Është zbuluar pllaka përkujtimore ku në të janë gdhendur në mermer luftëtarët, Kamer Loshi dhe Murat Loshi. Vepra dhe heroizmi i tyre u vlerësua lartë, duke e quajtur edhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme që luftuan për çlirimin e Kosovës. Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se vendi i madh, nderi dhe krenaria kombëtare i përket luftëtarit dhe guximtarit, Kamer Loshi, i cili luftoi pa u lodhur fare për ta dëbuar armikun nga vatrat stërgjyshore. Ai shtoi se vepra dhe heroizmi i treguar në atë periudhë ishte fuqi e jashtëzakonshme për mobilizimin e gjeneratave të reja për luftërat çlirimtare.
Në këtë manifestin ishte i pranishëm edhe deputeti i Kuvendit të Maqedonisë, Zijadin Sela, i cili tha se figura të tilla si Kamer Loshi dhe Murat Loshi nuk i kanë munguar kombit tonë dhe nuk do t’i mungojnë edhe në të ardhmën. Sela shtoi se tani është periudha e ndërtimit të Kosovës, derisa beson se në të ardhmen do të ndërtojnë lapidare, jo vetëm për ata që mbrojtën Kosovën, por edhe ata që ndërtuan Kosovën dhe i japin vendin e merituar në mesin e vendeve të civilizuara të botës. Nipi i Murat Loshit, Ferat Loshi, falënderoi të gjithë për këtë lapidar duke thënë se veprat e Kamer e Murat Loshit duhet t’i ruajnë me përkushtim e ndershmëri. Ndërsa profesor Bedri Tahiri foli për veprën dhe luftën e Kamer e Murat Loshit duke kujtuar heroizmin e tyre përballë ushtrisë serbe. Ai tha se për figurat e këtyre dy trimave do ta nxjerrë një libër vitin e ardhshëm.