Është përmbyllur me sukses edhe një edicion i Festivalit ,,Anadrinia Jehon”  

Është përmbyllur me sukses edicion i njëzetenjëtë i Festivalit ,,Anadrinia Jehon”. I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili përmes një shkrimi në facebook ndër të tjera ka thënë: Ecuria e mirë e edicionit të njëzetenjëtë të festivalit Anadrinia Jehon, dëshmoi për punën dhe përkushtimin e Këshillit Organizues, banorëve të fshatit Dejnë, strukturave të pushtetit lokal dhe pjesëmarrësve në këtë festival. Ky edicion tregoi se ky aktivitet kulturor, me karakter kombëtar, është konsoliduar tashmë dhe ka vënë themele të forta. Pjesëmarrja e njëzet e dy grupeve artistike nga vise të ndryshme shqiptare dhe nga mërgata, është dëshmi e kësaj. E veçanta e këtij edicioni ishte prania e grupit artistik  arbëresh “Gjaku i Arbërit” nga Sicilia. Pata kënaqësinë që ta pres në zyrë këtë grup të drejtuar nga Mikele Greko, shoqëruar nga nënkryetarja arbëreshe e komunës San Martino di Finita, zonjën Ilari Likursi, me të cilët shkëmbyem dhurata simbolike. Ishte shumë emocionues fakti se këta entuziastë të kulturës popullore, të cilët edhe pas gjashtëqind vjetësh ende komunikonin në shipen arkaike. Programi i tyre në skenën madhështore të festivalit Anadrinia Jehon u prit me entuizazëm dhe me duartroktije të vazhdueshme të publikut të shumtë në numër. Prandaj edhe çmimi “Mirënjohje e veçantë” për këtë grup ishte më se i merituar. Promovimi i monografisë “Jehonë Anadrinie” të autorëve Qemajl Krasniqi dhe Muharem Morina i dhanë tjetër dimension këtij festivali. Kjo monografi është një përmbledhje e punës njëzetvjeçare dhe sfidave e sukseseve të festivalit. Kritika e vlerësoi pozitivisht këtë monografi, duke potencuar faktin se në njëzet vite të funksionimit ky festival ka arritur të krijojë identitet dhe të njihet si një ndër festivalet më të vlerësuara në trojet shqiptare. Ndër vlerat që iu shtuan këtij edicioni ishte edhe përurimi i amfiteatrit të festivalit, duke siguruar kështu akomodim solid për shikuesit besnikë. Zaten këto investime komunale ndikuan në mbarëvajtjen e krejt procesit dhe në këtë mënyrë ia shtuan madhështinë e shkëlqimin. Juria profesionale e përbërë nga Haki Mulliqi (Prishtinë), Ermir Dizdari (Tiranë) dhe Jeton Pustina (Shkup), pati punë të madhe për të bërë vlerësimet e duhura, sepse prurjet artistike ishin të një niveli të kënaqshëm, duke dëshmuar seriozitetin e grupeve e artistëve pjesëmarrës. Çmimin e tretë të festivalit e mori SHKA “Agimi” nga Prizreni, çmimin e dytë e meritoi Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Bajram Curri” nga Prishtina, ndërsa me çmimin e parë u stolis Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Emin Duraku” nga Shkupi. Me çmime, mirënjohje e medalje janë nderuar edhe shumë individë e grupe pjesëmarrëse.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …