Është përuruar libri “Flakë e Pashuar” e autorit, Hajrush Kurtaj

Është përuruar libri “Flakë e Pashuar” e autorit, Hajrush Kurtaj

Sot në lokalet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, selia qendrore në Prishtinë, është përuruar  libri: FLAKË E PASHUAR i autorit, Hajrush Kurtaj, kryetar i OVL UÇK-së, në Kaçanik. Hajrush Kurtaj është vëlla i dëshmorëve, Xheladin Kurtaj  dhe Danush  Kurtaj.  Ka qenë epror i lartë i luftës së UÇK-së më vonë i TMK-së dhe tani zyrtar  i Ministrisë së FSK-së.  Libri përmban të gjitha informatat e autorit që i kishte gjatë kohës  së luftës dhe informata nga bashkëluftëtarët e tij, me të cilët kishte luftuar në pjesën e Kaçanikut.

Libri i Kurtajt është vlerësuar lart edhe nga kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Ai tha se ky libër është dëshmi dhe dokument për historinë e Kosovës. Ky është një libër i vlerave të luftës, vlera të cilat na i lanë ata trashëgim neve, dëshmorët, veteranët e invalidët, andaj vlera e këtij libri është ajo që e thotë realitetin e saj, historinë e vërtetë,  histori e shkruar nga gjaku i bijve dhe bijave më të mira. Andaj  e përgëzojmë autorin e librit dhe kjo është një dëshmi  dhe një dokument që i mbetet historisë të cilën do ta trashëgojnë brezat derisa historia shqiptare të jetë e gjallë”, tha Ilazi.

Ndërkohë kryetari i veteranëve, Hysni Gucati, tha se ky libër e ka vendin tek kjo organizatë  dhe se sipas tij selia e veteranëve të luftës është vendi i të gjithë veteranëve të UÇK-së. “Ky libër bëhet sot për herë të parë në selinë e organizatës të veteranëve të luftës aty ku e ka vendin, ky është vendi i të gjithë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo sallë do të shërbejë gjithmonë për njerëz si Hajrushi të cilët janë në gjendje të punojnë pa u lodhë për me shtyp këso libra për mos me e harru historinë tonë për mos me e harru të kaluarën tonë….”, tha Gucati.

Autori i librit “Flakë e pashuar”,  Hajrush Kurtaj falënderoi të gjithë ata që e kanë ndihmuar për të bërë këtë libër. Në veçanti Kurtaj  ka falënderuar  bashkëluftëtarët e tij, Musa Zenunin, dhe Shefket Palloshin  që e kanë  ndihmuar gjithnjë, si në luftë e po ashtu edhe në paqe. Kurtaj tha se sot për të është një ditë e veçantë pasi që ky libër po promovohet  në 18 vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Hetem Hasaj. “Jam i nderuar që sot në prezencën e juaj e promovojmë këtë libër të 94 dëshmorëve, po një ditë e veçantë sot është 18-vjetori i rënies heroike të komandantit, Hetem Hasaj…. Në veçanti e kisha veçuar bashkëluftëtarin tim Musa Zenuni që vazhdimisht si në luftë, në paqe gjithkund po edhe në kompletimin e këtyre librave ka qenë i pandashëm me mua…” tha Kurtaj. Botimi i librit është bërë nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” ndërsa është ndihmuar edhe nga shoqata të ndryshme në Kaçanik dhe më gjerë. ( Kosovapress)

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …