Në moshën 78-vjeçare ka ndërruar jetë, në Tiranë, kardiologu i njohur shqiptar, Sabit Brokaj, veteran i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç kardiolog ndër më të njohurit, intelektual ndër më të dalluarit në Shqipëri, Sabit Brokaj ka qenë edhe atdhetar i mirënjohur, përkrahës i gjithanshëm i çështjes së Kosovës, Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë, politikan me vizion dhe kurdoherë i gatshëm në mbrojtje të interesit të vendit dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi.
Sabit Brokaj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë më të re, duke qenë faktor me ndikim në Shqipërinë Socialiste, por edhe faktor i qëdresës me dinjitet, në kohën e përpjekjeve të panatyrshme për përmbysjen e Shqipërisë, sidomos në vitet 90-të me rastin e ndërrimit të dhunshëm të rendit shoqëror nga grupe dhe individë, për të cilët më vonë është bërë e ditur se kanë punuar për Beogradin, Athinën e qendra të tjera antishqiptare. Atdhetaria, trimëria dhe vendosmëria e tij për Kosovën, Shqipërinë dhe kombin në përgjithësi, është e mirënjohur dhe meriton respekt të thellë e nderim të veçantë.
Intelektual i nivelit meritor, organizator i shkëlqyer, njohës i thellë i marrëdhënieve shoqërore, sidomos i realitet që mbretëronte në Shqipëri në vitet 90-të, përkrahës i zjarrtë i çlirimit të Kosovës dhe stabilitetit të Shqipërisë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, dr. Sabit Brokaj do të zërë vend meritor në mesin e bijve më të devotshëm të Shqipërisë dhe të kombit në përgjithësi.
Një veprimtari po aq e njohur e doktor Sabitit është edhe kontributi i tij humanitar në ofrimin e ndihmës mjekësore për të sëmurët nga zemra, ku bëj pjesë edhe unë si dhe shumë shqiptarë nga Kosova, shumica dërrmuese e të cilëve nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ordinanca e doktor Sabitit, në Tiranë, përveç trajtimit me profesionalizëm dhe përkushtim më të mirë të mundshëm të sëmundjes, për shumicën dërrmuese të pacientëve nga Kosova ishte gratis, apo me një çmim simbolik.
Qëndrimi i tij i afërt me pacientët, human dhe gjithnjë buzëqeshur, elokuenca e mjekut që të shëron edhe me fjalë dhe të trimëron, mbi të gjitha profesionalizmi i nivelit më të lartë, kanë bërë që Mjeku i Zemrës, Sabit Brokaj të shërojë shumë jetë njerëzish, të këshillojë drejt dhe me profesionalizëm të veçantë shumë të tjerë dhe të mbetet mik për jetë me të gjithë.
Shembulli jetësor i doktor Sabitit, është unikat, në të gjitha segmentet e jetës ku ka punuar e ka vepruar.
Motoja e tij dhe përkushtimi jetësor ishte ndihma e solidariteti për njeriun, kontributi në çdo rast dhe në çdo rrethanë për njerëzit, shoqërinë, institucionet, atdheun.
Doktor Sabiti u nda fizikisht nga të gjithë dhe na varfëroi me mungesën e tij, por kujtimi për jetën dhe veprën humane e atdhetare nuk do të harrohet kurrë, sepse si Sabiti ka pak të tjerë.
Ahmet Qeriqi
Krojmir
13. 9. 2020
Ngushëllime familjes Brokaj, të afërmve, miqve e dashamirëve!
Respekt për jetë, njeriut të njerëzishëm, humanistit e atdhetarit, Sabit Brokaj.