeshta me forcat okupatore e bënë edhe më të fuqishëm dhe më trim. Enveri bashkë me shokë, nga shumë beteja u kthye fitimtar, si në rastin e Shipolit kur pizgauerin serb e përpiu flaka. Ai shkëlqeu edhe në sulmin kundër forcave serbe më 6 prill 1998, në Rahovë, e në beteja të tjera.
Kur forcat serbe në mars të vitit 1999 kishin marrë urdhrin që me çdo kusht të depërtojnë në majat më të larta të Shalës, me ditë të tëra u zhvilluan luftime të pareshtura në mes të UÇK-së dhe forcave okupatore. Kështu që betejë pas beteje, për 43 ditë u zhvilluan luftime. U shkruan faqe të shumta heroizmi dhe mbijetesë e pashoqe e luftëtarëve të lirisë. Erdhi edhe 26 prilli i vitit 1999, në kohën kur te Shkëmbi i Majdanit rridhte gjaku i luftëtarëve të lirisë. Enveri me bashkëluftëtarët qe betuar se nuk do të kthehet prapa pa trupin e komandantit Shemsi Ahmeti, i cili ishte plagosur dhe nëpër flakë baroti e tërohqi atë. Lufta vazhdoi edhe në orët e vona të natës, kurse të nesërmen, më 27 prill, në këtë betejë të ashpër, Enveri bashkë me shokun e tij të pandarë, Shemsi Istrefi, përjetësohet në Altarin e lirisë. Ata ranë duke mbrojtur popullatën derisa ajo u tërhoq, që të mos bie në duart e gjakatarëve serbë. Kaluan shtatë muaj prej çastit të rënies dhe trupi i dëshmorit nuk gjendej, derisa në nëntor të vitit 1999 zbulohet varri masiv në Suhadoll të Mitrovicës. Në mesin e trupave të shumë shqiptarëve të tjerë, aty u gjenden edhe trupat e gjashtë dëshmorëve të kombit, në mesin e tyre edhe trupi i dëshmorit Enver Musa.
Më 3 dhjetor 1999, dëshmori Enver Musa u rivarros me nderime të larta ushtarake, në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë.
Babi i tij, Istrefi, e kujton të birin dëshmor, kur së bashku me të kishte marrë pjesë në varrimin e Dëshmorëve të Qyqavicës në Likoshan. Asokohe i kishte thënë babait se vetëm pushka do t’i japë përgjigjen e merituar pushtuesit serb.
Për shëmbëlltyrën dhe heroizmin e dëshmorit të kombit sot me admirim flasin edhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët patën fatin që të jenë bashkërisht në frontet e luftës me Enver Musën. Për heroizmin e dëshmorit të kombit flet edhe ish-komandanti i UÇK-së, i Zonës Operative të Shalës, Rrahman Rama, i cili duke kujtuar dëshmorin thotë: “Të gjithë eprorët dhe ushtarët e Brigadës “Mehë Uka” dhe të ZOSH me nderim respekt e pietet e kujtojnë Enver Musën-DIVIN si njëri ndër luftëtarët më trima e më besnikë. Ai me veprën e tij dhe rënien heroike na nderoi ne shokëve, familjen dhe atdheun”. Ngjashëm flasin edhe shokët e tjerë të luftës si: Bajram Peci, Miftar Kurti, Bajram Beqiri, Shefqet Kurti, Haki Istrefi, Bahri Hyseni, Mustafë Ibishi, Sabri Haziri, Bastri Fazliu, Smajl Istrefi, Eset Ibishi, Sejdi Ibishi etj. Të gjithë këta flasin për dhjetëra beteja në të cilat e kanë parë guximin dhe shkathtësinë e Divit në luftë kundër armikut. Po ashtu, ata tregojnë se edhe me rastin e zënies robë të tetë ushtarëve të ushtrisë jugosllave, më 8 janar 1999, Enveri si gjithnjë ishte i pari në këtë aksion dhe në gjendje gatishmërie në çdo kohë më pas, kur për lirimin e tyre kërcënohej armata dhe policia jugosllave.
Përveç obligimeve ushtarake si pjesëtar i UÇK-së, Enveri shpeshherë këndonte këngë trimërie me zërin e tij melodik. Këndonte për Legjendarin Adem Jashari, për Isa Boletinin, këngë për Shalën heroike dhe për shumë trima të kësaj ane.
Në fshatin Bajgorë të Shalës është ngritur pllaka e përbashkët përkujtimore për dëshmorët e kësaj ane. Familjes së dëshmorit Enver Istref Musa i ka dhënë Mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …