Ermira Babamusta dhe Diane Gold: Kosova, Imazhi i Ri i Europës Moderne

Kosova u prezantua si imazhi i ri i Europës moderne gjatë Konferencës Globale të Tregtisë që u zhvillua në Çikago, Sh.B.A. Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga u prezantua si gruaja e parë zgjedhur në postin e Presidentes në Kosovë, kreu i parë i shtetit që është femër në Ballkan, dhe gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë si kryetare shteti.

Me 12 nëntor 2015 qyteti i Çikagos mirëpriti delegacionin shqiptar nga Kosova dhe Maqedonia në Konferencën Globale për Tregti dhe Investim. Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga udhëtoi me delegacionin zyrtar, Znj. Hykmete Bajrami, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Z. Arben Limani, Drejtor i Sekretarisë Ekzekutive të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Znj. Vlora Çitaku, Ambasadore e Kosovës në Sh.B.A., etj. Në konferencë mori pjesë edhe prefekti i Struges z. Ziadin Sela dhe z. Nebi Hoxha, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, i shoqëruar nga biznesmenët Kasem Zendeli dhe Mendi Qyra.

Për organizimin e kësaj konference kreator ishin z. Mamut Skënderi dhe z. Skënder Karaçica të shoqatës SHSHA, me përkrahje nga z. Kujtim Dobruna, Këshilltar për çështje ekonomike të Presidentes së Republikës së Kosovës. Kontribut të madh për pritjen e delegacionit dha Shoqata e Grave me krye Lirie Mehmeti, Ariana Jaupi, Hyrije Ismaili dhe të tjerë. 

Konferenca ekonomike zhvilluar në Illinois pati titullin “Mundësitë Botërore për Kosovën: Sinergji me Izraelin & Illlinois”. Konferenca u mbajt tek firma juridike McGuireWoods dhe pati në fokus lidhjet tregtare shumëpalëshe midis Kosovës, Illinois dhe Izraelit. Dhoma Tregtare Amerikë-Izrael (AICC) organizoi konferencën nën drejtimin e z. Daniel Shure, ish-Presidenti i AICC, në partneritet me SHSHA (Rrjeti i Biznesmenëve, Intelektualëve dhe Aktivistëve), Shoqata e Grave Shqiptaro-Amerikane në Çikago dhe kompania McGuireWoods LLP.

 

Presidentja e Nderuara Znj. Atifete Jahjaga hapi konferencën me një fjalim ku theksoi zhvillimet në Kosovë: “Përgjatë këtyre viteve, Kosova ka hartuar ligje të cilat janë në përputhje me standardet më të mira të BE-së dhe të cilat lehtësojnë zhvillim ekonomik në kushtet e ekonomisë së tregut. Legjislacioni ynë siguron trajtim kombëtar dhe mbrojtje ligjore të investitorëve të huaj, ndalon diskriminimin e tyre dhe i mbron nga shpronësimi. Ne kemi adoptuar euron si valutë lokale dhe rrjedhimisht vendi ynë nuk përballet me ndonjë rrezik nga menaxhimi i valutës apo i kursit të këmbimit. Në vijë të njëjtë, euro ka forcuar stabilitetin tonë makroekonomik, dhe inflacioni vazhdon të përcjellë nivelin e Eurozonës.Tregu ynë i punës është shumë kompetitiv, ligji i punës është miqësor ndaj bizneseve dhe kostoja operacionale është më e ulëta në regjion.”

 

“Është vizion i yni që ta forcojmë bashkëpunimin me botën, posaçërisht me miqtë tanë si SHBA-të dhe Izraeli, në mënyrë që ti zhvillojmë ekonomitë tona dhe t’i lirojmë kapacitetet tona të mëdha për zhvillim dhe inovim.”

“Për këtë qëllim, kam sjellë me vete një numër të ndërmarrësve nga sektori i teknologjisë informative dhe komunikimit të Kosovës, sepse dëshirojmë të dedikojmë një pjesë të madhe të angazhimeve tona në themelimin e një bashkëpunimi primar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”

 

 

 

Fjalimi i Presidentes Jahjaga u vijua nga biseda me panelet e ftuara rreth investimeve në Kosovë, si të bësh biznes në Çikago dhe Illinois, dhe sinergjitë me Izraelin. Konferenca e nivelit të lartë kishte të pranishëm mbi 100 kompani dhe investitorë amerikanë, të cilët prezantuan projektet e tyre dhe mësuan si të investojnë në Kosovë.

Pas konferencës së mëngjesit, delegacioni vizitoi inkubatorin teknik të Çikagos “1871”, një qendër e kompanive digjitale.  

 

Zëvëndës Kryetari i Bashkisë të Çikagos z. Steve Koch u takua me Ministren Bajrami, stafin e saj dhe z. Shure.

Dita përfundoi me një darkë private organizuar nga Shoqata e Grave Shqiptaro-Amerikane në Çikago në restorantin “Tutto Italiano”, nën manaxhim të z. Val Dervishi. Znj. Lumturije Asanoski, Zv. Presidentja e Shoqatës së Grave Shqiptaro-Amerikane tha: “Kjo konferencë krijoi një platformë për Kosovën për të treguar mundësitë për investime komunitetit shqiptar dhe kosovar këtu në Amerikë.”

 “Darka ishte një sukses i madh. Ishte thelbësore për komunitetin tonë të biznesit, gratë shqiptare dhe kosovare me krenari të prezantojnë dhe mikpresin presidenten e parë femër të Balkanit të sotëm.”

 

“Si avokate dhe përkrahëse e të drejtave të grave, u ndjeva e priviligjuar dhe krenare të flas tek darka përpara Zonjës Presidente Jahjaga. Ajo është mishërimi i një gruaje të suksesshme. Me të vërtetë më inspiron.”

Kur u pyet për përfshirjen e Dhomës Tregtare Amerikë-Izrael, z. Michael Schmitt, Drejtori Ekzekutiv, shpjegoi: “Misioni i Odës është të lehtësojë dhe rriti tregtinë dypalëshe midis Sh.B.A.së dhe Izraelit. Ne po e përmbushim misionin tonë duke ndihmuar në ndërtimin e sistemit tregtar shumëpalësh midis Kosovës, Sh.B.A.së dhe Izraelit.”

Z. Shure shtoi: “Shqiptarët kanë shumë të përbashkëta me Hebrenjtë dhe Izraelin. Që nga vitet e shtypjes, një diasporë e madhe, Kosova dhe Izraeli si shtete të reja kanë përvoja të përbashkëta që na afrojnë më shumë. Ne shpresojmë të përdorim eksperiencën e ndërtimit të ekonomisë së Izraelit që nga pavarësia, për të ndihmuar dhe ndërtuar ekonominë e Kosovës, dhe për të shtuar tregtinë shumëpalëshe me Amerikën, Kosovën dhe Izraelin.”

 

“Konferenca ishte një sukses i madh urëlidhëse për dialog të mëtejshëm. Shërbeu gjithashtu si prezantim i Kosovarëve tek Amerikanët, duke e pozicionuar Kosovën si “imazhi i ri i Europës moderne”, tha znj. Diane Gold, Konsulente e Lidhjeve Mediatike të AICC.

 

Z. Daniel Shure tha që si rrjedhojë e konferencës u krijua një interes i madh nga amerikanët për mundësi investimi në Kosovë. Z. Shure planifikon të organizojë një mision biznesi për investitorët vitin që vjen.

“Cikago vërtet i hapi dyert për ekonominë dhe politikat e investimeve nga Amerika dhe Israeli për Kosovën. Konferenca Ekonomike për Kosovën në Chicago, promovoi një nga shtyllat kryesore të shtetndërtimit të Kosovës në rrafshin e zhvillimit ekonomik dhe të shfrytëzimit të resurseve të pasura për kahet e reja të participimit të vlerave kombëtare shqiptare me SHBA dhe me BE. SHSHA-ja është në kontakt të përhershëm me OEAI-së në Chicago që në një të ardhme të afërt, të shkoj nje delegacion ekonomik për investime të mundshme në Kosovë,” tha z. Skënder Karaçica, Drejtor i SHSHA-së.

“Mendoj se konferenca e investimeve ishte një hap i rëndësishëm për të sjellë stabilitet dhe prosperitet në një pjesë të botës që ka shumë nevojë. Është e gjëja e duhur nga aspekti humanitar,” tha z. Robert Higdon Jr., partner tek firma juridke Williams Mullen, dhe ish-Prokuror Federal tek Departamenti Amerikan i Drejtësisë. “Dua t’i shikoj kosovarët, që kam arritur t’i dua, të jenë mirë dhe të kenë sukses. Besoj se tre shtetet tona, Amerika, Izraeli dhe Kosova, dhe shtete te tjera në botë që duan lirinë, kanë një interes të përbashkët të inkurajojnë zhvillimin ekonomik të një Kosove të lirë dhe të fortë. Jam shumë i lumtur të punoj me një numër biznesmenë dhe investitorë që kanë të njëjtat pikëpamje dhe që duan të shikojnë sukses për popullin e Kosovës sa më shpejt,” shtoi z. Higdon.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …