Liria është e shtrenjtë, sepse ka themelet në gjakun e dëshmorëve, në përkushtimin, veprimtarinë dhe sakrificën e atdhetarëve në breza! Përmes Rexhës, Ramadanit dhe Jakupit me Skënderin u njoha në vitet e ’80-ta në kuadër të veprimtarisë ilegale atdhetare! Në vitin 1988-89, pas zbulimit të një rrjeti prej 156 anëtarëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (sipas veprimtarit Sabri Lushi), u arrestuam edhe ne: Rexhep Bislimi, Skënder Emërllahu, Ramadan Sejdiu, Bajram Syla, Jakup Nuha, Afrim Agushi. Florim Kuqi dhe Fadil Rexha! Torturat ishin ç’njerëzore! Nga kush? Neve na torturonin Ramiz Hoxha, Fekir Tahiri, Shaban Maloku, e plotë hiena tjera, e specialist i fyerjeve dhe torturave ishte Sakip Kollari nga Dibra – ndihmë e inspektoratit federativ për inspektoratin e Kosovës! Nga llumi i tradhtarëve shqiptarë me orientim jugosllav (hetues – torturues, prokurorë gjyqtarë) akuzat ishin absurde: ne torturoheshim për të pranuar se kishim lexuar dhe shkëmbyer historitë e Skënderbeut, Mic Sokolit dhe Shotë dhe Azem Galicës! Nëse pranonim, na e veshnin organizimin dhe dënimin! Ne i kishim për shpirt këtë literaturë dhe heronjtë, por nuk e pranuam, edhe dikush kur e pranoi se kishte lexuar, nuk e pranoi shkëmbimin e literaturës me shokë! Kriminelët jugosllav Ramiz Hoxha, Fekir Tahiri, Shaban Maloku, Sakip Kollari, … kishin hetuar veprimtarinë tonë atdhetare, por hetimet i zhvilluan me shabllonet e tyre dhe dështuan të dëshmonin ,,fajësinë” tonë atdhetare!
Gjyqi u mbajt në verën e 1989-ës! Nga ky grup dikush u shpall i pafajshëm, dikush u dënua 6 muaj, ndërsa Rexhep Bislimi u dënua me dy vite dhe u lirua pas një viti në kuadër të reformave të shtetit jugosllav! Në gjyq, Rexha kishte mbajtur një qëndrim heroik, ku kishte mohuar akuzat dhe kishte akuzuar e demaskuar pushtuesit! Sipas Ramadanit, përderisa të tjerët kur i kishin kthyer nga gjykata i kishin përgatitur për lirim, ndaj Rexhës kishin filluar menjëherë me tortura!
Nga torturat ç’njerëzore, më së rëndi vuajti Skënder Emërllahu, i cili nga burgu doli me gjendje të rënduar mendore! Sipas dëshmorit Rexhep Bislimi, me 11 mars të vitit 1998, në përvjetorin e Pranverës së 1981-shës, pas Masakrës së Prekazit më qëllim të senzibilizimit të opinionit gjerman për ngjarjet në Kosovë, Skënder Emërllahu në Düsseldorf të Gjermanisë bënë vetëvrasje! Me insistimin e dëshmorit Rexhep Bislimi, shokët tanë morën pjesë në varrim dhe para pjesëmarrësve folën për përkushtimin atdhetar dhe vuajtjet e Skënderit!
Falë gjakut të dëshmorëve dhe përkushtimit e sakrtificës së atdhetarëve, kjo pjesë Shqipërie, sot gëzon lirinë, ka mirëqenie, zhvillohet e ndërtohet! Lavdi dëshmorëve dhe përkushtimit e sakrificës së atdhetarëve!