Shkrimtarja dhe poetja nga Bajram Curri, Veneta Çallpani ka filluar të botojë në një moshë shumë të re. Në moshën 13 vjeçare boton romanin e parë “Hëna dhe Yjet dashurohen”. Tema e trajtuar i kalon kufinjtë e moshës së saj, prandaj libri pritet shumë mirë jo vetëm nga moshatarët e saj, por edhe më gjerë, duke u cilësuar si një risi në letërsinë Tropojane. Një vit më vonë bëhet anëtare e Lidhjes sëShkrimtarëve Tropojë dhe boton librin e dytë “Në heshtje…” (roman). Merr pjesë në aktivitete të ndryshme të shkrimtarëve, jo vetëm në Tropojë por edhe në Kosovë, në Malishevë, Tiranë etj. Përfaqësohet në antologjinë mbarëkombëtare me titullin “Dhimbja e kufirit” dhe në vitin 2010 boton librin “Frymëzim çasti” (prozë poetike) të pëkthyer në anglisht.
Në vitin 2011 vazhdon studimet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike,Tiranë, dega Imazheri. Në vitin 2012 bëhet pjesë e stafit të emisionit “Njerëz të humbur”.
Boton romanin “Rikthimi” në vitin 2013 dhe më pas ikën në Amerikë. Fillimisht jeton në Minnesota. Ftohet në një “Poetry night” për të ndarë me shkrimtarë pjesë nga krijimtaria e saj dhe pas këtij eventi i dhuron botimin e saj “Frymëzim çasti” librarisë së Grand Marais MN. Më pas zhvendoset në New York ku edhe jeton aktualisht.
Në vitin 2014 antarësohet në Shoqaten e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Perveç shkollës për mjeksi në New Jersey në të njëjtën kohë ajo ndjek edhe disa trajanime tek “Gotham writers” mbi “creative writing” dhe “fiction”, nga ku merr edhe certifikatat përkatëse. Për herë të parë shkruan histori të shkurter (a short story) në Anglisht “Money for nothing” (Para për asgjë). Në vitin 2016 nderohet me çmimin “Valtër Lazëri” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan për kontributin e saj.
Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?
Veneta Çallpani: Libri im më i ri është romani “Rikthimi” botuar në vitin 2013. Sapo libri u botua unë u largova për në Amerikë. Kjo ishte dhe arsyeja që nuk organizova një event promovimi.
Për çfarë bën fjalë libri?
Veneta Çallpani: Libri bën fjalë për një çështje delikate, të cilën unë e kam kthyer në diçka më të thjeshtë por duke e veshur me më shumë dashuri. Bëhet fjalë për Çamërinë. Në vitin 1912, Fuqitë e mëdha ia dhanë Greqisë këtë tokë të mrekullueshme shqiptare. Që prej asaj kohe, ndonëse ndonjëhere nuk e ka pasur vëmendjen e duhur, është diskutuar kjo çështje. Ka plot libra historik dedikuar Çamërisë, por unë nuk jam historiane dhe nuk dua të marr përgjegjësi të tilla, prandaj vendosa ta trajtoj këtë çështje në një nivel tjetër, në nivel prozatik. Kjo tërheq më shumë vëmendjen e lexuesit dhe jo vetëm që ua kujton atë kohë dhe histori,por i bën që ta shikojnë në një këndvështrim tjetër, dhe ta shijojnë leximin e librit. Ndonëse disa data dhe një përmbledhje e shkurtër e historisë së Çamërisë janë të bazuara në ngjarje të vërteta, çdo gjë tjetër është imagjinatë. Një shkrimtare nga Tropoja dhe një gazetar nga Çamëria takohen së bashku për të rikthyer jo vetëm tokën, por edhe dashurinë e munguar.
Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?
Veneta Çallpani: Mesazhi i këtij libri është dashuria të cilën unë e kam vendosur në një trekëndësh. Në kulmin e trekëndëshit kam vendosur dashurinë për shkrimin dhe artin. Kjo dashuri qëndron e lartësuar nga dy bazat e trekëndëshit: dashuria për njeriun dhe dashuria për atdheun. Ky libër u mëson njerëzve që të dashurojnë pa frikë, pa urretje, pa zili atë që është e tyre.
Çfarë strukture ka libri?
Veneta Çallpani: Libri është një roman i rrëfyer në vetën e tretë, pra nga një narrator i jashtëm. Përveç rrëfimit, detajisht përshkruhen ngjarjet, vendet dhe psikologjia e karaktereve. Përsa i përket kohës dhe hapësirës, kam luajtur pak me ato (duke përfituar nga ky privilegj që kanë shkrimtarët). Ngjarjet fillojnë në Tiranë, për të shkuar më pas në Çamëri dhe në Tropopjë. Koha ndërthuret mes të shkuares, së tashmes dhe së ardhmes. Në fakt, mbyllja e librit, është një gjetje imagjinare e imja e një të ardhmje pa një datë të caktuar, dhe për të cilën nuk jam e sigurt a do të jetë një e ardhme e afërt apo e largët.
Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?
Veneta Çallpani: Ky libër e ka zanfillën në Qafë botë, në një ndër pikat kufitare me Greqinë. Unë mora pjesë në një marshim që u mbajt në qershor, në nderim të viktimave të popullsisë Çame prej genocidit grek që u ndërmor ndaj tyre në vitin 1944. Ndër të tjerash, i madhi Mirush Kabashi interpretoi poezinë “Trendafili i Çamërisë”. Mund të them me gojën plot, se ai interpretim ishte frymëzimi im që u bë më pas zanafilla e romanit “Rikthimi”.
Nuk kam përjetuar ndonjëhere emocion më të fortë dhe për një moment gjithçka çfarë kishte ndodhur mu shfaq para syve dhe e ndjeva thellë atë dhimbje që u shoqërua më pas me lotët që pa kuptuar po puthnin faqet e mia të ndezura flakë. Ajo poezi më ktheu pas në kohë, dhe më bëri të imagjinoj e të ndjej dhimbje të përzier me dashuri, për një tokë, e cila ishte vetëm pak metra larg meje, por nuk e arrija dot. Fuqia e atyre vargjeve ngjallën tek unë një Venetë që nuk e kisha njohur më përpara. Kështu mora guximin të shkruaja romanin “Rikthimi” duke përfshirë në të edhe poezinë “Trëndafili i Çamërisë”. Nuk e ndaj dot rëndësinë apo dashurinë ndërmjet katër librave që kam botuar, por mund të them që “Rikthimi” është libri që më ka kthyer dhimbjen në forcë dhe herë pas here faqet e bllokut janë lagur nga lotët e mi. Në çdo shkronjë është një skenë e gjallë e mbushur me shumë emocione, dhe mbase në një të ardhme mund edhe të shndërrohet në një film.
Sa libra keni botuar deri tani? Na tregoni më tepër për veprat e tjera letrare tuajat.
Veneta Çallpani: Kam botuar katër libra deri tani. “Hëna dhe Yjet dashurohen” (roman) “Në heshtje..”(roman) “ Frymëzim çasti”(proza poetike) dhe “Rikthimi” (roman)
Shkruaj edhe poezi, por nuk i kam të botuara. Kam botuar edhe shkrime të tjera nëpër gazeta e faqe interneti për tema të ndryshme.
Cilin libër do të veçonit nga veprimtaria juaj?
Veneta Çallpani: Është sikur të pyesësh një nënë cilin fëmijë do më shumë…Nuk i veçoj dot, por siç e thash më lart, “Rikthimi” është romani që më ka ndyshuar, rritur, dhe më ka mbushur me shumë shumë emocione. Megjithatë kjo nuk përjashton mundësinë që veprat e mia të ardhshme të jenë akoma më të arrira dhe më të suksesshme.
Cili është krijimi juaj i parë dhe çfarë moshe keni patur?
Veneta Çallpani: Krijimi im i parë ka qënë një poezi “Kam mall” kushtuar shoqes sime të bankës e cila iku në Amerikë nga fundi i klasës së dytë. Më kujtohet fytyra e habitur e mësues së fillores kur lexoi poezinë dhe pasi e vuri në këndin e klasës e thërret mamin dhe i thotë “Kjo vajzë do të bëhet një shkrimtare e madhe”. Mami qesh, dhe duke mos e marr seriozisht e pyet se si po shkoja me mësimet. “Sose, shokët e saj akoma nuk kanë mësuar të lexojnë rrjedhsmë, e kjo shkruan poezi”. Që këtu i kishte fillimet krijimtaria ime. Që atë ditë nuk kam ndaluar së shkruari. Megjithëse librin e parë e botova 13 vjeçe, kam shkruar mbi një mijë faqe, poezi, proza, histori, të cilat sigurisht nuk i kam botuar por i ruaj akoma, sepse janë shumë të shtrenjta për mua.
Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj letrare dhe publicistikë?
Veneta Çallpani: E gjithë familja ime, por mami është jo vetëm mbështjetja ime shpirtërore, por është edhe frymëzimi im. Krijimtaria ime filloi që në moshë të vogël, dhe mami ishte ajo që më mbajti dorën në hapat e mi të parë duke më shoqëruar në çdo event, derisa erdhi momenti që fillova të eci vetë. Në moshën 20 vjeçare kur erdha në Amerikë, u ndjeva sërish fëmijë dhe herë pas herë ktheja kokën duke menduar të shikoja mamin, por ajo ishte larg. Ndonëse më mbusheshin sytë me lot, e doja të qaja, i kujtoja vetes se kishte ardhur koha ti tregoja mamit se sa të fortë dhe të kompletuar më ka bërë dashuria dhe përkrahja e saj. Pastaj jo vetëm familja ime, por të gjithë njerëzit që njoha u kthyen në mbështjetje. Ajo çfarë mban gjallë krijimtarinë time është lexuesi im dhe kjo është mbështja ime më e madhe artistike.
Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?
Veneta Çallpani: Është e vështirë për mua të them se cili libër apo autor më tërheq më shumë. Në faza të ndryshme te jetës, kërkesat e njeriut ndryshojnë po ashtu edhe pritshmëritë, prandaj edhe nuk ngopem asnjëherë së lexuari. Megjithatë mund të veçoj Ismail Kadaren dhe Petro Markon si shkrimtarë. Pastaj librat që më kanë tërhequr shumë janë “Alkimisti” i Paulo Coehlo, “After the quake” i Haruki Murakami dhe “Super brain” i autorëve Deepak Chopra dhe Rudolph Tanzi. Kur kam nevojë për qetësi dhe frymëzim gjithmonë kthehem tek Rumi (Jalal ad-Din Muhammed RUMI). Rumi është dhe do të ngelet gjithmonë udhëheqësi im shpirtëror.
Çfarë pasione dhe qëllime të tjera keni në jetë?
Veneta Çallpani: Pasione kam shumë. Më pëlqejnë gjuhët e huaja dhe më pëlqen të udhëtoj dhe të njoh vende e kultura të ndryshme. Deri tani kam studiuar dhe kam njohuri të gjuhës Frengjishte, Anglishte, Spanjishte dhe Gjermanishte. E adhuroj kërcimin, muzikën dhe këndoj gjatë gjithë kohës,sidomos spanjisht (meqë po mësoj edhe në shkollë momentalisht). Edhe ecja është pasion për mua. Eci shumë, sidomos ecjen në vjeshtë e adhuroj. Është si një lloj meditimi në vete.
Në kategorinë e pasionit mund të fus edhe shkrimet, megjithëse shkrimet për mua janë shumë më shumë se pasion. Më pelqen të takoj dhe të flas me njerëz. Shkrimtarët zakonisht njihen për “vetminë” e tyre, por për mua është ndryshe. Njerëzit që më njohin e dinë se sa energjike dhe sa shumë më pëlqen të kaloj kohë me shoqëri. Unë marr energji kur jam e rrethuar me njerëz. Prandaj e dua shumë edhe punën që bëj tani, sepse jam gjithmonë në kontatkt me pacient, me njerëz. Përsa i përket qëllimeve ato ndryshojnë me kohën. Shumë prej tyre i kam arritur, të tjerat i kam në rrugë e sipër. Pavarsisht sa edhe si këto qëllime marrin drejtim, qëllimi im kryesor nuk ndryshon asnjëhere: Të përmirësoj veten time dhe të jap më të mirën që mundem botës.
Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?
Veneta Çallpani: Çdo lloj teme, përvec politikës (duke qeshur). Në botimet e mia të para tematikat kishin të bënin me lirinë e të shprehurit, të mendimit dhe me faljen. Ishte koha kur femrat akoma duhej të ruanin “dinjitetin” dhe të fshihnin ndjenjat, të mos shprehnin mendimin e tyre sidomos nëse ato mendime nuk përputheshin me standartet e vendosura kohë më parë në shoqëri. Pastaj me prozat poetike temat janë gjithë përfshirëse, për të arritur më pas tek romani “Rikthimi” për të cilin kam folur më lart. Besoj që në të ardhmen do të shkruaj edhe për tema shkencore.
Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?
Veneta Çallpani: Mendoj se letërsia sot po kalon në një fazë xhelozie me teknoligjinë. Ndonjëherë xhelozia të tjetërson dhe kështu më duket edhe për letërsinë. Sikur po kalon në një fazë tjetërsimi por nuk mund të them akoma nëse ky tjetërsim do sjelli dicka më të mirë apo jo. Do ia lëmë kohës. Unë personalisht ndjej një lidhje te fortë me librat e “vjetër”.
Si ka ndryshuar stili i shkrimit tuaj gjatë viteve?
Veneta Çallpani: Stili i shkrimit nuk ka ndryshuar shumë. Mund të them që tematikat kanë ndryshuar.
Çfarë e bën të suksesshme një shkrimtar?
Dashuria për shkrimin dhe njerëzit. Kjo dashuri të bën shumë kërkues ndaj vetes, prandaj të mban gjithmonë zgjuar në kërkim të dickaje më shumë.
Ku mund të blihet libri, në treg, shtëpia botuese dhe linqet online?
Veneta Çallpani: Nga katër librat e botuar më kanë ngelur shumë pak kopje nga libri i tretë “Frymezim çasti”, edhe ato kopje nuk gjenden më në Shqipëri, i kam marrë në Amerikë dhe do përpiqem ta ribotoj këtë libër pasi kam pasur shumë kërkesa meqënëse është edhe i përkthyer në anglisht. Për romanin “Rikthimi”, deri para pak kohësh ka qënë i disponueshëm online, në librarinë elektronike te Filozofia Urbane. Është lexuar shumë online, por për shkak të një problemi teknik kjo faqe nuk është e arrtishme për momentin, por shume shpejt do jetë në amazon. Do ti njoftoj lexuesit e mi përmes faqes time në facebook dhe Instagram.