Gjendemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës. Koha e proklamimit të deklaratës së pavarësisë së mbikëqyrur sipas pakos Ahtisari po numëron ditët apo orët e fundit të këtij çasti historik për popullin shqiptar në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti.
Pas miratimit të Deklaratës së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës do të pason kërkesa zyrtare e shtetit të ri të Kosovës për njohjen e saj nga shtetet e ndryshme botërore anëtare të rregullt të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe me plot të papritura, vështirësi, pengesa gjer në njohjen përfundimtare të saj, e për të cilin nevojitet së paku 130 shtetet e botës për të njohur dhe për të fituar ulësen në OKB, pasi që njohja dhe pranimi i saj nëpërmjet Këshillit të sigurimit dështoi për shkak të kërcënimit të vetos nga ana e Rusisë, ndoshta edhe të Kinës, si dy shtete nga pesë shtete me drejtë vetoje si anëtare e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. .
Pas këtij akti historik, është shumë me rëndësi se si dhe në çfarë mënyre do të reagojë Serbia, e cila e ka përgatitur me kohë planin e veprimit të qeverisë së saj, i cili mbahet në sekret të plotë. Përveç disa paralajmërimeve të njohura të cilat veç dihen sikurse bllokada ekonomike, embargoja tregtare, energjetike, transitore, rrugore, thelbësore do të jetë se çfarë porosi ju ka dhënë komunitetit serb brenda në Kosovë, a do të përpiqet nëpërmjet tyre dhe personave të infiltruar brenda enklavave nga Serbia të provokojë destabilizimin e brendshëm të Kosovës. Përveç pjesës veriore të Kosovës që është duke e kontrolluar dhe qeverisur de fakto nga viti 1999, të cilin me siguri do të shpallin bashkimin e saj me Serbinë edhe de jure, do të shpallin edhe zonat autonome përreth enklavave brenda Kosovë sikurse që janë Shtërpca, Novobërdoja, Graçanica, Çagllavica, Parteshi etj. të cilat do të vihen direkt nën autoritetin e tyre politik të qeverisë së Serbisë sipas planit aksionar të veprimit. Pjesëtarët serb të SHPK-së që janë në detyrë, përveç që do të braktisin SHPK-në, ka gjasa reale se do të ndërrojnë uniformat e tyre me uniforma tjerë. Do të mbetet të shihet se si do të pozicionohet administrata politike e UNMIK-ut si dhe forca ushtarake e KFOR-it ndaj këtyre veprimeve të qeverisë së Serbisë sipas planit të aprovuar të aksionit më parë,e të zbatuar nga komuniteti serb brenda Kosovës. Pritet të shihet se a do të ndërmarrin masa veprimi për të eliminuar këtë plan, apo në “heshtje” do të aprovojnë këtë aksion të paramenduar me kohë.
Hapi tjetër, është vendosja e autoritetit evropian nga Bashkimi Evropian apo EUMIK-u në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë i cili do të ketë rol kyç, bile edhe vendimtar, në mbikëqyrjen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, e sidomos në monitorimin e organeve shtetëror ndaj përcjelljes dhe zbatimit të lirive dhe të drejtave të komuniteteve jo shqiptare në Kosovë, e sidomos me theks të posaçëm të komunitetit serb. Hapi më i vështirë do të jetë zbatimi në vepër i pakos së Ahtisarit, i cili tek atëherë do të shihet se sa vështirë dhe i dhimbshëm do të jetë zbatimi i kësaj pakoje në Kosovë për popullin shumicë shqiptar . Zbatimi i kësaj pakoje të Ahtisarit do të ishte shumë vështirë të realizohej në shtetet evropiane me një traditë të gjatë shtetërore dhe me një demokraci të avancuar, e lere më të zbatohet një pako aq e ndërlikuar në një shtet që sapo lind dhe se në fillim do të jetë i hendikepuar dhe i shtrënguar me restrikcione tejet të ashpra dhe rigoroze që këtë shtet e bënë shumë vështirë funksional, dhe ja hup vlerat e një shteti normal dhe demokratik në Evropë.
Na mbetet t’ju urojmë dhe t’ju dëshirojmë sukses shtetit më të ri të sapolindur të Kosovës,i cili është i 51 me rrallë në Evropë, por i cili që në fillim do merr frymë thellë, i ballafaquar me pengesat jashtëzakonisht të mëdha që në fillim të jetesës së tij.
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …