Ditë më parë Ministria e Kulturës, nëpërmjet një ceremonie festive, bëri të njohur fituesit e konkursit për veprat më të mira letrare të vitit që sapo u mbyll. E sikurse dhe u bëmë me dije, në gjininë e romanit, ia dhuroi vendin e parë Ben Blushit, me romanin e tij të ri “Otello, arapi i Vlorës”. Ia vlente për ta parë e studjuar me shumë vëmendje romanin e Ben Blushit. Sepse kemi shumë pak vepra artistike nga shkrimtarët e mëdhenj e të afirmuar e jo më kur na jepet mundësia të kemi vepra të shkrimtarëve të rinj. Më është dukur mjaft interesante dhe më ka nxitur ta studioj Blushin që në “Ishull…”, nga që për vlerat ideoartistike të romanit të tij të parë, më së shumti ka folur botuesi dhe jo shkrimtarë të afirmuar, kompetentë. Në këtë të dytin, me një guxim të lavdërueshëm, po botuesi, është munduar të na bindë se ai që do ketë rastin ta lexojë këtë romanin e ri të Benit, do të bindet sikurse është bindur botuesi, se “një meteor i ri” ra më së fundi në letërsinë dhe kulturën tonë. Një roman i ri me shumë vlera, do të zëri vënd në raftet e bibliotekave tona, përfshirë dhe ato familjare.
Ministria, ia kaloi botuesit në superlativat e tij, sepse e shpërbleu tashmë veprën e re të shkrimtarit Blushi, duke i dhuruar çmimin e parë. Shteti, me struktura te caktuar prej tij, diti të përzgjedhë e të vlerësojë arritjet e më të mirëve, në favor të letërsisë e të artit, me paanshmërinë vendimmarrëse, gjatë gjykimit, për vlerësimin e veprave më të mira të një viti lodhje e mundim, në fushën e letërsisë e të krijimit, më së fundi u shpreh. Ja dha gjithë bujari çmimin një shkrimtari “opozitar”. Kjo nxiti njerëzit si dhe mua për ta lexuar atë roman. Prisja gjithë durim që tek krijuesi Blushi të gëlonin idetë sociale, socialiste, fryma mohuese ndaj fenomeneve negative që përjeton shtresa, të cilës i është përkushtuar. Mendova se do të kishim të bënim me një vepër me karakter të thellë shoqëror, me ide politike aktuale të hapura, jashtë spjegimeve jo fort të qarta e të sakta, eklektike, duke na dhënë një sintezë të ideve vizionare për shekullin e ri. Kështu të mund të ishte vërtetë dhe autori të shihej si përfaqësuesi i një brezi intelektualësh dhe akoma më shumë, krijuesish vizionarë, me forca dhe energji të reja, kryesisht bazuar në koncepte e forma të reja krijuese, më të qarta, më të përparuara, për të arritur drejt një kulture mirëfilltazi të re, të lirë dhe të qëndrushme. Sepse e kemi më të nevojshme se kurrë, që në kushtet e krijuara, për krejt kombin, na duhet një konceptim i ri, për një kulturë, e cila t’u përgjigjet dhe të përfaqësojë si realitetet ashtu dhe sfidat e kohës dhe problematikat jo të vogla, në kushtet e reja të zhvillimit. Por edhe për të përballuar xhelozitë dhe intrigat në formën e stërholluar, që dukshëm shfaqen si një agresion politiko – kulturor mbi themelet e kulturës gjithëshqiptare dhe fizionominë kombëtare.
Nuk kanë qënë e as janë të rastit pickimet e xungurrisjet në mitet, në traditat dhe në krejt kulturën tonë, që nga epoka para Skënderbeut, e gjer tek epoka e Kadaresë. Do ma donte shpirti, që Blushi me krijimet e tij, të ishte vërtetë një militant, përfaqësues në çarjen e brazdave të para në këto drejtime. Më duhet ta them qysh në krye të herës se ai është një krijues, por sa unë arrita të nxjerr, Blushi me këtë roman nuk është kurrsesi një i tillë.
Jo vetëm sa futesh, por sidomos kur del në fund të leximit të këtij romani, gjithkujt besoj si mua, do t`i duhet të përjetojë rastin e gëlltitjes së një cipe dëbore, përcjellë rrufeshëm në fund të stomakut. Madje ka rrezik se ashtu sikurse më ndodhi mua, mund t`i rrënjoset bindja se…as edhe një mësues i thjeshtë letërsie nuk do t`i jepte notën kaluese cilitdo antar të Komisioni të Vlerësimit të MASH-it, që i dha çmimin e parë romanit të Blushit. Vlerësimet e botuesit të kujtojnë ata që prodhonin shporta, kur ziheshin duke lavdëruar seicili shportën e vet… për vetitë ujëmbajtëse. E duke lënë mënjanë sa janë thënë lavdërime, se si dhe nga u nis komisioni që i dha çmimin e parë kësaj vepre, le të sjellim në vëmendjen e lexuesëve disa fakte që na shtyjnë në këto përfundime. Në konstatime që mund të bindin cilindo se romani jo vetëm që nuk është parë e gjykuar drejt, por edhe se me këto lloj metodash analitike, me mungesën e theksuar të vlerësimit kritik, por ndoshta nën preferenca interesash politke të ditës, të veprave letrare, i sjellim dëm të madh kulturës sonë në përgjithësi.
Në vargun e gjatë të shkrimeve dhe botimeve të këtyre gati njëzet viteve, kanë rënë në dorë të lexuesëve vepra të cilat më së shumti kanë qenë jo aq krijime të mirëfillta letrare se sa shfrime mllefesh, sajesa kujtimesh e krijimesh nga imagjinatat, më së shumti pa ide, por bazuar në polemika politike, me personazhe që harrohen sapo kalon në faqen tjetër, pa koncepte të spikatura letrare me vlera, shpesh edhe antikombëtare e mbi të tëra, nuk është parë, vlerësuar e zbatuar ajo që letërsia dhe arti e kanë të domosdoshme: kritika profesionale rreth tyre. Në romanin e tij “Otello, arapi i Vlorës”, autori nuk nxjerr asgjëkundi se nga cilat qëllime, nga cilat pozita ideoestetike është nisur në shtjellimin e këtij romani me temë nga vepra e letërsisë botrore. Duke e parë me këtë sy, qysh në fillim vërehet se aty ndeshen tema pa temë, me subjekt të krijuar, të stisur dhe me burim historik të ngatërruar në ide, karaktere, terma dhe data. Lexuesi nuk merre vesh fare se përse u lodh shkrimtari Blushi, ky intelektual i ri, që ngul dhiqelin aq larg në histori, çfarë e ka nxitur, pse gjer mu në mesjetë, kur ka jo pak arsye, tema e obligime për të sotmen, për shtresa që thotë se përfaqëson, për plot gjëra që do ta justifikonin si lodhjen dhe ndonjë mangësi. Mundet që dhe që andej të nisej, por të na evokonte ide që u përshtaten dhe synojnë të nxjerrin rënien nga e sotmja. Cili ishte qëllimi që djersiti aq shumë në ato “gërmime” ku vlerëuesit e romanit mundohen të na bindin se me këtë vepër autori, solli ar safi, për të na arkallaisur problematikën e jetës së sotme, të letërsisë e artit të sotëm me më të bukurat e kohëve të shkuara, të largëta. “Ka krijuar e sjellë një etyd, për dashurinëm” na thonë vlerësuesit. Mirëpo duke lexuar romanin aty vetëm dashuri nuk na zënë sytë. Ca më shumë bëhet i pakëndshëm, më së shumti dyshues, sepse na habit, për të mos thënë e shushat lexuesin, kur rreket të huazojë e trajtojë ngjarje e personazhe prej një teme të madhe të letërsisë botërore. Dhe e gjen rrugën e përdorimit, nëpërmjet gjuhës së një gazetarie të veshur me eklektizma dhe llafollogji sofiste, që do të skuqej edhe vetë Protagora, po të këndonte dhe po ta dëgjonte sa thotë Blushi në këtë roman. Otellua i Blushit, krejt ndryshe prej atij të Shekspirit… na “kishte ardhur nga shkretëtira, për t`i shpëtuar vdekjes dhe kishte nxjerrë nga vdekja një grua që nuk e njihte (faqe 15). Kur dihet që Otellua i Shekspirit, (pa arapin e Benit) në mesazhin e gjeniut Shekspir, personifikon njeriun e dashur fryma e të cilit përshkohet prej luftës kundër dallimit racial, zhgënjimin e tij prej shoqërisë së kohës dhe normave të saj hipokrite. Otellua i Blushit as nuk i afrohet atij edhe pse me të njëtën ngjyrë lëkure. Otellua i Benit, me majë të thoit, gervish lëkurën e nënës së vdekur të një Albano Contarinit, pakëz shqiptar e shumë italian, që na e mbajtëkej në dhomë kofomën e mëmës, të lyer me dhjamë.
Tragjedia e Otellos nuk është aq tragjedi e xhelozisë, ca më pak të një xhelozie erotike, se sa tragjedi e burrërisë, e burrave me karaktere tepër të forta… E kur shohim vlerësimin e romanit të Blushit, si një vepër që e meritoka të ngrihet në nivelet sipërore të letërsisë bashkëkohëse, krahasuar me sa na shohin sytë në roman, shushatemi. Sepse kur na thonë: ”por gjetja më origjinale dhe intriga më e pabesushme e autorit janë personazhet që gjallojnë në libër, të cilat i ka marrë nga Shekspiri…” na lind vetevetiu pyetja:këtu apo mos gjetkë?..”Të njëtat role-vlerëson botuesi në paskapakun e romanit – por të vendosura në kohë një qind vjet më parë se tragjediani i njohur të kishte lindur…Otello, Dezdemona, Emilia, Jago e Kasi, janë figura të njohura të letërsisë botërore, por që në këtë roman, veprojnë jo vetëm në Venedik, por më shumë në Vlorë, në bashkëpunim me shumë figura interesante vlonjate, të krijuara nga autori, si mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti etj…”! Vëmë duart prapa koke! Këto që na thonë, janë brenda këtij romani që këndojmë ne apo në ndonjë tjetër? Mirë që nuk u ka shpëtuar të na thonë edhe se…”gjynah që nuk rrojti Shekspiri, të këndonte romanin e Blushti, se do ta kishte hedhur të tijin! Do t`i kërkonim të falur botuesit në se ka vënë autorësinë në paskapak, në përpilimin e vlerësimit në fjalë, prej vetë autorit.
Si në rastin e Otellos ashtu edhe të Desdemonës apo të cilitdo prej personazheve të trajtuara, autori i ka katandisur si mos më keq, gjithë ato vlera, atë mëshirim artistik të të vërtetave universale të psikologjisë njerëzore, me përmbajtjen më të thellë humane, që u dha Sheksipir personazheve, por që kur i ranë në dorë Blushit i përçudnoi. “…Otello kishte mësuar të kontrollonte ethet e shpirtit të tij. Ai bëri sikur nuk i shifte shënjat e dashurisë, që Kasi dhe Desdemona linin nëpër shtëpi. Natyrisht që etja për të mësuar se sa larg kishin shkuar trupat e tyre, disa herë e nxiti të përgjonte pas derës apo të fuste sytë nëpër bravat e thella duke parë se si dashuria (ku xhanëm ishte dashuria, me se lëvizte, me trupa apo me shpirt e zëmër?, Shënimi im) zhvishej, djersitej, kafshonte dhe pastaj flinte nën dehjen e avujve që krijonte, kullonte dhe pastaj flinte (si mundet që dhe ta zinte gjumi xhanëm! sh.im) nën dehjen e avujve që krijonte…”. Megjithatë, sa herë gjente shenjat e harruara të Kasit dhe Desdemonës, i pastronte. (fakiri…! sh.im).”
…”Otello u kthye në një fshesë të dashurisë tyre. Duke ndjekur gjurmët ai mësoi gjithçka, që një njeri mund të mësojë nga lidhja e një burri dhe një gruaje, por Otello nuk donte që shenjat e tyre të shkujdesura të binin në sy… Kishte pranuar të jetonte me tradhtinë, por nuk donte që të tjerët ta dinin se Kasi (ai burrë i martuar) me Desdemonën …”!-bënin atë që bënin dhe ai, kodoshi ia u fshinte me lecak! (faqe 306). Një personazh i ftiqisur kështu, i rënë në këtë derexhe dhe ku pa në …Vlorën e mesjetës, të bën ta marrësh romanin dhe ta hedhësh! Sepse me një studim të plotë të figurës qëndrore të romanit, figurës qëndrore të tragjedisë, zbërthyer njëkohësisht si në rrafshin psikologjik edhe atë social – historik, nevoitet të nxirren vlerat ideoartistike. Kjo e ndihmon lexuesin që të kuptojë se autori, me idetë e tij na tregon diçka reale dhe na mundëson të bëjmë vetë konkluzionet.
Plot shkrimtarë të mëdhenj, sepse kanë qënë realistë, në kohë të ndryshme, kanë dhënë vepra të mëdha, edhe pse si pika referimi për veprat e tyre kanë shërbyer krijimet e dramaturgëve të mëdhenj, ose vepra të së tjerëve. Se edhe vete Shekspiri, subjektin per Otellon e mori nga Hekatomiti (nje mije prralla) te novelistit Italian Xhiraldi Çinito(Giraldi Cinthio) Nga perralla pa ndonjë peshë leterare e Çinitos krijoi një kryevepër artistike nga më të mëdhatë që pa bota. Po kështu edhe Ibseni. Me dramën e tij “Zonja Ingra e Ostrotit”, e përafërt me dy dramat e Sheksipirit “Jul Cezari” dhe “Makbethi”, jo vetëm si kohë e përbashkët, kur zhvilloheshin ngjarjet, por edhe nga figurat, po ashtu edhe nga problematika e shoqërisë mesjetare. Ibseni, si mjeshtër i madh që ishte, jo që nuk kopjoi keqas personazhet e Shekspirit, pa le më t’i deformonte, por e bëri lexuesin, që duke ecur në brendinë e ndërlikuar të ngjarjeve që shtjelloi, sqaronte mjeshtërisht rrethanat historike të ngjarjeve që zhvilloheshin në Norvegji, duke i mëshuar idesë së kryengritjes të popullit norvegjez kundër pushtuesave danezë. Ai i dha popullit të vet dhe mbarë botës një dramë të përshkuar tërësisht prej frymës së thellë patriotike, ndërtuar mbi situata heroike. Një gjë të tillë e provoi dhe Kadareja te “Hamleti, ky princ i vështirë”, por ku e ku me guximin e Blushit me “Otellon…”. Cilat konkluzione na mundëson ky shkrimtar me këtë katandisje të herojve të huazuar nga kryevepra botërore? Tentoi t’i bëjë shqiptarë heronjtë e tij apo të përgjasonte problematikën e Shqipërisë të mesjetës me atë të Venedikut. Mbase, por nuk ia arriti. Kështu Beni jo vetëm që nuk ecën vetë mirë dot më tutje, por na pret këmbët që të hedhim edhe një çap më tej në veprën e tij, ne lexuesave.
Me durim e shtyjmë dhe arrijmë tek pjesa kur, Komita Muzakës, vejushës së Balshës (nuk na thotë se cili nga Balshët, i ati, apo njëri prej dy të bijve, por ne e marrim me mendje se për cilin e ka fjalën), i lind shqetësimi, për martesën e të bijës Ruginës. (Me siguri autori evokon për Rexhina Balshën, mbretëreshën e Kaninës). Se sipas autorit…” ajo vajzë ishte rritur për t’u martuar”. (Pse vajzat e tjera në Vlorë e në botë mos janë rritur ndryshe vallë?) Sipas filozofisë së autorit…”në luftë (me turqit që sulmuan radhazi trojet shqiptare në vitet 1380, 85, 86, 89, 417 e në vijimet) vajzat nuk kanë asnjë detyrë tjetër. Ato duhet të martohen që burrat të shkojnë të qetë në luftë, me shpresën që nëse kthehen, do të kenë një grua që i pret…” (kur Desdemona e tij edhe pse e kishte nëpër këmbë Otellon, nuk e kishte të vështirë të rrinte me këmbë përpjetë me Kasin, mos ato të tjerat, ecur në llogjikën e Benit, do rrinin duke pritur ata që mund të mos vinin? Dhe “Komita kishte bërë gjithçka kishte mundur, për t`i gjetur Vlorës burra, por pa u martuar. (Edhe burra edhe pa u martuar…vetëm këtu e shikojmë!) Këtë detyrë lufte, që dikur e kishte kryer vetë, tani ia kishte kaluar të bijës. Ndryshe nga vajzat e varfëra që u jepen burrave për t’i ushqyer, vajzat e princave duhet të martohen, (vini re perdorimet e kohëve të foljeve!) për të siguruar pronat familjes, qyetet e tyre, pasurinë dhe emrin…”, (faqe 258). Dhe pasi na lebetit me filozofinë e tij, jashtë kontekstit historik (pasi ai duhet të ketë mësuar diçka prej studimeve brilante të gjyshit të tij se.. Golem Araniti i Golemit të Labërisë, feudal edhe i krahinës e Vlorës, njërën prej bijave të tij, ja pati dhënë një Dukagjini, por kurrsesi për motivet që thotë Blushi) …Komita ja dha të bijën një Mrkëzha Kasimir Zharkoviçi, i cili me bukurinë e tij pataksi krejt Vlorën…” qysh se turqit patën ardhur në këto troje përpara njëqind vjetësh…”!
Të habit diskordanca historike e autorit i cili nuk paska haberin se turqit osmanë i shkelën trojet shqiptare, për herë të parë në vitet 1380, të ndërsyer prej despotit serb të Janinës, Thoma Preluboviçi dhe jo si ja këput kot së koti autori, njëqind vjet përpara. Zharkoviçin vlonjatët e thirrën Kasi… ”sepse (sipas autorit) shqiptarët, ndryshe nga serbët, nuk i thonë emrat më shumë bashkëtingëllore që duken si meshkuj, pa i çiftëzuar me zanore femrash. Kur pas disa muajsh Kasi erdhi në Vlorë, qyeteti doli në rrugë për të shijuar bukurinë e tij”, (ndodh kjo lajthitje e autorit se ai nuk e di që Gjergj Balsha ishte ndër më të bukurit meshkuj që kishte parë Arbëria.). “I hipur mbi një kal të bardhë ai dukej si një diell që ka (e tanishmja…!) shaluar një re… Koka i qeshte nga lumturia( se ku e ka parë autori, që dhe koka qesh, askusah nuk e merr dot me mndje) dhe sytë e ëkaltër kullonin një ëmbëlsi të ngrohtë, me të cilën Vlora, e uritur për burra, (që kur e paska ditur Blushi se Labëria, bregu i burrave të bukur e levendë, Vlora e djemve e burrave të bregut, paskej mbetur tharë për burra?)… u ngop duke lëpirë buzët, për një kohë të gjatë…” (faqe 259). Është e tëpërt të themi se Blushi jo se nuk e njeh Vlorën, humorin, ironinë vlonjate, sedrën dhe kapriçon vlonjate, por ai nuk njeh krenarinë e burrave të saj, bukurinë e burrave e të krejt Bregut, krej Labërisë. E ku ka bërë ndonjëherë Vlora njeri për mbi ta, që i paskej ardhur radha Zharkoviçit tënd more Beni! E kjo jo vetëm gjatë Mesjetës, por gjer në ditët e sotme. Ndaj edhe filozofon, i dashuruar me vetvehten, kur dy tre radhë më poshtë na thotë se…” burrat e bukur kanë aftësinë për të frymëzuar turmat’’! (Pse, cili nuk e di në këtë faqe dheu, që të shëmtuarit, gogolët, historia e zhvillimeve të shoqërisë njerëzore i ka quajtur o jo të bukur, ose gogolë. Por të parët nuk e bëjnë dot historinë pa të dytët. Por tamsm në këtë rast na duhet t`i vëmë në dukje autorit dhe atyre që e kanë redaktuar se në krejt romanin bie në sy një masakër mbi përdorimin gramatikor të kohës së foljeve, brenda kontekstit të frazës. Gjë që nuk është në hisen e Benit.
Shkrimtari Blushi arrin “kulmin” e krijimit të tij”, kur vë në shtrat Ruginën me Kasin….Sipas traditës labe dhëndërri, kur e përcjellin për në në dhomën e nuses, o do t’i jepnin një shqelm në prapanicë (në rastin në fjalë, pse ishte sërb, mundet dy a tre njëherësh) o do kërcisnin ndonjë fishek pushke). Blushi nga që nuk i di këto ja se si na thotë: ”Kur pas një jave Kasi dhe Rugina fjetën bashkë, gjithë qyteti (Vlora medemek) e priti ngjarjen në rrugë. Burrat qeshnin me shpoti, gratë që e kishin kaluar atë përvojë të përgjakshme (e jo a derbardhë se nuk është lemeri ajo punë perëndie!) shtynin orët me ankth, ndërsa fëmijët i mbyllnin nëpër shtëpia sepse çështjet e nderit, (nuk është çështje nderi kur fle me gruan tënde, ca më shumë kur është … përherë të parë, more z.Blushi, por kur gremise.. me të tjetrit. Ke kaq kohë me Benin vlonjat dhe nuk e ke pyetur!) ndryshe ato të luftës, ishin ende të ndaluara për ta. Megjithatë fëmijët e dinin se çfarë priste qyteti dhe kur çarçafët me njolla gjaku të vajzërisë së Ruginës, u varën si flamur mbi bedena, heshtja u kthye në gëzim…”! (faqe 261). Këtë lloj llafollogjie bajate e marrë për art, ku gratë janë ato të vetmet që kanë përvojën e natës së parë të martesës, kurse…. burrat vlonjatë prisnin se… ç’do të kërciste, një serb i bukur, brenda bedenave të kalasë së mbretëreshës së Kaninës dhe ku çarçafët e gjakosur nga pellgu i gjakut virgjëror të Ruginës, (tamam sikur aty të ishte therur një dem i ushqyer … mesarakëve të Armenit,) vareshin faqeve të shtëpive vlonjate… për harenë e jetuar! (Vetëm Blushi në e martë vesh këtë haberisje në mënyrën çalla ma ka çalla!) Pa le më kur…. fëmijët e mbyllur haureve dinin ca më shumë se vet baballarët e tyre, gjë që heshtjen e ktheu në gëzim popullor…! ”Vlora lëshoi një frymëmarrje të gjatë që pasi u end si dallgë mbi qytet… përfundoi…mu në fund të detit. Kësaj letërsie more i dashur Beni i thonë: Mu te guri që bon xixa, ose “dridhe mi çuno dridhe, shaminë e Desdemonës oooo! Dhe nja dy apo tre faqore rakie pranë, mirë do bënin! Por nuk mbaroi këtu historia e të bukurit Kasi….Ai si u zgjua nga gjumi pa Komitën me një tas mjaltë dhe lugën në dorë. Kurse Rugina i tha së ëmës ”m’u duk se dinte më tepër se ç’duhet…(ky trapi…mbase deshi t`i thoshte)”. Dhe vijon ajo apo e ëma, autori nuk na e bën të ditur, por na thotë se …”Duhet të jetë fërkuar më shumë zuska para se ta merrnim… (faqe 261) (të bukur femër labe paska gdhendur Blushi!).
Për djeni të tij, Rexhina Balsha, mbretëresha e Kaninës, sapo turqit shkelën Vlorën iku dhe u strehua në kështjellën e Gjonboçarëve. Aty, pasi mbushi dy karavë (anije druri me vela- sh.im) me dhe`labërie u hodh në Korfuz, nga që nuk pati mundësi të hidhej në Itali. Aty ndërroi jetë duke u varrosur… në dhe` të saj. Duke kënduar xhevaire si këto, nëpër faqet e romanit të Blushit, mu kujtua një histori e përjetuar në kohën kur punoja si gazetar në Agjencinë Telegrafike. Një patrioti im më erdhi dhe më solli një tufë me strofa poezi baritore, nga të cilat njëra më bëri të rrënqethesha. Se fillonte …”O Enver dashi me bype (bype në Labëri i thonë këmborës së madhe, varur në qafë të përçorit) /I hipe kalit dhe… ike..! I shkreti ishte burrë i mirë e patriot, por nxitur prej të shkruarave të shumta të kohës, kush e kush të fliste e të shkruante për Enver Hoxhën, ishte përpjekur e kishte krijuar ato që më solli, me shpresë që unë t’ia botoja. Dhe ajo më duhej! Enverin jo vetëm që e kthente në dash, por i varte dhe një këmborë në qafë. (Nuk pati mundësi të më thoshte se cili pikërisht do kishte guximin ta kapte Enverin, për t’i varur bypen, sikurse bën Blushi me heronjtë e veprës së tij). E ashtu të ormisur për … e hipte përsipër një kali, për t’i dhënë revanin të ikte… s’di për diku. Ku e merrte me mendje i shkreti krijues popullor se ku mund t’i afrohej kush atij burri, pa le më t’i varje në qafë dhe kumborën e dashit! Tundej kollaj vendit Enver Hoxha! Kurse krijimi i Blushti të tund vërtetë!
Blushi guxon e katandis Otellon e tij në një përçudnim tipik, tek sa i vë në qafë një trastë të turkut Hamit, shoqëruar me një kërkesë dhurate për Komitën. Dhe ai si teveqel që nuk dinte, nuk u bë as kurioz për të parë ç’kishte brenda trastës, për ta mësuar si ai që “E di Kola ç`ka në torbë”, e merr dhe ia shpie Komitës kokën e burrit të saj Andreas, që asaj…” i dogji kur e hapi si një kaktus i pagjumë…”. (Lere për krahasime!). Në fund, më duhet të shpreh edhe nja dy konsiderata lidhur me sa shtjellon autori në roman.Nëpërmjet atyre mund të kuptojë lexuesi botëkuptimin vertikal të autorit, shprehur si këtu edhe në rastin e romanit ku Blushi… jeton në ishull. E gjithë krijimtaria e tij është një shtrëmbërim i të vërtetave historike, për të mos thënë është një padije e hatashme nga të lajmëruarat njerëzve prej mesazherëve të hrijuesit. Mund të bindet gjithëkush se Ben Blushi nuk ka lexuar pa le më studjuar as Biblën as Kuranin. Ama të mos ia hamë hakun ka një guxim të çartur, për t’i thënë “burrërisht” edhe gjërat që nuk ua ka idenë. Me siguri e ka fjalën për turqit, por thotë me gojën e Albano Contarinit …”ata përtej”, mundet dhe për shqiptarët. Por në të dy rastet me ato që thotë ia këput kot sepse të vertetat nuk janë sikurse i përshkruan ai. “Mbi të gjitha, ndryshe nga ata, ne kemi organizim. Kjo do të thotë se ne (vendasit e Albanos -sh.im) dimë të bashkohemi (dihet, por do të duhej Garibaldi dhe shqiptari Antonio Kripsi – sh.im) për të arritur një qëllim dhe kështu kemi krijuar ushtrinë, kishën, gjyqin, senatin, bibliotekën, hipotekën, qytetet dhe portet. Ata nuk i kanë sepse jetojnë pa organizim. Kur zihen ata vrasin njeri tjetrin, ndërsa ne kur zihemi shkojmë në gjyq. Ne kemi shtet, ata kanë fise dhe ky është ndryshimi më i madh që kemi…”. Nëse këto u drejtohen turqve ahere autori nuk e ditka se shteti i sulltanëve ishte shteti më i organizuar ushtarakisht i kohës që e bëri përëndimin të jetonte nën tmerr për shekuj me radhë. Në se e ka për shqiptarët, ai duhet ta dijë se këtu kishte shtet, kur të tjerët bënin jetë primitive. Në univeristetin e këtejm patën mësuar perandorë romakë, që lanë gjurmë në histori. Dyndjet osmane ndërpren rrugën e zhvillimit të lirë e perëndimor të shqiptarëve, por asnjëherë dëshirën e tyre për liri dhe pavarsi. Idetë e Blushit shkojnë edhe më tej, duke na qartësuar se ai ka ide bindje ksenofobe, për besimin që nuk është në bindjen e vet.’…”Prandaj ne jemi më të fortë sepse Zoti në të cilin ne besojmë është më i ditur se Zoti i tyre që, siç ju thashë është i egër dhe nuk është aqë i zgjuar sa Zoti ynë….!(faqe 25). (Ky i ri që ka mësuar diçka nga dialektika dhe historia e saj, do ta kishte marrë vesh se ai që do të vijë gjashtëqind vjet pas Blushit(si Muhamedi pas Jezusit) do të dijë të pakëtn gjashtëqind herë më shumë se vet Blushi. Pastaj, tashmë gjithkush e di, veç Blushit, se nuk ka, nuk ka veçse një Zot. Ndaj gjithë ata që besojnë tek një Zot mbeten vëllezër ..në besim. Në faqen pas këtyre xhevahireve, ka plot thagma të tjera, për të cilat një intelektual që di të bëjë dallimin mes Zoti dhe mesazherëve, veç në pastë ligësinë, që ta nxisi të përfshihet në hullitë që vetëm të këqia sjellin dhe asgjë të mirë. Por duke parë se të gjitha sa ofron intelektuali e krijuesi Blushi, nuk janë ide por sllogane, motamo me ato që dëgjojmë nëpër foltoret e shumta, ku Blushi del për të përsëritur vetveten edhe ia falim. I japim dhe një çmim inkurajues, për të bërë edhe më shumë. Ani pse letërsisë i bëjmë dëmin më të madh. E mjerojmë.