Klement Tinaj ka filluar turneun e tij të fushatës politike për kandidaturën e guvernatorit të Kalifornisë. Tinaj shpalli kandidaturën në prill 2017. Në San Diego Tinaj u takua me të moshuarit te Qendra “Senior Citizens of Encinitas” ku fokus ishte shëndetësia për amerikanët e Kalifornisë. Ndërsa në klinikën ushtarake “New Chico VA Outpatient Clinic” është takuar me veteranët dhe ushtarët amerikanë. “Jam shumë i kënaqur me grupet rinore dhe vullnatare që janë krijuar në Kaliforni për të mbështetur kandidaturën time. Kam një ekip të mrekullueshëm dhe së bashku po sjellim një frymë të re për rininë dhe familjet e Kalifornisë,” tha Klement Tinaj.
Platforma e Klement Tinaj përqendrohet në ekonomi dhe papunësia, sistemi i edukimit, transporti, imigracioni, shëndetësia, trafikimi njerëzor, strehimi dhe banimi, mjedisi, etj. Tinaj thotë që ai është krenar si një emigrant shqiptar i ardhur në Amerikë. Jeta e tij publike e ka angazhuar në kontribut shoqëror nëpërmjet Akademisë së tij shkollore që ka hapur dhe Fondacionit Klement Tinaj për të luftuar varfërinë.
“Dua të jem zëri dhe ndryshimi për banorët e Kalifornisë dhe prioritet kam klasën punëtore, edukimin, përmirësimin e shkollave, të transportit, të ndërtoj rezervuare ujërore dhe shkollim falas për studentët e Kalifornisë”, premton kandidati Demokrat Klement Tinaj (www.klementtinajforgovernor.com).
“Kalifornia e ka shmangur dhënien e pushtetit pakicës dhe udhëheqësve të rinj, të rinj, të cilët janë të gatshëm të ndërmarrin veprime në komunitetet tona. Unë dua të jem ai lider i ri me një vizion dhe zë të fuqishëm që do të luftojë për liri, drejtësi dhe barazi. Në të dy shkollat e mia ne kemi ndaluar diskriminimin, kemi siguruar të drejta të barabarta, kemi festuar diversitetin dhe kemi ofruar arsim cilësor në të gjitha fushat. Kjo është arsyeja që stafi im më shtyu të siguroja të njëjtën arsim cilësor në të gjitha 58 qarqet në Kaliforni dhe të siguroja të njëjtat të drejta për të gjithë Kaliforniasit,” shtoi Klement Tinaj.
Klement Tinaj po viziton vendlindjen Shqipërinë këtë muaj, para se të kthehet në Kaliforni ku do vazhdojnë turneun dhe fushatën politike deri në 2018.