Fadil Hysaj, laureat i Çmimit për Vepër Jetësore në Teatër për vitin 2016

Në kabinetin e ministrit të Kulturës Kujtim Gashi, është mbajtur ceremonia solemne që ka organizuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndarjen e Çmimeve Vjetore për Teatër për vitin 2016. Në këtë ceremoni regjisori Fadil Hysaj u shpërblye me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore, që sipas rregullores për ndarjen e çmimit për teatër shpërblehet me vlerë financiare prej pesë mijë euro. Çmimi iu nda me motivacionin se regjisori ka dhënë kontribut në kultivimin e jetës teatrore në vend në përmasa të mëdha. Ministri Gashi nda çmimet edhe për laureatët tjerë. Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2016 u nda për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit nën regjinë e Martin Koçovskit. Po kështu, u nda edhe çmimi vjetor për regjinë më të mirë që iu dha regjisores Sevdije Ajeti për shfaqjen “Sapotlem” të autorit Juan Jose Arreola. Çmimi për aktorin/aktoren më të mirë për 2016-tën iu nda balerinit Sinan Kajtazi për rolin kryesor Albert në shfaqjen e baletit “Zhizell”. Çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar u nda për Qendrën Multimedia. Çmimet tjera vjetore në bazë të rregullores shpërblehen me nga 2500 euro secila. Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që si Ministri po e përfundojnë procesin e ndarjes se çmimeve, ndërsa theksoi mbështetjen e vazhdueshme të MKRS-së për shpërblimin dhe mirënjohjen e vlerave të mirëfillta kulturore të vendit tonë. “Si Ministri e kemi parë të arsyeshme që ta përfundojmë këtë ceremoni të ndarjeve të çmimeve për shkak se e kemi konsideruar shumë të rëndësishme”, tha ministri. Ndërkaq, laureati Fadil Hysaj pas marrjes së çmimit tha se këtë çmim ia dedikon personazheve të shumë bashkëpunëtoreve por duke theksuar tre breza të aktorëve. “Të kalosh 45 vite në teatër janë përjetime shumë të fuqishme dhe është një jetë mes personazheve që vijnë nga imagjinata dhe kërkojnë patjetër statusin e tyre jetësor” tha Hysaj duke e falënderuar edhe ministrinë e jurinë për vlerësimin dhe çmimin. Juria për ndarjen e këtyre çmimeve ka qenë në përbërje të regjisorit, Agim Selimit, Ramadan Musliut- kritik letra, Besim Rexhaj – dramaturg, Bislim Muçaj- aktor dhe Bardh Frangu- shkrimtar dhe publicist.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …