Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj, në Shëngjergj, ku pati një takim me banorët e këtij lokaliteti ka deklaruar se koalicioni i Berishës dhe Metës nuk ka as vulë, as emër, sepse kanë frikë se demokratët e vërtetë nuk i votojnë. Ai bëri edhe disa pyetje lidhur me shpenzimet e koalicionit për hapjen e fushatës dje në stadiumin Arena Kombëtare. “E patë te stadiumi? 100 mijë euro miting për të dëgjuar njëri-tjetrin, ndërkohë që Berisha tërë kohën flet për varfëri. Për një parti politike, e cila nuk merr as lekë nga KQZ-ja, pyetja është: Nga vijnë lekët?Jo vetëm që u ka humbur vula, por te ai koalicion nuk dinë as cilin emër të vënë, se kanë turp. Po të vënë emrin e Ilir Metës mërziten demokratët, se thonë: ‘Si do votoj unë për Ilir Metën?’. Po të vënë emrin e Sali Berishës, ai është non-grata, nuk mund ta vënë në fletën e votimit. Mirë që u ka humbur vula, por tani u ka humbur edhe emri. Ata janë pa emër dhe pa vulë. Këta janë njerëz që kanë turp nga emri i tyre, u shpreh Veliaj, duke ironizuar edhe pjesëmarrjen e ulët në stadium. Imagjino, jo vetëm që nuk i ndjek më shumica e popullit, por edhe shumica e militantëve e kishte zbrazur stadiumin pa folur Saliu dhe Iliri.
