leoni

Fadil Bajram Nimani (7.4.1967 – 25.5.2001)

Fadil Bajram Nimani (7.4.1967 – 25.5.2001)

Fadil Nmani lindi më 7 prill 1967 në fshatin Gërkoc të komunës së Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, gjimnazin, në Cermjan e në Gjakovë. Vazhdoi studimet në shkollën e lartë pedagogjike ‘’Bajram Curri’’ në Gjakovë, në degën histori-gjeografi.
Dashuria e madhe për Shqipërinë, në vitin 1983, Fadilin e shtyn të kalonte ilegalisht kufirin. Ai ëndërronte të regjistrohej në shkollën ushtarake në Tiranë. Nga Tirana, Fadili u kthye në Kosovë pas 15 ditësh, ku e vazhdoi shkollimin.
Në vitet ’90 Fadili ishte njëri prej militantëve që po preokupohej për krijimin e një ushtrie shqiptare në Kosovë. Përmes shokëve të tij të ilegales, ai inkuadrohet në radhet e organizatës Fronti i Rezistencës për Çlirimin e Kosovës. Pas pak kohe, kjo organizatë u zbulua nga policia serbe.
Familja e Fadilit ishte në shënjestër të vazhdueshme të policisë serbe. Më 9 gusht të vitit 1996, kjo polici e bastisi shtëpinë e Fadilit, me pretekst të kërkimit të armëve. Në atë rast, Fadili e kishte detyruar atë të kthehet mbrapsht. Që nga kjo kohë, Fadili ishte i kërkuar nga sigurimi serb.
Në fillim të nëntorit të vitit 1996, Fadili bie në kontakt me luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Dukagjinit, me bazë në fshatin Shqiponjë (ish-Jabllanicë), siç ishin Luan Haradinaj, Lahi Brahimaj, Rexhep Selimi etj.
Në fillim të vitit 1998, komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, e ngarkoi Fadilin me detyrën e furnizuesit të zonës me armatim e municion. Për këtë qëllim, ai e kaloi dhjetëra herë kufirin shqiptaro-shqiptar. Kishte raste kur ai me bashkëluftëtarët e tij rrugën nga Tropoja në Dushkajë e kalonte edhe dy herë brenda ditës.
Komandant ‘’Tigri’’ në atë kohë luajti rol të madh në furnizimin e UÇK-së, jo vetëm në zonën e Dukagjinit, po për gjithë Kosovën.
Emrin e luftës ‘’Tigri’’, Fadili e mori kur u emërua komandant i njësitit ‘’Tigrat’’.
Më 24 mars të vitit, kur forcat serbe sulmuan Gllogjanin, Fadili, me njësitin e tij ‘’Tigrat’’, u shkoi në ndihmë luftëtarëve që kishin filluar rezistencën në këtë zonë.
Më 20 prill të vitit 1998, Fadil Nimani, Xhelal Hejda e luftëtarë të tjerë organizuan sulmin kundër forcave të ushtrisë jugosllave të dislokuara te diga e liqenit të Radoniqit. Atë ditë në këtë vend u zhvilluan luftime të ashpra midis forcave të UÇK-së, dhe atyre të ushtrisë serbe. Në këtë betejë u luftua katër ditë me radhë. Ky ishte luftimi i parë frontal midis dy palëve ndërluftuese në këtë zonë. Megjithëse forcave ushtarake serbe u erdhi në ndihmë edhe aviacioni ushtarak, forcat çlirimtare nuk u thyen. Komandant ‘’Tigri’’, edhe pse ishte i plagosur në kokë, qëndroi në vijën e frontit deri në përfundim të betejës.
Më 20 qershor të vitit 1998, Fadil Nimani emërohet komandant i policisë ushtarake për Zonën Operative të Dukagjinit. Ai njëkoësisht ishte edhe komandant i batalionit ‘’Rrufeja’’, pjesëtarët e të cilit ishin stërvitur në Shqipëri.
Në ofensivën serbe, gjatë muajve gusht-shtator të vitit 1998, ‘’Tigri’’ ishte përherë në krye të sulmeve, duke mos përfillur urdhrat e komandantit-dezertor, Tahir Zemaj. Ai ishte në mesin e luftëtarëve të UÇK-së, të cilët asokohe, në gusht-shtator të vitit 1998, nuk iu bashkuan radhëve të dezertorëve të prirë nga Tahir Zemaj, por qëndroi si shtyllë e pamposhtur në Dukagjin, duke u përballur kundër ushtrisë dhe policisë serbe, duke luftuar pandërprerë. Në luftimet më 7 dhe 8 shtator të vitit 1998, Fadili plagoset përsëri.
Duke pasur njohuri për aktivitetin e tij luftarak, regjimi kriminal i Beogradit, në fillim të vitit 1999, lëshoi urdhërarrest kundër Fadil Nimanit. Fletarresti u shoqërua me një shpërblim të lartë për atë që do ta kapte ‘’Tigrin’’. Në atë fletarrest figuronin edhe disa emra të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Më vonë ky regjim, Fadilin e dënoi me 10 vjet burg, në mungesë.
Pas përfundimit të luftës dhe transformimit të UÇK-së në TMK, ‘’Tigri’’ emërohet zëvendëskomandant i Batalionit Gardist në Zonën e Tretë të TMK-së. Ai merr gradën major.
Duke mos u pajtuar me gjendjën e shqiptarëve që jetonin ende nën okupimin sllav, pas fillimit të luftës në Kosovën lindore, Fadili vihet në kontakt me luftëtarët e UÇPMB-së dhe më vonë edhe me ata të UÇK-së në Maqedoni. Më 14 shkurt të vitit 2001, ai u inkuadrua në luftën kundër forcave sllavomaqedonase. Vendpozicioni i tij i parë ishte në Tanushë.
Si ushtar kombëtar, ‘’Tigri’’ tregoi shkathtësi të jashtëzakonshme organizative dhe komanduese. Ai u bë legjendë e gjallë për popullatën dhe luftëtarët e lirisë në të gjitha zonat e luftës çlirimtare.
Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e emëroi komandant të brigadës 113 ‘’Ismet Jashari – Kumanova’’ në Likovë. Këtë detyrë ai e kreu me përgjegjësi deri në momentin kur bie në fushën e nderit, më 25.5.2001, në Vaksincë të Kumanovës. Bashkëluftëtarët e tij rrëfejnë se ai, edhe në momentin para rënies luftoi duke kënduar. Në atë moment, Fadili, para e të ndahej përjetësisht nga shokët e tij, kishte shikuar drejt Shqipërisë me duar të bashkuara, duke ua rikujtuar shokëve amanetin, për të cilin ishin betuar:

Dëshmor ose jo, si të doni më quani,
Por amanetin vëllezër, për liri të ma ruani…

Në nderim të veprës së tij heroike, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke vlerësuar lart trimërinë dhe strategjinë luftarake gjatë komandimit me brigadën 133 ‘’Ismet Jashari’’, më 14 shtator 2001, kolonelin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Fadil Nimani, e avancoi në gradën gjeneral.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …