I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, tha se Kosova duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen targave të makinave dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme. Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, Escobar e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës ku institucionet vendase kanë mbetur pa punonjës serbë, të cilët u tërhoqën për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, ka deklaruar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
