leoni

Është përkujtuar 23 vjetori i Masakrës së Izbicës

Sot është përkujtuar 23 vjetori i Masakrës së Izbicës, në të cilën, më 28 mars të vitit 1999, 147 civilë shqiptarë, pleq, gra e fëmijë, u vranë dhe u masakruan, duke u regjistruar kështu si ndër masakrat më të mëdhatë që prej Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Në një manifestim të organizuar, ku kanë marrë pjesë udhëheqës të institucioneve qendrore e lokale, familjarë, bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-komandantë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe një numër i madh qytetarësh. Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, duke kujtuar emrat e të vrarëve të masakrës së Izbicës, ka përmendur Çlirimtarin 5 muajsh, i cili u vratë atë ditë dhe u varros së bashku me të vrarët tjerë në lëndinën ku sot është Kompleksi i Varrezave. “Mu kujtua edhe Çlirimtar Behrami, një emër ky me të cilin u quajtëm të gjithë kur filloi lufta në Kosovë. Por, ai nuk është vetëm një emër i përveçëm. Çlirimtari përfaqëson viktimën më të re në moshë që është varrosur në këtë lendinë. Vetëm sa kishte nisur jeta e tij, në javën e 5-të Çlirimtari vdes në këtë masakër, ngjarje kjo që nuk kishte ndodhur kurrë më parë prej mbarimit të luftës së dytë botërore në gjithë Evropën. Mese 150 civilë shqiptar, të pambrojtur dhe të paarmatosur, pleq, gra, burra e fëmijë u vranë dhe u masakruan nga forcat policore serbe”, ka thënë kryetari Nura. “Kjo ishte ajo që bënte administrata e atëhershme serbe, kur humbiste në vijat e frontit nga luftëtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hakmerrej mbi të pambrojturit duke u shfryrë me tërë urrejtjen patologjike që kishte ndaj shqiptarëve. Fundin e një lufte ku fitimtar ishte vetëm një popull – populli ynë shqiptar, e kishte nuhatur, ndërkohë që humbja kishte nisur numërimin e ditëve. Dhe si hakmarrje për humbjet në terren, regjimi kishte filluar të zbatonte planin më çnjerëzor që ka njohur historia. Ata vrisnin, masakronin dhe shkatërronin gjithçka që ishte shqiptare. Por nuk e vranë shpirtin tonë luftarak dhe ëndrrën që kishim për lirinë. Masakra e Izbicës është dhembja jonë si popull liridashës e paqësor me dashamirët. Ne vuajmë edhe nga mungesa e më të dashurve, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Më shumë se 100 persona i mungojnë komunës sonë. Ndërkohë që kemi gjithë këto halle e vuajtje, askush deri më tani nuk është gjykuar apo dënuar për gjithë këto mizori që u shkaktuan këtu. Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar të përmbush qëllimin e saj. E them duke u mbështetur në argumentin e përmendur më lart. Ne si shqiptar po e vuajmë më shumë këtë keqfunksion apo disproporcion. Çlirimtarët tanë ndodhën në Hagë, duke u gjykuar në një proces me narracion të Beogradit. Kjo më së paku quhet drejtësi! Të nderuar të pranishëm, Vlerat e shoqërisë tonë i takojnë qytetërimit të lartë evropian. Ne vazhdojmë duke mbledhur forcën në kujtimin e dëshmorëve, në flijimin e më të dashurve tanë. Të atyre që nuk kursyen asgjë nga vetja, që ne të jetojmë të lirë e të pavarur. Si liderë dhe udhëheqës, kemi për obligim moral, njerëzor e institucional, të punojnë pa u ndalur duke shterur të gjitha rrugët e mundshme, deri në zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur”, është shprehu ai. Në manifestim ka folur edhe Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili tha: “Sot, ne u përkulëm para vendit ku prehen viktimat e kësaj masakre, me dhembje dhe nderim, duke kujtuar shpirtin e tyre qëndrestar, përballë makinerisë vrastare serbe. Edhe sot, 23 vjet pas luftës, familjet e martirëve, Izbica, Skenderaj, Kosova, presin akoma drejtësi për këtë krim mizor. Drejtësinë do ta kërkojmë përjetësisht – ashtu siç përjetësisht do të jetojmë me kujtimin dhe nderimin e martirëve tanë. Lavdi, sot e përgjithmonë”. Në emër të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, foli Xhavit Jashari, kryetar i Familjeve të Dëshmorëve, kurse një historik të ngjarjes e lexoi Xhavit Aliu. Në 23 vjetorin e Masakrës së Izbicës, janë bërë homazhe te lapidari i të vrarëve që ndodhet brenda hapësirës së Kompleksit të Varrezave në Izbicë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …