RKL: Fushata kundër vlerave të UÇK-së vazhdon, por ata që bashkuan armët për çlirimin e Kosovës, “prej luftës nuk largohen...” I

“Epopeja e UÇK-së”, sagë shqiptare e sakrificës dhe ngadhënjimit

Sot për të 17-tën herë me radhë përkujtohet “Epopeja e UÇK-së”, epopeja ndër më të rëndësishmet të kombit shqiptar në përgjithësi.  Përvjetori i parë i kësaj historie të qëndresës dhe sakrificës  është përkujtuar në kohë të luftës, pikërisht më 5 mars të vitit 1999, në Drenicë, ku kanë marrë pjesë shumë nga bashkëluftëtarët e Legjendarit, familjarë të tij dhe bija e Legjendarit, Shqipe Jashari. Pastaj nga viti në vit, 5.6 dhe 7 marsi kanë hyrë në kalendarin kombëtar si data, ndër më të rëndësishmet edhe në historinë e kombit. Andaj, vit për vit përkujtohen të rënët dhe komandanti i tyre, përkujtohen Jasharët e Prekazit të Ulët të Drenicës dhe të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe ata të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, sepse të gjithë ata, në zemër e shpirt kishin pranuar për Komandant, Adem Shaban Jasharin, legjendën bashkëkohore të trimërisë shqiptare, Anteun e kohës sonë.

Drenica gjatë shekujve ka bartur mbi supe barrën e rëndë të robërisë, por edhe i ka përballuar me sukses çdo sundimi të huaj, sepse në të gjitha kohët, sidomos prej Mesjetës e deri në ditët tona, kjo trevë spartane e Shqipërisë nuk ka pranuar  asnjë pushtues, ndërsa banorët e kësaj ane të Kosovës, në vazhdimësi kanë treguar gatishmëri për mobilizim, luftë e sakrificë, për të mirën e përgjithshme.

Sot në 18-vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, Kosova nuk është e tillë sikur e kishte paramenduar e dëshiruar, Adem Jashari me  trimat e trimëreshat e tij. Sot Kosova ndodhet e rrezikuar, si asnjëherë më parë  nga Serbia dhe qarqet antishqiptare, kudo në botë. Ky rrezik permanent ka bërë që edhe krerët politikë të Kosovës të barrikadohen në dy taborë, sepse dikush ka lejuar, që nga viti në vit të goditen dhe të demonizohen vlerat e luftës së UÇK-së dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar. Presioni i fortë ndërkombëtar ka bërë që një pjesë e klasës së sotme politike, me qëllim për të ruajtur pushtetin dhe favoret të bëjë lëshime të njëpasnjëshme në dëm të Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Kjo ka nxitur reagimin e të gjithë atyre që me të drejtë mendojnë se marrëveshjet me Serbinë, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, jo vetëm që janë të dëmshme por rrezikojnë edhe të ardhmen e lirisë dhe Shtetit.

Andaj sot, 18 vjet pas rënies së Legjendarit, Adem Jashari, duhet të reflektojmë duke përkujtuar gjakun e derdhur për liri, duke përkujtuar mijëra dëshmorë, dhjetëra mijëra martirë, mijëra të tjerë, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur, mijëra invalidë, mijëra fëmijë të mitur të vrarë e të masakruar, mijëra femra  të dhunuara nga barbaroidët serbë Duhet të përkujtojmë të masakruarit mizorisht nga regjimi fashist  serb, anë e kënd vendit. Duhet të përkujtojmë dhe të bindemi një herë e mirë se pa luftën e UÇK-së, pa mobilizimin gjithë-popullor dhe pa përkrahjen, që kësaj lufte i dhanë forcat demokratike përparimtare të botës, nuk do të kishim liri, as pavarësi, republikë as kushtetutë, për të cilat kemi derdhur mund, kemi mbajtur shekuj të tërë nën pranga,  nëpër burgjet e kazamatet e Jugosllavisë, kemi derdhur gjak dhe si pasojë jemi katandisur në shumë shtete të botës.

Duke sjellë në kujtesë qëndresën heroike e titanike të Jasharëve, në Prekaz, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, në krye me Komandantin e UÇK-së, Adem Jashari, duke sjellë në kujtesë qëndresën heroike të Haradinajve dhe luftëtarëve të Dukagjinit, në Gllogjan të Deçanit, luftën dhe rënien heroike të heroit,  Zahir Pajaziti, heroizmin e më shumë se dy mijë dëshmorëve nga Kosova, Shqipëria, e trevat e tjera shqiptare, madje edhe të vullnetarëve nga disa shtete të Evropës, “Epopeja e UÇK-së ” merr përmasat e veta reale, historike dhe qëndron në mendjet e shpirtin e çdo shqiptari liridashës, kudo të jetë ai, në Kosovë, në trojet tona ende të pa bashkuara, apo në mërgatë.

Sakrifica e sa e sa brezave për liri, nuk guxon të merret nëpër këmbë nga askush, për kurrë farë hiri, aq më pak për hir të pajtimit me Serbinë, për hir të BE-së, apo të atyre që i quajmë miq ndërkombëtarë dhe që na porosisin që të kaluarën ta lëmë prapa. Lirinë, nuk na dhuroi askush. Është fakt i pamohueshëm se NATO-ja, na ndihmoi duke goditur makinerinë serbe të krimit, të cilën e kishte ndëshkuar edhe për krimet që kishte kryer disa vjet më parë në Slloveni, Kroaci,  Bosnje e Hercegovinë dhe për mospërfillje të rezolutave të OKB-së.

Lirinë e fituam me gjak e sakrifica të shumta, të njëpasnjëshme, pas afër një shekulli robëri serbe e sllave dhe luftë  të pandërprerë për ekzistencë e mbijetesë.

Lirinë e pavarësinë duhet t’ i ruajmë për çdo orë e ditë, për çdo muaj e vit, duhet ta ruajmë përgjithmonë, nëse kërkohet nevoja edhe me sakrifica fizike sikur ka bërë legjendari, Adem Jashari, jasharët dhe dëshmorët e UÇK-së, të cilët po i përkujtojmë sot. Liria e sakrifica janë gjaku ynë që nuk falen, nuk mund të falen me asnjë çmim, me asnjë marrëveshje dhe për hir të askujt në botë.

Ahmet Qeriqi

5.3. 2016

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …