KRU ”Prishtina” sh.a. njofton opinionin e gjerë publik se punimet e ndërtimit të fabrikës së përpunimit të ujit në “Shkabaj” janë duke shkuar drejt finalizimit. Fabrika e ujit në “Shkabaj” do të përfundojë në fund të muajit dhjetor 2016, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, komisionimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim, mbetet si një dy përqindësh i punëve totale, për pjesën e parë të vitit 2017.
Faza e III-të e investimeve përfshinë investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj në vlerë prej 35 milion euro. Ky projekt do i rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë 700 l/s me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 l/s të tjera. Financues të projektit janë: Komuna e Prishtinës me 5 milion euro, Komisioni Evropian me 5 milion euro, Qeveria e Republikës së Kosovës me 5 milion euro dhe KRU”Prishtina” sh.a.me 20 milion euro të siguruara nga kredia prej Bankës Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Republikës së Kosovës. Projekti përmban këto komponente: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues. Punimet në këtë fabrikë janë duke u zhvilluar me një dinamikë të madhe. Projekti ”Shkabaj” është një nga investimet më të mëdha në furnizimin me ujë të pijshëm që nga themelimi i KUR”Prishtina”sh.a., dhe se është një projekt vendimtar jo vetëm për kryeqytetin por për gjithë vendin. Me realizimin e këtij investimi, që është planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit 2016, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin, Podujevën dhe komunat tjera nën menaxhimin e KUR”Prishtina” sh.a. Gjithashtu do të ketë përmirësime të dukshme në largimin e ujërave të zeza dhe do të investohet në mbrojtjen efektive të burimeve nga ndotjet.
Ndërtimi i kësaj fabrike gjithsesi e ndihmon qytetarin që të ketë furnizim me ujë të pijshëm 24 h pa ndërprerë por, në të njejtën kohë e rritë mjaft koston e shpenzimeve operative prej mbi 1.5 milion euro. Vlen të ceket se furnizimi me ujë të pijshëm në të gjitha zonat e shërbimit përgjatë gjithë vitit 2016 ka qenë mjaft stabil, ku reduktimet e ujit kanë qenë dhe janë prezente vetëm gjatë orëve të natës, me përjashtim të punimeve teknike dhe sanimeve në rrjetin primar apo sekondar atëherë kur është e nevojshme.
KRU ”Prishtina” sh.a. dita ditës është duke i përmirësuar shërbimet për ujësjellës e kanalizim dhe duke u bazuar në të dhënat e sakta të lartëshënuara, apelon te të gjithë konsumatorët në tetë zonat e shërbimit:
T’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbime të ujësjellësit e kanalizimit,
Të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike u bëjmë thirrje që të respektojnë në përpikëri kontratat për riprogramim borxhi, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar me pajtim të të dyja palëve (në të kundërtën u rikthehet borxhi i falur sipas Ligjit për Faljen e Borxheve Publike).
Menaxhmenti i KUR Prishtina bënë thirrje që të gjithë konsumatorët të paguajnë rregullisht për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërsa zotohet se do të ofrojë shërbime cilësore!