Fadil Shyti: DUKE LEXUAR VEPRËN, "REXHEP MALAJ NË KUJTIMET E MIA" TË VEPRIMTARIT ATDHETAR,  SHERIF SHERIFI

Fadil Shyti: Vështrim për librin, “Rexhep Malaj në kujtimet e mia”, të veprimtarit atdhetar Sherif Sherifi

Fadil Shyti: Vështrim për librin, “Rexhep Malaj në kujtimet e mia”, të veprimtarit atdhetar Sherif Sherifi, botuar në Prishtinë, 2023

Të shkruash për vepra të tilla të një kronologjie biografike për heronjtë dhe heroinat e popullit tonë, në radhë të parë është nder, është forcë dhe kurajë, por mbi të gjitha është detyrë kombëtare dhe njerëzore. Gjatë leximit të kësaj vepre madhështore, të intelektualit veprimtar dhe punëtorit të devotshëm Sherif Sherifi, plotësisht u binda për këtë.
Nuk ishte aspak e lehtë, për mua lexuesin e pasionuar të zhanrit të këtyre veprave historike. Them historike, sepse personazhet e këtyre veprave si kjo, nuk ishin as nuk janë personazhe të imagjinuara “filozofike” të shkrimtarëve që shkruajnë në sallonet e ngrohta, apo në kamp- shtëpiza verore, dikund brigjeve detare, por, ishin dhe janë personazhe realë, që tërë “Jetën e tyre luftë” – siç thoshte gjeniu shqiptar i shekullit të kaluar, luftuan për një Shqipëri të lirë, të ribashkuar dhe të përparuar.
Prandaj, duke qenë besnikë të këtyre idealeve, gjegjësisht luftëtarë dhe luftëtare të këtyre objektivave madhore kombëtare, heronjtë dhe heroinat tona, si Adem Demaçi, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Rafi Halili, Zija Shemsiu, Bajram Bahtiri, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Metush Krasniqi, Hasan Ramadani, Besim Ndrecaj, Nebih e Tahir Mehaj, Adem Jashari, Fehmi LLadrovci Xhevë Lladrovci-Krasniqi, Fatime Hetemi dhe në kolonën shumëvjeçare, për më tepër se një shekull, marshoi një armatë e pathyeshme idealistë dhe idealiste e cila u ndesh dhëmbë për dhëmbë e flakë për flakë me armiqtë dhe tradhtarët në sheshet e demonstratave, në gjyqet e shtetit pushtues jugosllav duke e mbrojtur kauzën tonë të drejtë kombëtare, pastaj qëndruan si viganët dhe viganet në burgjet e rënda, ku jeta dhe vdekja “puthen” ditë e natë, krejt “papritur” tmerrësisht u ndeshën dhe në llogoret e LÇ-re, si guerilas të orëve të para të krismave të armëve të lirisë.
Derisa po shkruaja këtë vështrim modest, rreth këtij libri, i cili vërtet karakterizohet nga elemente të fuqishme mbresëlënëse për lexuesit, në veçanti nga dy aspekte: nga thjeshtësia e frymës revolucionare dhe nga madhështia e veprimtarisë revolucionare kombëtare të heroit Rexhep Malaj, duke filluar me pjesëtarët e familjes, me shoqet, me shokët në çdo cep të atdheut, që nga Gjilani, në Besianë, në Prishtinë, në Vushtrri, në Tetovë, në Tiranë në Vlorë e gjetkë, duke i kapërcyer kufijtë e Shqipërisë Etnike, në ish-Jugosllavi dhe duke kaluar më tej në shtetet perëndimore me qëllime të caktuara për të çuar përpara organizimin e Lëvizjes Çlirimtare, duke u organizuar grupet dhe organizatat ilegale, të cilat me veprimtarinë e tyre të pandërprerë atdhetare, filluan t’ia lëkundin themelet shtetit pushtues jugosllav; kujtojmë këtu, demonstratat e fuqishme në Kosovë, Tetovë e gjetkë, të viteve 1968, 1981 dhe më pastaj, gjer në organizimin e gueriles shqiptare e cila daton që nga fillim vitet pesëdhjeta, e formuar në Tiranë, me udhëzimin direkt të Komandantit legjendar të LANÇ-re,  shokut Enver Hoxha.
Me këtë rast, vlen t’ia kujtojmë lexuesit që, në këtë formacion ushtarak i cili mund të quhet me plot të drejt: bërthama e parë e UÇK-së, e formuar nga shteti shqiptar.
Këtë e ka theksuar dhe analisti i njohur, James Pettifer, në librin e tij, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”-nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001.
“Në vitin 1949 Enver Hoxha dhe komandanti ushtarak Mehmet Shehu, kishin pasur komunikim me Stalinin për mundësinë e krijimit të një force të armatosur për të përmbysur qeverinë e Titos në Beograd, duke filluar me një kryengritje të armatosur në Kosovë, në ditarin e tij të 5 korrikut të vitit 1949 Çuvahini përmend një diskutim që kishte pasur me Shehun për mundësitë ushtarake për të luftuar kundër regjimit “revizionist”, brenda Jugosllavisë Jugore, edhe pse nuk kishte një tablo të qartë të strategjisë së Moskës, ai shkruan:
“Midis nesh është shtruar çështja, sesi të organizojmë luftën kundër titistëve në Jugosllavi. Nuk e dimë se cila mënyrë është më e mirë, që çdo republikë në Federatën Jugosllave të luftojë kundër klikës së Titos në mënyrë të pavarur dhe, në një rast të tillë lufta mund të caktohet në krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë, apo që lufta kundër trockistëve jugosllavë nga klika e Titos duhet të zhvillohet nga një qendër e vetme”-7, f. 55.
-Më tej, në këtë libër jepen të dhëna faktike që lexuesi mund të mësojë më tej për ekzistencën e gueriles shqiptare, e formuar me direktivë të Enverit dhe të PPSH-së, kryesisht e përbërë nga struktura të shtetit shqiptar që, në radhët e saj ishin atdhetarë të dëshmuar me veprimtari kundër-jugosllave dhe të ndjekur politikë si Salih Shatri, Ajet Haxhiu, Sherif Tërstena Shaban Braha, rapsodët popullor, Dervish Shaqa, Ibush Neziri, e shumë të tjerë…
Atdhetari i devotshëm Sherif Sherifi, në librin me kujtime për heroin Rexhep Malaj, të cilin e kishte shok që nga rinia e tij në bankat shkollore, iu ka qëndruar besnik rrëfimit të ngjarjeve kronologjike të jetës dhe të veprimtarisë së heroit, duke arritur me sukses të pasqyrojë gjendjen e rëndë politike, ekonomike, kulturore, shkencore, sociale të popullit tonë në ato vite të rënda të robërisë.
Duke bërë këtë, në vepër përfshihen shumë njerëz përparimtarë të cilët me sakrifica të mëdha e dhanë kontributin e tyre në shërbim të lirisë së atdheut.
Poashtu, ai heroin e veprës e ka përshkruar thjesht dhe bukur, në mënyrën më realiste, pa bërë as më të voglën përpjekje që ta “tjetërsojë” fjala vjen, duke i dhënë figurën e një personaliteti të madh, të paarritshëm, “autoritativ”, tip burokrati e të tjera.
Heroi Rexhep Malaj, në këtë vepër  kujtimesh, paraqitet shumë origjinal; një djalosh i zgjuar, punëtor dhe intelektual i edukuar kombëtarisht, i etur për dije, një revolucionar i thjeshtë dhe i vendosur, i cili fuqinë e tij nuk e merr nga frymëzimet e rastësishme me vrulle që, siç thotë një fjalë e urtë popullore jona: “Nuk shpërthente si fruthi”. Rexhepi, ishte edukuar me kohë
shqiptarisht nga babai i tij atdhetar, Mehmeti. Ky burrë trim, që e kishte bartur mbi supe qëndresën e ushtarit të lirisë gjatë LANÇ-së, por që më vonë e kishte ndier thellë padrejtësinë që iu bë popullit tonë, me ricopëtimin e atdheut në vitin famëkeq 1945, nga fuqitë e mëdha imperialiste dhe renegati i LANÇ-së, Josip Broz Tito.
-Duke mos e larguar për asnjë çast, heroin e tij nga gjiri i popullit, autori e ka pasqyruar bukur figurën e tij të vërtetë; figurën e ndritur të një komunisti shqiptar të vendosur, i edukuar dhe i mbrujtur fuqishëm me idetë enveriane, thellësisht kombëtare shqiptare.
Vlen të theksohet fakti që, publicisti- kronikan i asaj kohe të mbarsur me shumë ngjarje epike, me shumë rreziqe, nuk bie në subjektivizëm borgjez, për asnjë çast shokut tij nuk ia ka dhënë atributin e një organizatori “kryesor” të një shoku mospërfillës, mendjemadh, që vuante nga sindromi i “personaltetit të madh”, të cilit i pëlqente të komandonte apo vepronte krye më vete, thjesht; heroi ynë, nuk ishte i sëmurë nga elemente borgjeze, si ato: bajraktariste, lokaliste, burokratike, teknokratike e të tjera…
Rexhep Malaj, nuk vuante aspak nga idetë trockiste, sipas idesë së tyre famëkeqe, “të ruajtjes së kuadrove kryesore të Partisë, të ruajtjes së “personaliteteve të mëdha”, ndonëse ai ishte organizatori kryesor i aksioneve, gjurmuesi për sigurimin e teknikës dhe të materialeve për shkrimin dhe shpërndarjen e parullave, sigurimin e librave, të gazetave ilegale dhe audiokasetave që propagandonin vijën e drejtë të mësimeve të shokut Enver Hoxha dhe të Partisë së Punës, por jo vetëm kaq; Rexhepi, interesohej edhe për sigurimin e armëve, hapjen e bunkerëve për ruajtjen e këtyre materialeve dhe përgatitej edhe për rezistencë ushtarake, njëkohësisht ishte i pari në krye të detyrës, që pa hezituar printe në aksionet më të rënda me rreziqe të mëdha të cilat as i honepse fare, sikur të hidhej nga një shkëmb i lartë, duke u larë në ndonjë lum të thellë, ashtu e ndiente ai freskinë e duhisë revolucionare kur bashkë me shokët besnikë e kryente aksionin me sukses.
Ai nuk ishte nga ata që, merrte vendime kokë më vete, prandaj ishte i gatshëm që, madje edhe me sakrificën e tij të shkonte nga Gjilani në Prishtinë, fjala vjen të konsultohej me Bacin Adem Demaçi, si të vepronin, çfarë të bënin me shokë që, demonstrata në Gjilan e vitit 1968 të merrte përmasa të fuqishme, që kërkesat e demonstruesve të dalin sa më të qarta dhe të fuqishme; të ndriçonin popullin si rrezet diellore.
Sherif Sherifi, herë duke i përkëdhelur, herë duke i trazuar kujtimet, radhë-radhë që i vinin si dallgët detare dhe si rrezet diellore, që nga rinia, njohja me Rexhepin dhe pastaj takimet e tij të shpeshta në fakultet, në ato barakat e vjetra, por që brenda mureve të tyre me lagështira, kishin djelmosha dhe goca me zemrat flori, lexuesi i kësaj vepre padyshim që do të përjetojë emocione, do të fitojë njohuri më të plota dhe do të ndjen mbresa të paharruara, se si rinia jonë heroike atëbotë vuante për gjërat më elementare për jetesë: për ushqim, veshmbathje dhe për më keq vuante edhe për libra në gjuhën shqipe.
Mua, gjatë leximit më ka lënë mbresa të thella, në veçanti vizita e Rexhepit në Shqipërinë e andej Drinit. Kjo pjesë e jetës së heroit është trajtuar më thellësisht dhe më gjerësisht në veprat e shokut të tij të veprimtarisë dhe të burgjeve, Agim Sylejmanit, kushtuar biografisë titanike të heroit. Pasi e kishte kaluar kufirin ilegalisht me Isa Kastratin, tani dëshmor i atdheut në luftën e UÇK-së heroike dhe Ferdeze Mujaj, pas qëndrimit dhjetë javorë në Shqipëri, Rexhepi dhe Isai kthehen në Kosovë, ndërsa shoqja Ferdeze mbeti të shkollohet në Shqipëri.
Çka e bënë më mbresëlënëse këtë vizitë të Rexhepit:
1. Rexhepi, pasi e kalon kufirin shqiptaro-shqiptar, që në intervistën e parë, kur merret në pyetje nga organet kufitare dhe ato të azilit politik, deklaron hapur: “Jemi ardhur këtu në shtetin amë, që të kryejmë Akademinë Ushtarake, të aftësohemi ushtarakisht që, pastaj të kthehemi në Kosovë, të luftojmë për lirinë e popullit tonë”.
2. Pasi organet e shtetit shqiptar dy djelmoshat, i këshillojnë  që të kthehen në Kosovë, duke i bindur se, atdhetarët duhet të qëndrojnë dhe të veprojnë atje, jo në Tiranë. Pas disa takimeve me Shaban Brahën dhe Salih Shatrin dhe në veçanti pas takimit me udhëheqësin e PPSH-së, shokun Hysni Kapo, Rexhepi bindet që, më mirë është të kthehen që të vazhdojnë betejat në pjesën e atdheut të robëruar, pikërisht në ditën e fundit të kthimit, Rexhepi ndahet solemnisht me Salih Shatrin udhëheqës i qendrës për azil të shqiptarëve nga Kosova e gjetkë në trojet shqiptare; pas bisedës 3 orëshe, pas përqafimit që, fatkeqësisht qe i fundit; Rexhepi me grushtin lart, i drejtohet si vëllai vëllait: mirupafshim në frontet e luftës! Mirupasshim, në frontet e luftës! -ia ktheu lamtumirën luftarake, atdhetari i madh i Kosovës Kreshnike, Salih Shatri.
Nga kjo vendosmëri, lirisht mund të themi se, Rexhep Malaj kishte vendosur që në rininë e tij si gjimnazist të bënte luftën në llogore me pushtuesit, por jo i vetmuar, gjithnjë në përkrahje të atdhetarëve në çdo cep të atdheut dhe duke u bazuar direkt në udhëzimet e PPSH-së.
Në historinë e kombit tonë, kemi personalitete të shquara që kanë lënë gjurmë të thella që, shekujt s’do t’i shlyejnë kurrë, pa dyshim që njëri ndër këta flakadanë në radhët e para të historisë së re të Kosovës, do të ketë vendin e nderit organizatori, udhëheqësi, komandanti dhe ushtari i atdheut, Rexhep Malaj.
Është për t’u theksuar edhe puna e Rexhepit si mësues në katundin Marec, katund në rrethin e Artanës (ish-Novobërda). Ai, veç punës së tij me dashurinë ndaj dritës në arsim t’i mësojë filizat e reja, mësuesi i thjeshtë, bisedon shtruar gju më gju me popullin e asaj ane, bile aty arrin të krijojë lidhje dhe në aspektin organizativ, duke shpjeguar me elementë atdhetarë se, kjo gjendje në robëri nuk durohet gjatë!…
Duke lexuar këtë vepër me vlera të mëdha kujtimesh, lexuesi do të mësojë për shumë aksione atdhetare, që heroi Rexhep Malaj i kishte kryer me shokë e shoqe. Do të mësojë për golgotën e burgosjeve të këtyre veprimtarëve, e në veçanti në vitin 1975, kur u burgos i ashtuquajturi “Grupi i Adem Demaçit”.
Autori, duke qenë pjesëmarrës në këto aksione, i ka përshkruar të dhënat qartë dhe të sakta, i ka pasqyruar me besnikëri situatat e këndshme gjatë takimeve me shokë e shoqe, evokon kujtime se si kishin mësuar dhe kënduar këngë revolucionare, jo vetëm në natyrën e bukur shqiptare atje pranë lumit dhe kur punonin me traktor me bashkëpunëtorin e tij, Rexhepin dhe vëllain e tij, Hasanin, i cili ju thoshte: “Do t’ju shëtis me traktor udhëve të katundeve, deri te lumi,
(ku ata nxirrnin rërë), nëse ju këndoni këngë për shokun Enver”, prandaj djelmoshat atdhetarë ia krisnin këngës si bilbilat e Kosovës së Shqipërisë.
Vitet e rinisë, natyrisht që janë më të bukurat për njerëzit, por kur ato vite ne brezi ynë, i kaluam në robëri, dhe kur përpjekjet e rinisë nuk reshtnin së vepruari për liri, në çdo kohë dhe në çdo vend, ishim të rrezikuar të ndesheshim me hienat armike serbo-çetnike, por edhe me ish-bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës, me tradhtarët e atdheut.
Të gjitha këto gëzime dhe hidhërime i ka përshkruar fort bukur dhe me nota tepër melankolike me rastin e burgosjeve dhe të vrasjeve të heronjve tanë.
Mirëpo, vlen të theksohet fakti që, përkundër gjithë atyre peripecive të jetës, kronikani i devotshëm, asnjëherë nuk bie në pesimizëm, nuk mposhtet ideja e tij dhe jona optimiste se,-siç do të shkruante me optimizëm tej-tej parashikues historiani atdhetar Ajet Haxhiu: “Populli i Kosovës është i përjetshëm dhe do të fitojë!”
Shikuar nga ky aspekt, ndonëse ende kemi shumë për të bërë, optimistëve koha po iu jepë drejt; atmëmëdheu ynë, ndonëse është ndeshur dhe ende po ndeshet me shumë bllokada të forcave të errëta reaksionare të jashtme dhe të brendshme, i vendosur të fitojë lirinë dhe ribashkimin kombëtar, gjithnjë ka marshuar përpara në histori, më në fund, do të fitojë.
“Populli shqiptar e ka çarë historinë me shpatë në dorë” (Enver Hoxha).
-Duke përfunduar këtë përsiatje të udhëtimit nëpër kohëra historike, shokut tim të idealeve të larta kombëtare, Sherif Sherifit, i uroj shëndet dhe suksese, e gëzofshim Shqipërinë e Ribashkuar!
Rroftë Shqipëria Etnike!
Lavdi dëshmorëve të atdheut!
5 Mars, 2023
9 Janar, 2024

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …