Fahredin Hoti u lind në Krushë të Madhe më 27 nëntor 1953, nga babë Shemsedini e nëna, Nasibe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje Shkolla Fillore Bajram Curri, ndërsa shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren në “Luciano Motroni”. Fahredini, si nxënës i shkollës së mesme, për pos që ishte shumë i interesuar për mësim, ishte fisnik e mbi të gjitha, shumë besnik. Ai ishte prijatar dhe organizator i aktiviteteve të lira që bënim ne si nxënës në përgjithësi dhe klasa jonë në veçanti sidomos pjesëmarrës i orëve letrare dhe garave në futboll të vogël, të cilat nuk mund të organizoheshin pa të si organizator dhe pa Fahredinin si pjesëmarrës.
Ai fakultetin e Mjekësisë e regjistroi në Sarajevë dhe studimet e mjekësisë i kreu në Prishtinë në viti 1982. Një kohë të gjatë punoi si mjek i praktikës së përgjithshme në Rahovec e rrethinë, duke u treguar i palodhshëm dhe gjithmonë i gatshëm për t´u ardhur në ndihmë pacientëve të kësaj ane. Në vitin 1991 kreu specializimin nga gjinekologjia me akusherisë në Rijekë të Kroacisë. Ndërsa sup specializimin të gjinekologjisë në Beograd. Pas kryerjes së specializimit, si gjinekolog me zell e përkushtim punoi në Rahovec, Malishevë dhe Prizren. Në planin profesional e shkencor ishte shumë ambicioz. Ka marrë pjesë aktive në të gjitha tubimet shkencore e profesionale nga lëmi i gjinekologjisë me obstetrikë, mbajtur në Kosovë, Shqipëri, Kroaci e më gjerë.
Prania e Dr. Fahredinit në Repartin e Gjinekologjisë me Obstetrikë në Prizren, nuk i shkoi përshtati pushtetit serb. Sikur shumë gjinekologë të tjerë shqiptarë më parë edhe atë e përjashtuan. Pas hapjes së lindores „NËNA“ në Prishtinë në kuadër të Shoqatës Humanitare Bamirëse „Nëna Terezë“, Dr. Fahredini iu bashkëngjit gjinekologëve të tjerë të Kosovës në punën humanitare për mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe fëmijëve të Kosovës. Po ashtu njohuritë e veta profesionale e shkencore ua mësoi edhe brezave të rinj, duke punuar si mësimdhënës pa kurrfarë kompensimi material në shkollën e mesme të mjekësisë „ Dr. Luciano Motroni “ në Prizren nga viti shkollor 1993/94 e deri para vrasjes. U angazhua në veprimtari të shumta në Shoqatën e të Gjelbërve të Kosovës, si dhe Shoqatën „Mjekët pa kufi“.
Në verën e vitit 1998, Krusha e Madhe u bë strehë e disa mijëra shqiptarëve të dëbuar si nga regjioni i Malishevës ashtu edhe nga i Rahovecit. Ditët e natën ambulance e tij ishte e hapur. Fahredini jepte ndihmën mjekësore, pa asnjë përtesë kudo që kishte nevojë: në mal, nëpër shtëpi, kudo ku mungesa e mjekut rrezikonte jetën e popullit të tij.
Për mbrojtjen e shëndetit të popullit dhe familjeve të atyre që lirinë e deshën më shumë se jetën Dr. Fahredini nuk ishte vetëm gjinekolog, por ai në kohën e luftës ishte mjek për të gjitha hallet e pacientëve. Kreu punët e pediatrit, kirurgut, internistit edhe të teknikut mjekësor, duke filluar nga Krusha e Madhe, Pagarusha, Drenoci, Açareva, Likoci, e shumë vende të tjera të Rahovecit, Prizrenit dhe të Malishevës, ku në shtëpitë e rrënuara të këtyre anëve dhe nën flakën e pushkëve, për herë të parë dëgjoi zërin e fëmijëve të lirisë-trashëgimtarëve të së ardhmes, së cilës i gëzohej pa masë. Me fillimin e luftës në Kosovë disa ushtarë kanë ardhur te shtëpia dhe kanë marrë dhe kanë shkuar në Spitalin e Likovcit në Drenicë për një rast ku disa ditë ka qëndruar dhe rregullisht mandej ka bashkëpunuar me shtabin e Drenicës dhe me ushtarët Abedin Gashin nga Rrezalla me Gjeneralin Ilaz Derguti dhe shumë ushtarë tjerë nga Drenica. Ka bashkëpunuar edhe në Zonën e Pashtrikut me gjeneralin Enver Cikaqi, hoxhën, Feta Bekollin Rogoves, në Spitalin e Pagarushes me doktor Agim Hazrollin. Ka shëruar shumë ushtarë në ordinancën e vetë në Krushë. Ka bashkëpunuar me Gani Krasniqin komandat në Malishevë. Nga ditët e para prej daljes e Ushtrisë Çlirimtare në Drenicë dhe ka vazhduar në zonën e Pashtrikut. Ka furnizuar me barna në Drenicë, Malishevë, Rahovec, Has.
Ka qenë disa herë në Drenovc të Rahovecit ku ka ndihmuar Shtëpinë e shëndetit dhe Shtabin Ushtarak. Në ofensivën e UÇK-së, ne forcat Serbe ne Bellacerk, Randobrave, e shumë ka bashkëvepruar me Enver Cikaqin, Lulzim Krasniqin, Osman Zyberin, Kapllan Hoti nga Rogova, shumë të tjerë. Me 25.03.1999 në Krushë e ju ka dalë në ndihmë të plagosurve kur edhe Krusha e Madhe dhe fshatrat e tjera të regjionit të Rahovecit u përfshinë nga lufta, gama e angazhimeve të doktor Fahredinit u rrit edhe më shumë. Tashmë pacientë të tij u bënë edhe shumë luftëtarë të lirisë, të plagosur në vijat e frontit me armikun serb. Kur ushtria, policia dhe paraushtarakët serb bënë masakrën e Rugovës, të gjithë të mbijetuarit, të plagosur janë kuruar nga dora e mjekut Fahredin Hoti. Ndërsa në Luftën e Bellacërkës që u zhvillua nga 18 korriku 1998, doktor Fahredini ishte përkrah luftëtarëve të lirisë, në vijë të parë të frontit në gjendje gatishmërie për të intervenuar në çdo kohë
Shtëpia e tij në Krushë të Madhe u shndërrua në spital, ku kurohen shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë nga të gjitha trevat e Anadrinisë e të Malishevës, të cilët gjendeshin të rrezikuar dhe në gjendje të rëndë, pa ilaçe dhe pa ndihma mjekësore. Shtëpia-Spital e doktor Fahredinit ishte mobilizuar në 24 orë pandërprerë, ku kishte një numër të madh ndërhyrjesh kirurgjike dhe gjinekologjike, në të cilën spital brenda një viti janë të evidencuar mbi 800 lindje. Në këtë spital-shtëpi doktor Fahredini kishte të angazhuar bashkëshorten e tij, Nexhmijen, si dhe dy kunatat e tij, Lejlanë dhe Hatixhe Hotin.
Doktori dhe bashkëveprimtari Selami Sylejmani kujton kur Dr. Fahredini, kishte kërkuar nga ai ti mblidhte të dhënat mbi numrin e të plagosurve dhe të vrarëve, natyrën e plagëve dhe me çka janë shkaktuar. Kur e pyeta pse të duhen, më tha të tregoj më vonë. Më vonë kur përfunduan punët rreth mjekimit të plagëve dhe përkujdesjes së të plagosurve, dr. Fahredini më tregoj se këto të dhëna i kishte dhenë në një intervistë gazetarit dhe publicist, anglez Misha Glen (Misha Glenny) i cili raportonte për mjetet e informimit të perëndimit. Dr. Fahredini në mënyrë të detajuar këtij gazetari ia dha të gjitha informatat lidhur me masakrën në fshatin Zhur. Kjo ishte një trimëri dhe guxim që mund ta bënin vetëm ata që lirin e kishin ideal.
Në ofensivën e përgjithshme serbe të pranverës së vitit 1999, e cila përfshiu mbarë Kosovën, Dr. Fahredin Hoti, në një spital fushor të improvizuar në kodrat e Krushë së Madhe kryen disa operacione kirurgjike, sidomos për civilët e plagosur.
Në përpjekje për t´i vizituar të strehuarit në pyll goditet nga predhat e ushtrisë serbo-çetnike, i biri i tij KRESHNIKU, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Dashuria për të birin dhe ndjenja e lartë humaniste, nuk e lejoi t´i braktiste të plagosurit në asnjë moment. Duke u përpjekur t´i ndihmonte të birit të tij të plagosur rëndë, qëllohet nga snajperistët serbë, të cilët kishin rrethuar në çdo anë popullatën e strehuar në pyll. Edhe pse i plagosur, doktor Fahredini nuk jepej. Njeriu që kishte kuruar qindra e mijëra njerëz, u përball i vetëm me plagët vdekjeprurëse që ia shkaktuan armiqtë e popullit të tij. Ndërron jetë në përpjekje për të operuar plagët e veta, që i kullonin gjak me 26 mars të vitit 1999.
Gjendja tragjike e familjes Hoti nuk përfundon me kaq. Armiku gjakatar, i pangopur me gjakun e mjekut Fahredin dhe të birit të tij Kreshnikut, që ende të pa varrosur, serbo-çetnikët nisën keqtrajtimet ndaj familjes së Fahredinit, duke i rrahur e sharë në mënyrën më brutale, madje edhe i dëbuan nga vatrat e veta për në Shqipëri. Gjatë rrugës për në Shqipëri, nga rrahjet dhe plagët e rënda të shkaktuara nga serbo-çetnikët, në pikën kufitare të Morinës vdes edhe babai i mjekut, plaku i urtë Shemsedin Hoti, në moshën 67-vjeçare.
Kështu, familja Hoti me gjakun e tre brezave lau tokën e Kosovës, duke u sakrifikuar për lirinë e atdheut. Këta tre breza simbolizojnë tri kohë; të kaluarën që përfaqësonte babai i mjekut Shemsedin Hoti, të tashmen që përfaqësonte vetë humanisti mjek Fahredin Hoti dhe brezin e ardhmërisë, që e përfaqësonte i biri i mjekut, i riu Kreshnik Hoti.
Kështu përfundoi jeta e njeriut dhe humanistit, i cili nuk dinte ta urrejë askënd, por tërë jetën e vet luftoi kundër vdekjes. E vdekja e hershme e Dr. Fahredinit e varfëroi mjekësinë tonë në përgjithësi dhe gjinekologjinë e këtij rajoni në veçanti.
Mungesën e tij e ndjejmë të gjithë ne, në radhë të parë pacientët e këtij rrethi. Vepra dhe puna e palodhshme do të mbeten përherë të gjalla në kujtimet tona, si shembull për mjekun e palodhshëm. Më fjalë të ëmbla dhe punë të palodhshme shëroi shumë pacientë, si dhe shumë foshnja (shpirtëra) të njomë i solli në jetë.
U rivarros në Krushë të Madhe, më 12 gusht 1999, së bashku me 206 dëshmorët dhe të rënët për liri të Krushës së Madhe, të përcjellë nga mijëra qytetarë të ardhur për nderime nga të gjitha anët e Kosovës.
Për humanitetin dhe guximin e treguar për çlirimin e Kosovës Dr. Fahredin Hoti shpallet DËSHMOR I KOMBIT, si dhe nderohet me shumë mirënjohje nga institucione të ndryshme. Disa rrugë mbajnë emrin e tij, ndërsa në shenjë nderimi e respekti për jetën dhe veprën e tij, institucionet e komunës së Rahovecit, emrin e Dr. Fahredin Hotit ia vunë shëndetësi së kësaj komune. Për jetën dhe veprën e tij është shkruar edhe në gazetat e kohës, dhe në monografinë e Naxhije Doçit.
Dëshmori Fahredin Hoti ka lënë pas vete nënën Hasiben, motrat dhe vëllezërit: Myvedeten, Hylkijen, Mustafën, Eqremin, Fatmirin, Flurijen, Bahrijen dhe Flamurin. Bashkëshorten Nexhmijen djalin Besnikun dhe vajzat Teutën dhe Arditën, djali Kreshniku në moshën 14 vjeçare ishte martirizuar nga forcat serbe.
(Tekstin e shkruan: Mustafa Hoti dhe Dr. Selami Sylejmani)