Në Kosovë dënohen edhe policët, nëse reagojnë ndaj
strukturave paralele serbe. Ky është vendimi skandaloz i Gjykatës Themelore të
Prishtinës e cila shqiptoi dënimet për 6 pjesëtarë të njësive speciale – ROSU.
Ky rast ka të bëjë me ngjarjet e 7 dhe 8 janarit të vitit 2013, kur njësitë
speciale të Policisë së Kosovës patën arrestuar 9 serbë, që të gjithë pjesëtarë
të Civilna Zashtita, formacion ky paramilitar që vepron në veri të Kosovës. Të
nesërmen, të ndaluarit ishin transportuar nga Njësia Speciale e Policisë, ROSU,
në Gjykatën për Kundërvajtje në Prishtinë. Serbët e arrestuar ishin ankuar se
janë keqtrajtuar gjatë transportimit në Gjykatë. Me këtë rast, Prokuroria e
EULEX-it, kishte gritur aktakuzë me 19 pika për keqtrajtim gjatë ushtrimit të
detyrës zyrtare apo të autorizimeve publike, sulm dhe kërcënim. Trupi gjykues i
përbërë prej dy gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe një gjyqtari vendas kanë marrë
vendimin në vijim: polici me inicialet G.K u dënua me 1 vit e gjashtë muaj
burgim; polici me inicialet S.S me dy vjet burgim me kusht; polici me inicialet
S.A me 1 vjet e gjysmë burgim me kusht; polici N.D është dënuar me 2 vjet
burgim me kusht. Poashtu është dënuar edhe polici me inicialet N.Z me 1 vit
burgim me kusht si dhe polici tjetër me inicialet I.R me 1 vit dënim me kusht. Të
gjithë të lartpërmendurit janë dënuar edhe me 2 vite të ndalimit të ushtrimit
të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. Ky dënim
skandaloz po sfidon seriozisht organet e drejtësisë dhe po favorizon hapur
strukturat paramilitare serbe. Pjesëtarët e njësive speciale kryenin vetëm
detyrat e tyre normale në funksion të rendit, ditën kur arrestuan 9 serbët e
Mbrojtjes Civile.
Kontrolloni gjithashtu
Ali Ahmeti: Kosova të formojë shpejt institucionet – shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përballen me ofensivë të rrezikshme
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa …