Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, ka kritikuar mos efikasitetin e seancave të Kuvendit për ta zgjidhur kryetarin. Ai ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës po vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët. “Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës. Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje. Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar”, ka shkruar Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim.
