Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar në paraqitjet publike të ish-gjyqtarit të këtij misioni, Malcolm Simmons, duke thënë se pretendimet se EULEX-i ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës tek autoritetet në Serbi nuk janë të vërteta. Megjithatë në komunikatën e tyre zyrtare, EULEX e pranon që kanë bashkëpunuar me autoritetet e Serbisë për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës”. Përgjatë mandatit ekzekutiv të EULEX-it, Misioni është përpjekur të siguronte përgjegjësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Sidoqoftë, deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi, sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë.