Ermira Babamusta: Intervista me bashkë-autorin e librit "Fshati i Vrarë", Qemajl Krasniqi

Ermira Babamusta: Intervista me bashkë-autorin e librit “Fshati i Vrarë”, Qemajl Krasniqi

Për çfarë bën fjalë libri?

 

Qemajl Krasniqi: Në libër janë përfshirë pesëdhjetë e një dëshmi të personave që kanë përjetuar tmerre të papërshkrueshme më 25 dhe 26 mars 1999 nga forcat e kombinuara serbe. Këta njerëz rrëfejnë përjetimet e tyre dhe të familjarëve të tyre, pasi që serbët i ndanë burrat nga gratë, duke i detyruar femrat dhe fëmijët që të largohen nga shtëpitë e tyre drejt Shqipërisë, ndërsa meshkujt nga 12 vjeç e sipër i mbajtën peng. Nënat, gratë, motrat dhe fëmijët e këtyre burrave pritën më kot për ditë e muaj me radhë që të mësojnë diçka për fatin e më të dashurve të tyre, por pritjet e tyre qenë të kota. Aktualisht rezultojnë të ekzekutuar në një shtëpi të vogël përdhese 112 meshkuj, gjashtëdhjetë e tetë prej të cilëve ende rezultojnë të zhdukur. Rrëfimet janë autentike të gjashtë personave të mbijetuar nga kjo masakër dhe të grave e fëmijëve që e panë me sytë e tyre këtë tmerr. 

 

Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?

 

Qemajl Kransiqi: Mesazhi i humanizmit dhe luftës për mbijetësë e përshkojnë tërë librin. Jemi përpjekur që të tërheqim vëmendjen e opinionit publik, vendor e ndërkombëtar, për të drejtën e që familjarët e Krushës së Vogël kanë për të ditur për fatin e njerëzve të tyre të vrarë e të zhdukur. Fatkeqësia qëndron në faktin se organet e hetuesisë janë marrë shumë pak me këtë ngjarje tragjike, edhe pse gjashtë njerëz kanë arritur të dalin të gjallë nga shtëpia që  i qenë vënë flakët nga serbët lokal të këtij fshati. Duket se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar ishin fokusuar më shumë në pajtimin ndërmjet palëve ndërluftuese dhe rikthimin e serbëve që kishin ikur nga aty pas këtij krimi të tmerrshëm mbi bashkëfshtarët e tyre. Konsideruam se kjo është jo humane dhe e padrejtë në raport me fatkeqësinë e krushjanëve, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të vajtojnë fatin e më të dashurve. Libri është një përpjekje për të tërhequr vëmendjen e organeve të drejtësisë dhe një kontribut për historinë dhe të vërtetën e luftës në Kosovë.

 

Çfarë strukture ka libri?

 

Qemajl  Krasniqi: Kemi renditur dëshmitë dhe rrëfimet e atyre që panë e përjetuan shumë ngjarje brenda dy-tri ditësh. Po ashtu janë përmbledhur edhe dëshmi konkrete të aktivitetit të serbëve lokal, fotografi dhe fakte të tjera që kemi mundur të gjejmë. Pra, është një libër dokumuentar me vlerë utilitare dhe historike.

 

Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?

 

Qemajl Krasniqi: Deri sa libri sot po përjeton një krizë të thellë dhe lexuesit janë orientuar drejt teknologjisë, që po zhvillohet hovshëm, krijimi i letërsisë dokumentare mendoj se i shërben kujtesës kolektive, prandaj kemi menduar se ky është një kontribut modest në këtë drejtim. Mund të duket se ky është një zhanër i lehtë i krijimtarisë, por përballja me realitetin dhe përshkrimi i përjetimeve të njerëzve, shpesh ka shkaktuar emocione të forta teksa i regjistronim bisedat. Pastaj, renditja e fakteve dhe vijimi i një kronoligjie të ngjarjeve, përbën sfidë në vete.

Cili është botimi tjetër i rradhës? Na tregoni më tepër për veprat e tjerat letrare tuajat.

Qemajl Krasniqi: Në fakt ky është libri im i parë, por edhe në këtë rast unë jam bashkautor me z. Limani. Deri më tani kam fituar tri herë konkursin letrar “Flaka e Janarit”, aktivitet ky vjetor në komunën e Rahovecit, ku unë jetoj e punoj. Kjo më ka dhënë kurajë që të provoj të shkruaj vepra më serioze. Aktualisht kam një numër të konsiderueshëm të poezive, që mbase në një të ardhme të afërt mund të shohin dritën e botimit, si dhe një roman bazuar në ngjarje të vërtetë. Nuk mund të them me saktësi se kur do të arrij ta botoj, por gjithsesi ka kohë që po merrem me këtë roman.

Njëkohësisht po punoj në një monografi për dëshmorin e kombit Nesimi Elshani, i cili konisderohet si një ndër luftëtarët më të stoik të çështjes shqiptare. Ai qe vrarë më 27 janar 1990 nga forcat serbe në fshatin Brestoc, ndërsa jeta dhe vepra e tij janë trajtuar shumë pak, krahasuar me përpjekjet e tij heroike për liri dhe bashkim. Planifikoj që libri ta shohë dritën e botimit në pranverën e viti që vjen.

 

Cili është krijimi juaj i parë dhe çfarë moshe keni patur?

 

Qemajl Krasniqi: Kam qenë në klasën e gjashtë të shkollës fillore kur e pata shkruar poezinë e parë dhe ajo poezi qe botuar në revistën letrare për fëmijë që botohej në atë kohë në Kosovë. Ky ishte momenti kur letërsia u bë fusha ime e preferuar dhe më pas i jam qasur studimit dhe leximit. 

 

Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj letrare dhe publicistikë?

 

Qemajl Krasniqi: I jam përjetë mirënjohës djalit të xhaxhait tim Islam Krasniqi, i cili më pati motivuar që të merrem me letërsi. Ai kishte qenë i burgosur politik në fund të viteve ’70 dhe më pas kishte studiuar Gjuhë dhe letërsi shqipe, por pa arritur të përfundojë studimet për shkak të etiketës “nacionalist dhe irredentist shqiptar”, që i kishin vënë komunistët e asaj kohe. Në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës ai ra dëshmor dhe ai mbetet motivi im për letërsinë. Besoj se në këtë mënyrë po e përmbush edhe një dëshirë dhe obligim moral ndaj tij.

 

Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?

 

Qemajl Krasniqi: “Martin Iden” nga Xhek London. Kam përshtypjen sikur në këtë roman janë përmbledhur të gjitha veset dhe virtytet njerëzore, ngritjet dhe rëniet e individit në shoqërinë e konsumit, ku vlerat humane llogariten me para. Personazhi i librit e sfidon realitetin dhe në fund ngadhënjen tragjikisht. Çfarë ironie?!

 

Çfarë pasione dhe qëllime të tjera keni në jetë?

 

Qemajl Krasniqi: Pasioni im mbetet libri – leximi dhe krijimtaria. Më duket se asnjëherë nuk më mjafton koha për këto dy gjëra. Më duket sikur nuk do të arrij asnjëherë të lexoj aq sa do të doja dhe aq më keq, nuk do të mund të krijoj aq sa do të dëshiroja.

 

Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?

 

Qemajl Krasniqi: Temat e preferuara për mua janë ato tema që mund t’ju shërbejnë njerëzve për të jetuar më njerëzishëm dhe më virtytshëm. Dëshiroj të merrem me tema historike dhe me personazhe realë, duke synuar t’ju rrëfejmë jetën e vështirë dhe të rrezikshme të shqiptarëve nën sllavët. Ishte një histori tragjike që po vazhdon të prodhojë pasoja negative për krejt kombin shqiptar dhe brezat e ardhshëm nuk duhet ta harrojnë të kaluarën dhe sakrificat e mëdha që shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë bërë.

 

Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?

 

Qemajl Krasniqi: Letërsia po përjeton fatin e njëjtë ashtu si edhe shumë fusha jetësore. Kemi një vërshim të letërsisë të krijuar në shpejtësi, respektivisht të portaleve informative, që nuk udhëhiqen nga parime e rregulla të njohura tradicionalisht. Njerëzit siç duket preferojnë të lexojnë libra xhepi dhe që nuk kërkojnë vëmendje të madhe për t’i kuptuar. Pra, libra të thjeshtë dhe që ndërlidhen me politikën. Kjo për faktin se shumë njerëz e shohin të ardhmen dhe rehatinë në politikë, apo dëshirojnë të përfitojnë nga politika. Megjithatë, vazhdon krijimi i veprave të mira dhe që mund të nxisin dëshirën për të lexuar e shkruar.

 

Si ka ndryshuar stili i shkrimit tuaj gjatë viteve?

 

Qemajl Krasniqi: Nuk kam shumë për të thënë në këtë pyetje, por nganjëherë ju hedh një sy krijimeve të mia të mëhershme dhe gjithnjë më duket se nuk e kam bërë gjënë e duhur. Është kjo ndiesi që më bën të jem më i kujdesshëm në synimet e mia jetësore rreth krijimtarisë letrare. Megjithatë, do të vazhdoj të provoj të shkruaj. 

 

Çfarë e bën të suksesshme një shkrimtar?

 

Qemajl Krasniqi: Ka aq shumë libra dhe shkrimtarë që i kanë rezistuar kohës dhe vazhdojnë të  jenë aktual edhe nëse veprat janë krijuar qindra vjetë më parë. Mendoj se të jesh i suksesshëm si shkrimtar nuk do të thotë vetëm të të shiten librat por edhe të mbijetojnë në kohë. Pra, janë veprat dhe shkrimtarët që konsiderohen universal dhe që njerëzit i lexojnë me ëndje edhe sot, duke marrë ende mësime të dobishme.

 

Ku mund të blihet libri, në treg, shtëpia botuese dhe linqet online?

 

Qemajl Krasniqi: Librin “Fshati i vrarë” është shtypur në numër të kufizuar dhe po e shpërndajmë falas, sepse konsiderojmë se më e rëndësishme për këtë fazë është të mësohet e vërteta për Krushën e Vogël dhe tragjedinë njerëzore. Më pas do të provojmë ta ribotojmë e pastaj të shohim, si dhe dëshirojmë që ta përkthejmë në anglisht dhe gjermanisht dhe ta hedhim në internet. Vetëm në këtë mënyrë mendoj se do ta përmbushim syninim tonë. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Art Muza”, ndërsa është shtypur në shtyprshkronjën “Xprint” në Prishtinë.

 

Na flisni më shumë që qytetin nga vini, ku jetoni tani, jetën dhe disa nga veprimtaritë e tuaja.

 

Qemajl Krasniqi: Unë jetoj në Rahovec, rajon që është i njohur për prodhime të bollshme e cilësore bujqësore. Hardhia e rrushit është kultura më e lashtë dhe mendoj se aty ku kultivohet rrushi mund të gjenden shumë njerëz me shpirt artistik dhe shumë mikrpitës. Njerëzit janë të vyeshëm dhe shumë të lidhur me tokën. E duan tokën dhe gratë, sa lënë edhe kokën. Pra, njerëzit e kësaj ane janë të dëshmuar edhe për atdhedashuri. Aktualisht punoj në administratën civile dhe merrem me çështjet e të rinjve, duke provuar të kontribuoj në pasurimin e jetës shpirtërore të të rinjve të këtij rajoni.

Ju falënderoj për shprehjen e interesimit tuaj për të mbështetur krijuesit e rinj, sepse kjo do të thotë edhe inkurajim. Ju faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …