Fadil Shyti: HEROIZMA MADHËSHTORE QË KANË LËNË GJURMË TË THELLA NË HISTORINË TONË TË RE! I

Duke lexuar librin e luftëtarit të lirisë, Rexhep Ahmeti
“Kujtime nga lufta e UÇK-së I
Kreshniku i Zhabarit – Ajet Mahmut Uka”.
Prishtinë, 2021
Pjesa e dytë:
“Motër, nëse i mbijetoj kësaj lufte, do t’i çliroj një nga një tokat shqiptare”.
Bekim Berisha, i kishte thënë motrës së tij, Zyrafete Berishës.
Motoja e librit të kujtimeve:
“Këto kujtime ia kam pasur borxh ” Abesë” –  Bekim Berishës. Atij i kemi shumë borxhe, jo vetëm unë, por tërë Kosova dhe Shqipëria. Bekim Berishë më nëna nuk lind!” – përfundon me lot në sy rrëfimin e tij pothuaj me shkrehje në vaj burri, ushtari besnik i “Abesë” kreshniku i kësaj ane, Ajet M. Uka.
Ose
“Qysh po munden disa me shkelë mbi gjithë atë gjak edhe me e çue veten kaq “nalt”?!…”
Baci ynë, Ajet Uka në këtë intervistë-kronologji e LÇ-re, me vërtetësi dhe emocione prej luftëtari të devotshëm për breznitë tona dhe për ato që do të vijnë, ka rrëfyer kujtimet nga më krenare, të dhimbshme dhe njëkohësisht më heroike, ka rrëfyer se, në LÇ-re, të UÇK-së, si dhe në të gjitha betejat e jetës nuk mjafton vetëm vendosmëria dhe trimëria; në çdo betejë të luftës, luftëtarët duhet të kenë dituri, maturi, disiplinë të lartë ushtarake dhe shoqërore, qe besa edhe shumë durim në rrugën e rëndë dhe shumë të vështirë së cilës i kanë hyrë vullnetarisht; duhet pastaj dhe qëndresë, kontroll mbi veten në momentet e rënda, si fjala vjen në beteja t’u gjendemi pranë bashkëluftëtarëve dhe bashkëluftëtareve kur ata/ato, plagosen apo kur bien në fushëbeteja, duhet vrarë frikën që, urgjentisht të tërhiqen trupat e tyre, që të mos bien në duar të armikut.
Të gjitha këto kujtime-përjetime, lexuesi do t’i gjejë në faqet e këtij libri. Është për t’u theksuar fakti që, lexuesi herë-herë do të ndihet mirë ca, nga shumë aspekte të jetës-luftë; nga bujaria e popullit tonë; kur në ato vite të rënda të luftës, Nëna Shqipëri, i hapi portat krahë e krahë, nuk kurseu asgjë për luftëtarët e lirisë, atyre ua fali: djersën, gjakun, ua dha bukën, kripën, armët dhe barotin e thatë.
-E shihni të nderuar lexues!
Koha po e dëshmoi edhe njëherë sa mijëra herë, vlerën e lartë që e kishte ajo ndihmë e sinqertë vëllazërore gjithëkombëtare dhe gjithë popullore kudo; këndej dhe andej Shqipërisë Natyrale.
Tani, kur më tepër se një vit, bota e pa dhe po dëgjon për luftën që po zhvillohet në Ukrainë, kur ky shtet po ndeshet si tigri me luanin me Rusinë e carëve të rinj të klikës putiniste të regjimit të tij  pushtues dhe kriminal; pothuajse të gjitha shtetet perëndimore, por edhe disa nga ato lindore, po e përkrahin jo vetëm moralisht, por edhe me të gjitha format e ndihmave të mundshme të armëve dhe municioneve ushtarake,  të dërgimit të ndihmave për refugjatët, për strehimin dhe mbrojtjen e tyre shtetin e sulmuar padrejtësisht që po bën LÇ-re, Ukrainën, kjo në parim natyrisht se, është për çdo lëvdatë, mirëpo, ne shqiptarëve medoemos na kujtohet fakti i hidhur i një padrejtësie të madhe, kur ishin pikërisht këto shtete që sot po i dalin krah Ukrainës, dikur nga aspekti ushtarak për më shumë se një vit e kanë penguar Kosovën dhe ushtrinë e saj  të furnizohet me armë dhe municione; për më keq; diplomacia shkurtpamëse ndërkombëtare fuqishëm e pengonte edhe Tiranën zyrtare që, kjo të merrte hapat e duhur konkretë për furnizimin me armë të UÇK-së.
-Kjo diplomaci thinjake herë hapur, herë maskuar kur pengonte urdhëronte dhe kinse, këshillonte: “Mos të furnizohet UÇK-ja me arsyen se do të ndalohej lufta, që merrte aq shumë jetë njerëzish të pafajshëm”! Sipas kësaj logjike absurde dhe hipokrite, del se: Kosova të ndalonte Luftën Çlirimtare, por Serbia Fashiste do të fitonte përsëri kontrollin mbi Kosovën, nga ky aspekt mbrohej me të madhe njëfar “zgjidhje” për Kosovën, të ashtuquajtur, “Kosova të mjaftohej, me një autonomi të zgjeruar”. Kjo tendencë reaksionare e qarqeve të brendshme dhe të jashtme, me të drejtë u refuzua dhe nuk u pranua kurrsesi, nga simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, i cili gjer në prag të shkuarjes së delegacionit të Kosovës në Rambuje, (1999) ishte Ay, që e drejtonte krahun politik të
UÇK-së.
Duke e mbrojtur këtë ide kundër historike për Kosovën dhe të gabuar, faktori pacifist “shqiptar” dhe komuniteti ndërkombëtar, (brezit tonë besoj i kujtohet), kur u propozua që në krejt vijën e kufirit shqiptaro-shqiptar,  të vendosen trupat paqësore të NATO-s, që ato të kontrollonin çdo lëvizje të UÇK-së që të pengonin ushtarët e UÇK-së të bartnin armatimin nga pjesa e çliruar e atdheut tonë.
-Mbase, mos u zgjata ca tepër me këto dëshmi të asaj kohe, mirëpo breznitë e reja duhet ta dinë: që bashkësia ndërkombëtare ajo evropiane në veçanti, gjithnjë u tregua koprrace dhe shumë e padrejtë në raportet me Shqipërinë Natyrale dhe me kombin tonë.
-Gjithnjë, ishte dhe është duke u treguar e njëanshme në zgjidhjen e  çështjeve tona madhore, siç janë liria, barazia dhe drejtësia, këto fitore kurrsesi nuk mund të arrihen për kombin tonë pa ribashkimin tonë kombëtar sipas parimit: një komb, një gjuhë, një shtet, një flamur.
-Për më keq; edhe pas tri luftërave çlirimtare në trojet tona ku ishim dhe jemi autoktonë,-jo minoritet apo pakicë ardhacakësh,-siç thoshte gjeniu, Enver Hoxha; “Të ardhur në një vend të huaj, të vendosur në një vend vaakum”, (prf.im).
-Bashkësia ndërkombëtare edhe sot e sot, po tregohet shumë e padrejtë në raportet me Serbinë dhe Shqipërinë dhe në aspektin legjislativ: ajo nga njëra anë lejon që, në Kushtetutën e Serbisë Fashiste, të ekzistojë pretendimi i saj absurd, që kinse Kosova qenka pjesë e saj, ndërsa, Kosovës ia ka servirë një Kushtetutë imponuese, sipas orekseve të Serbisë Fashiste, nëpërmjet njëfar “Pakete” të Ahtisarit; ku sipas Nenit 3 të kësaj Kushtetute, Kosovës i ndalohet të bashkohet me ndonjë shtet tjetër. Kështu, indirekt aludohet qartas; Kosovës i ndalohet ribashkimi me Nënën Shqipëri.
-Duke mos u mjaftuar me këtë barrierë politike, diplomatike dhe legjislative, Kosovës edhe pas 24 vitesh, si shpatë e Domekleut po i rrin mbi kokë Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, e cila për absurditetin më të madh të saj; ende ia njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
Të gjitha këto padrejtësi të fuqive të mëdha, për ne shqiptarët liridashës të vërtetë, ishin dhe  janë krejt absurde të pakuptimta dhe poaq të rrezikshme për lirinë tonë, për sovranitetin e shtetit tonë dhe për ardhmërinë tonë.
Nga ky aspekt i hidhur, konstatoj; neve si komb dhe si dy shtet/e, në Ilirik-(Ballkan) më shumë se çdo kombi tjetër në rajon, na duhet mbajtur vigjilencën revolucionare në nivelin më të lartë, na duhet dhe të ruajmë si sytë e ballit unitetin tonë kombëtar, sepse: “Uji flë, hasmi nuk flë”!
(Populli).
Është dhe një fakt i pamohuar që, Serbia pushtuese gjithnjë është orvatur dhe po orvatet dhe  po kërcënon paqen në rajonin tonë, me të gjitha format e sulmeve dhe mjetet e mundshme ekonomike, politike, diplomatike, me provokacione ushtarake e të tjera.
-Kujtimet e veteranit të sakrificave të mëdha Ajet Ukës, janë vërtet epike dhe shumë interesante, natyrisht si të çdo ish-ushtari tjetër liridashës që në luftë i ka përjetuar me gëzime dhe hidhërime. Paraqitja e tij për t’ju bashkuar radhëve UÇK-së, bashkë me një shokun e tij besnik Enver Sadikun në fillim ishte në fshatin Ashlan, në Shtabin e UÇK-së të Brigadës 142 të ZOSH, për të ecur me tej përkrah djelmoshave  trima drejt Shtabit të UÇK-së në Drenicë, në fshatin Likoc. Aty, Ajeti takohet për herë të parë me komandantët syshqiponja, Bekim Berishën “Abenë” dhe Bedri Shalën. Vullneti i tij për t’u bashkuar me këtë rini heroike, fillimisht ndjeu ca plasaritje; ja, si dhe pse ndodhi kjo, sipas rrëfimit të Bacit Ajet: pas përshëndetjes me Bekimin dhe me Bedriun, ata bacit i thonë: “Urdhëroni, mirë se keni ardhur!- foli i pari “Abeja” (Bekim Berisha). Kemi ardhur për t’u regjistruar ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!-iu përgjigja, duke i treguar prej nga vinim, çfarë profesioni kishim etj. Ata m’i ngulën sytë dhe, në bazë të shikimit, e kuptova se donin të dinin çfarë moshe kisha. U tregova pak më gjerësisht për veten time dhe për moshën.
-Të përgëzoj për gatishmërinë që ta rrokësh armën për liri, por qenke në moshë! Në fillim do t’i regjistrojmë vetëm të rinjtë, të cilët do t’i ushtrojmë e pastaj të sigurojmë edhe armatimin. Derisa po qëndroja në këmbë të dy më vështronin nga maja e kokës tek gishtat e këmbëve. Atëherë kisha mbushur pesëdhjetë e tre vjet, mirëpo për shkak se isha i parruar dhe paksa i lodhur nga rruga e jeta, ata kishin fituar përshtypjen, sikur unë kam kaluar moshën mbi gjashtëdhjetë vjet. Meqë më refuzuan, dola prej aty. Tri ditë kam shkuar me radhë, duke këmbëngulur që të regjistrohem ushtar i UÇK-së. Një ditë erdhën disa kamionë të mbushur me miell, artikuj ushqimor, detergjente etj, ishin për popullatën e fshatrave përreth. “Abeja” me disa veta i shkarkonin. U afrova edhe unë për t’u ndihmuar, për të shkarkuar miellin dhe detergjentin. Kapa një thes me miell prej pesëdhjetë kg dhe e vura në krah. M’u duk i lehtë, si një pupël. Sakaq, “Abeja” ma kapi thesin nga shpina e tërhoqi. Nuk më lejoi të bartë në shpinë thasët e pesëdhjetë kg, nga kamioni deri në magazinë. Meqë, po insiston të na ndihmosh, merr vetëm nga një thes me detergjent dhe asgjë tjetër!-më urdhëroi. Miellin e shkarkonin të tjerët që ishin më të rinj dhe sipas tij, më të fuqishëm se unë. Pasi e zbrazën miellin iu fluga (iu qepa) pas dhe e luta që të më fuste në regjistrin e UÇK-së.
-Ta kam thënë njëherë e po ta përsëris edhe tash, nuk bën, sepse je i vjetër në moshë!-më tha duke ma vënë dorën rreth qafës me dashamirësi. Edhe pse ishte këmbëngulës në mohimin  e kërkesës sime, prap iu luta. Bedri Shala, i cili ishte duke shënuar diçka brenda në Shtab. Pas këmbënguljes sime të sërishme, Abeja më tha: Eja këtu dhe lajmërohu te Bedriu!  Shkuam në Shtab. Pasi u ulëm, sërish nisëm bisedën lidhur me mundësinë e regjistrimit tim ushtar të UÇK-së. Ata prap më shpjeguan se isha i vjetër dhe nuk mund të qëndroja më gjatë për të pritur në radhë që të shkoja për armatim në Shqipëri. Ata sikur më thoshin: “Kthehu në shtëpi, sepse në luftë na duhen njerëz të tjerë! -Kemi në regjistër emra të tjerë të gjithë të rinj, që do ta përballojnë më lehtë rrugëtimin e vështirë dhe peshën e armatimit, që do ta bartin prej andej deri këtu”! -më tha Bedriu, duke m’i rrahur shpatullat me pëllëmbë.
-Me këto këpucë që ke, nuk do të bëjnë as dy-tre ditë për atë rrugë, o vëlla!-shtoi “Abeja”, duke rrëzuar shikimin e tij mbi këpucët e mia. Nuk kam ardhur që t’mi shikojë dikush këpucët! Ato janë të reja dhe të forta. Para pak ditësh i kam blerë gjashtëdhjetë marka! Tek e fundit edhe zbathur mund të shkoj për armatim në Shqipëri. Këmbët i kam të forta. Veten e ndiej mirë me shëndet, prandaj jam i gatshëm të kontribuoj për lirinë e vendit tim! -iu thashë dhe se di as vet, se si m’u mbushën sytë me lot. -Ajet, e kuptojmë dëshirën tënde, por nuk ka mundësi o vëlla, që të regjistrojmë ushtar për shkak të moshës që ke. Ju lutem të na kuptoni!-tha Bedriu i cili shikonte andej kah dritarja. -Mirë, a bën të ma jepni librin ku janë të shënuar emrat e ushtarëve,-iu thashë me zë lutës dhe mjaft i zhgënjyer. Çka ju duhet libri ynë?-më pyetën njëzëri. -Dua të shkruaj dy-tri fjalë. Dua t’ua bëjë hallall gjakun tim. Nëse nuk më pranoni në UÇK, ju lutem, vritmëni! Unë mora rrugën deri këtu, jam hallashtisur (përshëndetur) me familjen dhe i gjallë nuk kthehem në shtëpi!
-fola me një zë që as vet nuk besoja se ishte imi apo jo.
Ata shikuan njëri/tjetrin dhe nuk folën për disa çaste. Në dhomë mbretëronte heshtje varri. Fute në regjistër! -iu drejtua “Abeja” kolegut të tij, Bedri Shalës, i cili gjatë tërë kohës e mbante një stilolaps në dorë, sikur luante me të. Pasi e shfletoi fletoren pak si me pritesë e shkroi emrin tim. Ishte data 29 qershor 1998 kur më pranuan dhe u bëra ushtar i UÇK-së.
Lavdi dëshmorëve të atdheut!
11 maj 2023

Vazhdon

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …