Për të 8-tën herë, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, u mbajt manifestimi tradicional letrar dhe kulturorë “Ora e Tahir Deskut”, që organizohet në ditëlindjen e poeti dhe reporterit të luftës, Tahir Deskut.
Në këtë manifestim letrar e kulturorë, morën pjesë poetë të shumtë nga Prishtina, Klina, Peja, Gjakova, Prizreni, Presheva, Medvegja, Istogu, diaspora, zyrtar dhe asamblistë të komunës së Klinës, si dhe familjar të Tahir Deskut.
Për jetën dhe veprën e Tahir Deskut ka folur profesor- Hajdin Morina. Ndërsa, juria profesionale në përbërje, Prend Buzhala, Hajdin Morina dhe Mikel Gojani, ndau edhe çmimin e librit më të mirë mes dy manifestimeve letrare. Kësaj radhe Çmimi “Ora e Tahir Deskut” i takoi shkrimtarit Sejdi Berisha për veprën e tij letrare ,,Në lumë bie shi” (2005), që e ndau kryetari i Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, i cili ndër të tjera theksoi se ky manifestim letrar dhe kulturor që i kushtohet Tahir Deskut do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse tashmë ka marrë karakter tradicional. “Tahir Desku ishte një intelektual me përmasa dimensionale, shkrimtar dhe luftëtarë i denjë i lirisë. Edhe ne bashkëluftëtarët e tij nuk mund t’i themi asnjëherë të gjitha për Tahir Deskun. Emri dhe vepra e tij do të mbeten në gjurmët e letërsisë sonë kombëtare.
Shkrimtari laureat i çmimit, Sejdi Berisha, me këtë rast shprehi mirënjohje për kryetarin e Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota për angazhimet dhe përkrahjen e tij që po i jep letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare.
Në pjesën e dytë të këtij manifestimi, u mbajt ora letrare, ku poezitë e tyre i lexuan shumë shkrimtarë nga Kosova dhe jashtë. Me këtë rast, juria në përbërje, Rexhep Abazi, kryetar, Idriz Berisha dhe Sherif Bllaca, anëtarë, ndan tri shpërblimet e kësaj ore. Vendi i parë i takoi Migena Arllatit, për poezinë, “Motiv monologu”; vendi i dytë, Rrahman Hisenit, “Mos më kërko!” dhe vendi i tretë Hisen Berishës për poezinë Sa shpejt ikën stinët. Ndërkaq për stimulim të krijuesve të rinj, kësaj radhe juria ndau për autoren e re, Monika Palushaj.