Kryetari i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, është cituar të ketë deklaruar se bisedimet midis negociatorëve rusë dhe ukrainas, që po mbahen sot në Stamboll, mund të hapin rrugë për takimin e liderëve të Ukrainës dhe Rusisë. Në një adresim para negociatorëve, Erdogan tha se është koha që bisedimet të japin rezultate konkrete dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke shtuar se “ndalja e kësaj tragjedie” varet nga të dy palët. Erdogan tha se sikur kryetari ukrainas, Volodymyr Zelensky, ashtu edhe ai rus, Vladimir Putin, janë miq të çmuar të tij. Ukraina dhe Rusia kanë “shqetësime legjitime”, por tani ka ardhur koha që bisedimet të japin rezultate konkrete. Në një moment kaq kritik, ne jemi të kënaqur që t’iu mirëpresim dhe të kontribuojmë në përpjekjet e juaja për të vendosur paqe”, tha ai. “Shpresoj që takimi ynë dhe diskutimet tona të shkojnë në favor të shteteve tuaja, të rajonit tonë dhe të gjithë njerëzimit”, u shpreh Erdogan. Ky është takimi i dytë që mbahet në Turqi, pasi në fillim të marsit, kryediplomatët ukrainas dhe rusë u takuan në Antalia, por takimi i tyre përfundoi pa ndonjë rezultat konkret. Palët kanë mbajtur edhe takime në Bjellorusi dhe përmes platformave online, takime që kanë për qëllim t’i japin fund pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, që nisi më 24 shkurt. (ReL)
Kontrolloni gjithashtu
Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025
Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …