Përfaqësuesi i organizatës Demokracia në Veprim, Eugen Cakolli, ka vlerësuar se aktualisht nuk ekziston vullnet i sinqertë nga asnjëra palë politike për të formuar institucionet paszgjedhore në Kosovë. Sipas tij, partia e parë në renditje, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po tregon interes për arritjen e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte funksionalizimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ashtu siç parashikohet me Kushtetutë. Nuk ka interes për marrëveshje politike, rrjedhimisht as për formimin e institucioneve, deklaroi Cakolli. Ai theksoi se edhe partitë opozitare nuk po japin sinjale se janë të gatshme të marrin iniciativa konkrete për të propozuar alternativën e tyre qeverisëse. Nuk janë të interesuara as për t’ia bërë numrat VV-së, por as për të tentuar vetë formimin e institucioneve, tha ai.
