Ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të sotme të presidentes Vjosa Osmani, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku ajo tha se është e vetmja pjesëmarrëse në samit që i është dashur viza të shkonte në Bruksel. Ai e ka bërë përgjegjëse presidenten Osmani, kryeminsitrin Kurti dhe Shpejtim Bulliqin për mos marrjen e liberalizimit të vizave në vitet 2015-2016. Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar me presidenten Osmani, duke thënë se “gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel”. “Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit”, ka shkruar Mustafa. Ai gjithashtu ka thënë se dy bllokuesit e liberalizimit të vizave, Osmani dhe Macron u takuan sot në Bruksel.