Sprova e profetit Job dhe fati i shqiptarit të shekullit 20.
E largët është koha biblike, kur Hyji në luftë me djallin e djallëzorët, kishte sprovuar të zgjedhurin e tij, Jobin, sipas Biblës, Ejubin sipas Kuranit.
Duke pasur në mendje legjendën biblike, i kthehemi kohës sonë, epokës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fatin e njerëzve të veçantë, të cilët nuk i kishte kursyer barbaria djallëzore, nuk i kishte kursyer pjella e satanait, sllobodan të Serbisë së fundit të shekullit 20-të, të cilëve as sot, koha dhe njerëzit, nuk ua kanë shëruar sadopak plagët…
Shembujt e barbarisë e djallëzisë serbe gjatë luftës në Kosovë janë të shumtë. Në fshatin Studime të komunës së Vushtrrisë, më 31 maj të vitit 1999, forcat okupatore serbe kishin kryer një masakër mizore, duke vrarë e masakruar fëmijë, gra e pleq. Në mesin e familjeve të shuara nga barbaria sodomiste serbe kishte pësuar edhe familja me shumë anëtarë e Ymer Elshanit nga fshati Paklek, familja nëntëanëtarëshe e dëshmorit të kombit, Selatin Gërxhaliu, shtatë fëmijët, bashkëshortja dhe vetë Selatini. Atë ditë të kobshme bandat serbe kishin vrarë e masakruar, përveç të tjerëve, edhe 31 anëtarë të tjerë të familjes së gjerë, Gërxhaliu. Në Fshatin Tern të Therandës, serbët kanë vrarë mizorisht 23 anëtarë të familjes Gashi. Në fshatin Rancë të Shtimes tetë fëmijë dhe dy gra të së njëjtës familje, pesë bijtë dëshmorë e martirë të Idriz Dvoranit nga Tersteniku dhe shumë e shumë raste të tjera, që nuk i përmendim dot të gjitha…
Ka edhe sa e sa shembuj të tjerë, por Masakra në Paklek të Drenicës ka dimensionin e holokaustit ka diçka më shumë, më të rëndë, më të pikëlluar dhe më të veçantë…
Në mesin e shqiptarëve liridashës, që rrokën armët për ta luftuar regjimin gjakatar serb në vitin 1998 ishte edhe luftëtari i lirisë, Fadil Muçolli nga fshati Paklek i Drenasit me vëllanë e tij, Qamilin.
Më 17 prill të vitit 1999, derisa Fadili ndodhej në pikat e luftës në pozicionin e fshatit Paklek , barbaria sodomiste serbe i kishte ndërhyrë në familjen e ngushtë e të gjerë dhe kishte kryer, njërën ndër masakrat më të rënda e më të çmeritura gjatë luftës në Kosovë. Satanët, djallëzorët serbë kishin vrarë e më pas u kishin djegur dy herë edhe kufomat 53 anëtarëve të familjes së ngushtë e të gjerë,babanë e Fadilit, Sinanin dhe shkrimtarin, Ymer Elshani. Atë fillimisht e kishin ekzekutuar pastaj trupin ia kishin djegur, më pas e kishin hedhur në një bunar.
14 anëtarët e masakruar të familjes së ngushtë të Fadil Muçollit janë:
Babai, Sinan Rexhep Muçolli 1945-1999.
Nëna Elheme Hasi Muçolli 1945-1999.
Motrat:
Emine Sinan Muçolli 1975 -1999,
Elifja 1978-1999,
Sherifja 1981-1999,
Hafija 1989-1999,
Bashkëshortja:
Feride Osmani Muçolli 1965-1999,
Bija Shehide Fadil Muçolli 1985-1999.
Bijtë:
Naser Fadil Muçolli 1986 -1999,
Ylber Fadil Muçolli 1989-1999,
Egzon Fadil Muçolli 1995 -1999.
Bashkëshortja e vëllait të tij, Qamilit,
Hylije Osmani Muqolli 1975-1999,
Bijat e tij:
Florentina Qamil Muçolli 1996-1999, dhe
LIRIJA 1999 që ishte vetëm 6 muajshe.
Janë në mesin e të gjallëve vëllezërit e Fadilit, Qamili, Habibi dhe Hakifi në Gjermani,
Skënderi dhe motra Zelihja.
Nga 53 të vrarë, 23 prej tyre kanë qenë të mitur, në mesin e tyre edhe foshnja e pagëzuar me emrin Lirie, e lindur në kohën e luftës, pa arritur ta shijojë as një vit lirinë, Liria foshnje tani Sinonim i Lirisë së Kosovës
Fadil Muçolli ka përjetuar tmerret, pikëllimin dhe tragjedinë më të pashembullt gjatë luftës së UÇK-së. Luftëtarit të lirisë, derisa luftonte në istikamet e luftës çlirimtare, në përballje me forcat okupatore serbe, djallëzorët serbë i kishin depërtuar tinëzisht e djallëzisht në familje, në Paklek dhe kishin kryer krimin ndër më monstruozin e kohës së tyre sterrë e të zezë, të pakrahasueshëm në historinë njerëzore, njëjtë sikur krimet e spanjollit Pizzaro në Amerikën Latine, në shekujt e mesjetës, njëjtë sikur krimet e Françisko Frankos, Musolinit e të Hitlerit e sa e sa të tjerëve.
Ai ishte njoftuar për tragjedinë të nesërmen pasi që familjen e kishte nisur për Drenas, por pa dijen e Fadilit forcat serbe i kishin kthyer dhunshëm në shtëpi dhe ishte goditur në përballje me plojën e katrahurën mizore që e kishin shkaktuar djallëzorët e regjimit të Millosheviqit, të cilët asokohe kishte filluar t’ i bombardonte fuqia më e madhe e botës, NATO-ja.
Kur ishte kthyer në Familje, Fadili për dy orë kishte stepur i bërë akull, ashtu si në shkallën kalvin, gjallë por i ngurosur, me mendje të trazuar por me durimin më të lartë njerëzor, duke mos harruar krijuesin dhe prore duke i thirrur mendjes. Mbase në ato raste ishte kujtuar për Demë Ahmetin, të cilit kur i kishin treguar se serbët ia kishin shfarosur tërë familjen dhe njëri syresh e kishte pyetur se ka çka bahet më keq në jetën e tij, ai kishte thënë:
– Po, më keq është me ma marrë Zoti mendjen e m’ u gërvallë si shtazë. Po Zoti nuk t i merr të gjitha. Mua ma ka lënë mendjen, Andaj durim, durim..
Njëjtë kishte vepruar Fadil Muçolli. Nuk kishte lejuar që ndjenjat e zemërimi i ngritur peshë t’ ia shemb arsyen dhe e kishte mbajtur thellë në zemër, pikëllimin. Ishte përmbajtur si bir, i prindërve që nuk i kishte më, si vëlla i katër motrave si prind i katër fëmijëve të vrarë mizorisht, si bashkëshort e mbi të gjitha si luftëtar i lirisë, si Ademjasharian i kohës.
Andaj pas dy orë ngurtësimi, iu kishte kthyer realitetit hijerëndë, të mundimshëm, të pikëlluar por njerëzor, sepse nuk thuhet kot, se njeriu është më i fortë se guri, pikërisht sikur është Fadil Muçolli, dhe jo vetëm ai, por edhe shumë e shumë të tjerë, secili veç e veç, me tragjedinë e tij.
Masakra e Poklekut ende nuk është trajtuar me vërtetësi, realizëm dhe seriozitetin e duhur, pasi edhe kjo masakër, si ajo e Reçakut, e Burimit disa e të tjera dallohet për shkallën ekstreme të mizorisë, vrasjen e 53 shqiptarëve në mesin e tyre 23 të mitur, fillimisht likuidimin me bomba dore brenda shtëpisë, pastaj ekzekutimin një për një të atyre që kishin mbetur gjallë nga bombat, pastaj djegien e kufomave në një shkallë të lartë të temperaturave, nga ku janë dëmtuar edhe eshtrat e të martirizuarve, me qëllim për të humbur të gjitha gjurmët.
Fadil Muçolli, është heroi i gjallë i kohës sonë, është sinonimi i vuajtjes më të rëndë, që mund të përjetojë një njeri, të cilin e mban gjallë motivi për të zbardhur të vërtetën e masakrës, për ta kthyer shtëpinë në Muze Holokausti, të pajisur me kujtime dhe me gjësende të mbetura të familjes, i ndërgjegjësuar se koha nuk kthehet prapa, por edhe i motivuar me fitoren, të cilën e ka arritur vendi, në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtar i së cilës ishte dhe me ndihmën e NATO-s nga ajri, me dëbimin përgjithmonë të kriminelëve serbë, çlirimin e Kosovës si rezultat e gjakut të derdhur rrëke për liri, nga ai mes edhe i 53 familjarëve dhe të afërmve të tij dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
Prej momentit të njoftimit për tragjedinë, prej kohës kur ishte kthyer dhe kishte gjetur shtëpinë në atë gjendje të rëndë e të tmerrshme, nga e cila kanë kaluar 23 vjet, ai rron me kujtimin për ata që nuk janë më, kujton secilin veç e veç dhe me pastaj i kujton të gjithë tok, rron me kujtimet për ta dhe përpjekjet për ta zbardhur të vërtetën e masakrës, e cila për fatin tonë të keq dhe indolent, është anashkaluar nga ata që nuk ka qenë dashur të anashkalohet, madje edhe sot kur po mbretëron një gjendje e rezignatës, Fadili nuk pajtohet me të, por pret përditë, kthjellimin e mendjeve, për të parë të vërtetën në sy dhe për t u ballafaquar me të, në mënyrë të domosdoshme.
Fadili pret, sepse beson se Shteti duhet ta bëjë të vetën pasi ka obligim, sepse është ndërtuar pikërisht mbi këtë gjak të derdhur të familjarëve të tij dhe të mijëra familjeve të tjerë në Kosovë.
Andaj pret, që Shteti ta vë dorën aty ku duhet, ta ndërtojë Muzeun, ta marrë nën mbrojtje e nën përkujdesje institucionale, ashtu sikur duhet, ashtu sikur e ka për detyrë. Ai nuk lejon të dalë mbi Shtetin, për bërjen e së cilit ka luftuar tok me vëllanë dhe me bashkëluftëtarët e tij dhe për të cilin ka dhënë aq shumë gjak, i cili ende vërehet në vende të caktuara të ambienteve që presin dorën e Shtetit.
Fadili nuk e ka humbur durimin, as do ta humb arsyen, sepse jeta, vuajtjet, pësimet familjar, tragjedia, fataliteti e kanë kalitur, e kanë kthyer në një burrë-çelik nga çeliku i markës: UÇK.
Andaj rron, si jetojnë njerëzit e përjetimeve si ato të tijat, jeton, ashtu sikur sa e sa të tjerë, që ende ka me shumicë në Kosovë. Jeton për të treguar tragjedinë, jeton për të mos lejuar që ajo të nëpërkëmbët e të harrohet, jeton ashtu sikur edhe jo pak të tjerë si ai vetë. Po Fadili jeton për ta matur edhe pulsin e shoqërisë, për të parë e për t’ u bindur se sa po e nderon gjakun e derdhur për lirinë, të cilën kjo shoqëri po e gëzon, bazuar mbi këtë gjak.
Andaj edhe është i zhgënjyer, andaj edhe kërkon, jo më shumë se sa i takon por as më pak sesa duhet, dhe jo vetëm për vete dhe rastin e tij tragjik, por edhe për sa e sa raste të tjera, për sa e sa dhembje e pikëllime, që kurrë nuk harrohen.
Kërkon nga ata që marrin mundin për të shkruar, për Masakrën e Paklekut së pari të konsultohen me të, kërkon nga persona të caktuar të gjenden incizimet që i kanë bërë me kamerë disa ditë pas kryerje së krimit, në mënyrë që krimi të ndriçohet me të dhëna faktike të dorës së parë, kërkon nga organet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre, kërkon kompletimin sa më parë të Shtëpisë-Muze dhe marrjen nën mbrojtje institucionale.
Ahmet Qeriqi
Prill 2022