Fadil Shyti: Me zbrazjen e shqiptarëve nga vendi i tyre nuk përparohet Shqipëria

Me plane pesëvjeçare, të cilat i zbrazin malësitë tona nuk përparohet Shqipëria dot! Madje kjo është e rrezikshme edhe nga aspekti i strategjisë afatgjate për mbrojtjen e vendit, dukuri që përbën një rrezik serioz, kur dihet fakti se armiqtë e sulmojnë kufirin andej nga malësitë tona, nëse atyre u mungon faktori njeri, ata natyrisht se më lehtë depërtojnë të futen më thellë drejt territorit shqiptar. 
Tepër i hidhur është fakti kur i shikon sot shqiptari gjitha ato vise të begatshme, të cilat tani kanë mbetur me qindra shtëpi të shkreta apo të banuara nga banorë që përfaqësohen nga pleq e plaka, sepse të tjerët kanë ikur nga sytë këmbët, për të gjetur një jetë ca më të mirë. Kjo ka ngjarë me viset e malësive tona: nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. 
Nëse dikur para 30 vitesh jetohej me krenari në ato vise dhe zhvillohej një jetë idilike, ku kishte ujë dhe drita me bollëk, kur kishte punë dhe qetësi shpirtërore, pa tmerre e sherre në mes banorëve të atyre anëve të mrekullueshme të atdheut, të njohur për trimëri e bujarinë që i karakterizon shqiptarët si komb; përse nuk është e mundur të bëhet kjo sot?! Po, përse të zbrazen malësitë tona? 
Sa e pa arsyeshme është kjo, kur malësorët nga anët e Valbonës apo të Kurveleshit kanë zbritur në Tiranë, apo nga malësitë e Shalës e të Drenicës kanë zbritur në Prishtinë; dhe tani ju mungon uji dhe drita, kushte të domosdoshmet për jetesë, të cilat para 30 vitesh nuk ju munguan. Ne duhet të gjurmojmë dhe të konstatojmë ku gjendet faji: tek ata malësorë apo tek qeveritë rozë o kaltër, të cilat me planet e tyre pa strategji afatgjate i katandisën shqiptarët në mjerim dhe përulje. 
Sot të rinj dhe të reja shqiptarë po treten sikur kripa në vorbullat e “detit” të quajtur mërgim apo në gjuhën cinike të modernizmit dinak dhe gjakatarë diasporë. Pra, fatkeqësisht si rrjedhim i këtyre prapakthimeve të mëdha në historinë tonë të re, sikur po krijohet një mini Shqipëri Natyrore Diasporike. Habitemi me disa dukuri që ndodhin në Shqipëri, ne nuk na bëjnë nderë kur i shohim dhe i dëgjojmë prej nga atje ku jemi- p.sh, disa shqiptarë gjejnë kohë të kalojnë kohën kot, pothuaj tërë ditën nëpër kafene, por nuk gjejnë kohë të punojnë diçka për të mirën e lagjes së tyre, katundit apo qytetit të tyre; p.sh, të pastrojnë rrugët dhe plazhet detare, të cilat në këto ditë të nxehta vere kundërmojnë nga mbeturinat e hedhura përtej – madje edhe nga lartësitë e rrokaqiejve. 
Do të thosha se klasa politike që sot po e sundon Shqipërinë Natyrore duhet ta kuptojë njëherë e mirë, (më mirë vonë se kurrë) se pafundësisht nuk mund t´i shesë popullit “sapun për samun” elektoratit që aq shumë i besoi deri më tani! 
Për më tepër kjo klasë politike, këtë mashtrim nuk mundet kurrë t´ia bëjë as opinionit të jashtëm, i cili jo rrallë e ka qortuar dhe jo rrallë e ka ndëshkuar për mosdëgjueshmëri, pra për shkeljen flagrante të ligjeve që vet i nxjerrin, për shkeljen drastike të të drejtave njerëzore etj. etj. 
Me të drejtë mund të thotë dikush: “ore, mos po pret dikush që qeveritarët t´jua pastrojnë edhe rrugët e qyteteve dhe plazhet brigjeve detare”?! Unë, atij lexuesi do t´i përgjigjesha shkurt: Qeveritë duhet të organizojnë rregullin me ligje të forta që sanksionojnë dënime të larta me gjobë, për ata, që e ndotin mjedisin natyror në viset tona! Pastaj, qeveritë tona duhet të investojnë shumë lekë për ta mbajtur të pastër vendin ku zhvillohet jeta!… 
Është për tu theksuar këtu fakti mjaft shpresëdhënës që rinia jonë heroike nuk po bie pre e politikave qorre të ndarjes së Shqipërisë nga ato shprehjet kundërshqiptare, “ne nuk jemi për bashkim me Kosovën”, ose nga ajo nga më absurdja si: njoftimi gjatë lajmeve të RTK-së: “nga takimi i delegacionit të qeverisë së Shqipërisë me qeverinë e vendit fqinjë Kosovën” u konstatua se kemi përparuar me bashkëpunim në shumë fusha të jetës etj, etj. 
Harrohet kështu mjerueshëm, se Kosova është pjesë e Shqipërisë, e jo një vend fqinj i saj, siç janë shtetet e huaja ballkanike. Këto dukuri gjuhësore duhet flakur me ndërgjegje të lartë kombëtare! Pse, nuk thuhet fjala vjen: “nga takimi i delegacionit qeverisë së Tiranës, me qeverinë e Prishtinës, u konstatua se kemi përparuar me bashkëpunim vëllazëror në shumë fusha të jetës” etj, etj?! 
Horizonte të reja drejt ribashkimit kombëtar po hapen, pavarësisht të atyre copërave të zeza “qiellore” pushtetore, të cilat përkohësisht po errësojnë diellin e ribashkimit “Lokes sonë hallemadhe”, Shqipërisë Natyrore. 
Suedi, 5.8 .2007.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …