leoni

Faik Miftari: Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?

Faik Miftari: Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?

Gjatë këtyre ditëve është ndërmarr  nisma për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës në Kala të Prizrenit nga Iniciativa Qytetare e Prizrenit në përbërje të së cilës janë përfshirë pjesëtar të shoqërisë civile, Bashkësisë Islame, afarist, publicist, mediat, aktivist, etj. Para se të elaborojë temën pse duhet rindërtuar  xhaminë dhe sahat kullën në Kala të Prizrenit, do të prezentojë historinë e ekzistimit të xhamisë në Kala të Prizrenit.

Me rastin e depërtimit të osmanëve në Ballkan, në vitin 1455 forcat osmane hynë edhe në Prizren, gjatë së cilës njësiti ushtarak osman është vendosur edhe në Kala të Prizrenit dhe aty kanë qëndruar gjer në vitin 1912, me rastin e largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani.  Krahas objekteve tjera që ndërtuan osmanët pas rindërtimit dhe zgjerimit të Kalasë, kanë ndërtuar edhe një xhami me dimensione të vogla brenda Kalasë për plotësimin e nevojave fetare të tyre, faljen e namazeve. Viti i saktë i ndërtimit nuk është i njohur gjer tani, por me siguri xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV-të.

Jakub bej Evrenoszade pas vendosjes së ushtrisë osmane në Kala ishte dizdar (komandanti) i parë i formacionit ushtarak osman në Kala. Xhaminë e parë në Prizren, e ndërtoi Jakub bej Evrenoszade në anën e djathtë të Lumbardhit (Bistricës) në qendër të qytetit, nga e cila xhami tani ka mbet vetëm minarja e cila qëndron stoik dhe është një atraksion i veçantë i për vizitorët e qytetit të Prizrenit. Për Jakub beun gjer tani nuk është ditur shumë, veçse konsuli rus në Prizren Ivan Jastrebovi gjatë shek. XIX, si dhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu, poashtu gjatë shek. XIX-të, kanë cek se ishte pasardhës i Gazisë së njohur Evrenos beut. Burimet osmane të kohës nuk e cekin prejardhjen e tij, por e shënojnë vetëm funksionin e tij. Në defterin (regjistrin) Muhasebe nr.167, faqe 392 shkruan:” rikabdari Jakub beu ishte dizdar i Kalasë së Prizrenit”. Në dokumentin nr. 368, fq. 463 të Arkivit Osman në Stamboll pran kryeministrisë shkruan:” Vakfi i mesxhidit të merhumit Jakub beu, rikabdar i merhumit sulltan Fatih Mehmedit II-të1.

Në bazë të kësaj mund të supozojë se krahas xhamisë së parë brenda qytetit të Prizrenit që e ka ndërtuar, gjatë kohës sa ishte komandant i njësitit osman Jakub bej Evrenoszade ka ndërtuar edhe xhaminë në Kala për nevojat interne të kryerjes së faljes së namazeve nga ushtarët osman të vendosur në Kala. Në vitin 1689 pas depërtimit të ushtrisë austriake nën komandën e gjeneralit Pikolominit, në qytetin e Prizrenit, edhe xhamia në Kala është rrënuar, krahas shumë objekteve tjera të rrënuara të  trashëgimisë kulturore islame.

Një burim ekzistues i  shkruar , nga i cili mund të kuptojmë  se xhamia në Kala ka histori të gjatë të ekzistimit,  është  mbishkrimi i xhamisë në Kala, i cili ruhet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Mbishkrimi i ruajtur i xhamisë së Mahmut pashë Rrotllës në Kala është me dimensione 67,5×53,5 cm shkruar në pllakën prej mermerit, e cila  është në gjendje relativisht të mirë,   është shkruar nga poeti i kohës Nuri efendiu. Në këtë mbishkrim të xhamisë së Kalasë përveç tjerash shkruan:” Kjo xhami në të vërtetë është ngritur pas çlirimit të Prizrenit, ndërtesa gjatë kohës është rrënuar, dhe kishte qenë në gjendje të mjerë, valiu i vilajetit, Mahmut pasha xhaminë e ka rindërtuar në vitin 1244 hixhri/1828 gregorian”.2

Rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit nga Mahmut pashë Rotlla e cek edhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu në kronikën e tij ”Menakib” të shkruar në gjysmën e dytë të shek. XIX-të, në të cilin cek se: “Mahmut Pasha në shenjë butësie ka ndërtuar në Kala një faltore që zbukuron qytetin tonë”3.

Në vakëfnamen e tij Mahmut pashë Rotlla, i cili përveç xhamisë, mbi hyrjen kryesore të Kalasë ndërtoi edhe sahat kullën, në Kala, nga vakëfet e shumta  që i ka lënë, cek edhe këtë të dhënë ” myezinit të xhamisë në Kala, hafizit të verbër 60 groshë, shërbyesit të xhamisë në Kala 40 groshë, orëtarit të orës së kalasë  gjatë vitit 60 groshë”4.

Kalaja shërbeu si fortifikatë ushtarake osmane gjer në vitin 1912, kur nga Kalaja tërhiqet ushtari i fundit osman Jashar Hoda, të cilin prizrenasit e quanin Kara Jashari që do të thotë Jashari i zi5.

Pushteti serb më 1912 kishte filluar të rrënojë xhaminë e Kalasë, në të cilën imam dhe hatib për ditën e xhumasë ishte haxhi Rrystem efendiu.6

Që nga viti 1912 dalëngadalë ka nis rrënimi i xhamisë i cili ka vazhduar gjatë periudhave të ndryshme kohore gjer tani, ashtu që në ditët e sotshme kanë mbetur vetëm themelet e xhamisë dhe minares, në të cilin shihen gjurmët e xhamisë së dikurshme ekzistuese në Kala të Prizrenit.

Thashë e thëniet se xhamia në Kala ishte e ndërtuar mbi themelet e kishës ortodokse serbe janë hedhur poshtë , me rastin e valorizimit dhe prezantimit të Kalasë për zhvillimin e turizmit në Prizren, në vitin 1969 pas kryerjes së kërkimeve arkeologjike nën udhëheqjen e arkeologut prof. dr. Jovan Kovaçeviqit nga Universiteti i Beogradit, gjatë periudhës kohore në kohëzgjatje prej 3 korrikut gjer më 5 shtator 1969, me ç’rast morën pjesë 7 ekspertë dhe 7 studentë të arkeologjisë nga Beogradi, si dhe 10 ekspert vendor të Entit për urbanizëm dhe mbrojtjen e përmendoreve kulturore dhe të rariteteve natyrore të komunës së Prizrenit. Gjatë kërkimeve arkeologjike është vërtetuar se xhamia në Kala nuk është ndërtuar mbi themelet e kishës ortodokse serbe të shën Anastasijes siç pohohej, por themelet e xhamisë janë të vendosura drejt një masivi shkëmbor7.

Këto thashetheme datojnë që nga koha e shek. XIX-të, sipas shkrimeve të konsullit rus Jastrebov, mbi të cilët është bazuar Petar Kostiqi, serbi më me influencë në Prizren gjatë kohës së Perandorisë Osmane, nga viti 1873 gjer në vitin 1912, i cili gjatë kohës së tij shërbeu ai arsimtar e më vonë edhe si drejtor i Bogosllovisë, shkollës s ë mesme fetare ortodokse në Prizren8.

Petar Kostiqi, në librin e tij shkruar për jetën kishtare të serbëve ortodoks të Prizrenit dhe rrethinës gjatë shek. XIX, glorifikoi numrin e kishave ortodokse serbe në Prizren dhe rrethinë në bazë të gojëdhënave dhe miteve, e jo në bazë të burimeve dhe fakteve ekzistuese, ashtu që cek se në:“Prizren ka pas kisha aq sa ka pas ditë viti”,  ndërsa për fshatrat e Prizrenit thotë se: “nuk ka pas fshat i Prizrenit që nuk ka pas një kishë, bile në disa fshatra ka pas edhe prej 3-10 kisha”9.

Ai cek në librin e tij se në Kala ka ekzistuar kisha e shën Atanasijes, mbi të cilët e ka ndërtuar xhaminë Emin pasha, në vitin hixhri 1226, gregorian 1805, e cila xhami në Kala gjatë okupimit serb të Prizrenit në vitin 1912 është rrënuar10.

Këto të dhëna Petar Kostiqi i ka bazuar  në bazë të dhënave të shkruara nga konsuli rus Ivan Jastrebov në librin ”Stara Srbija” i cili cek se xhaminë në Kala e ka ndërtuar Emin pasha në vitin 1805, në të cilin referohet edhe Muhamed Shukriu në librin e tij”Prizreni i lashtë…”.11

Por e vërteta  është që xhaminë në Kala nuk e ka ndërtuar Emin pasha në vitin 1805, por vëllau i tij Mahmut pasha në vitin 1828 ashtu sikurse shkruan në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë i cili ruhet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit, dhe në bazë të kritereve të hulumtimit të trashëgimisë kulturore historike është dokument relevant për vërtetimin e një fakti ekzistues.

Për dallim prej Petar Kostiqit dhe Ivan Jastrebovit, studiuesja dhe historiania serbe Dr. Tatjan Katiqi nga Insitituti i historisë në Beograd në punimin e saj shkencor të përgatitur për botim me titull” Osmanizimi i qytetit mesjetar serb të Prizrenit, gjatë shek. XV dhe XVI-të”, në saje të studimit dhe hulumtimit të materialeve dhe dokumenteve të shumta ekzistuese arkivore, ajo askund nuk cek se ka ekzistuar kisha e shën Anastasijes në Kala të Prizrenit, në mesin e kishave ekzistuese ortodokse serbe dhe ato jo ekzistuse të rrënuara gjatë kohës në Prizren, dhe fare nuk përmendet kisha e shën Atanasijes .12

Në kohën e tashme  janë duke u kryer punimet në revitalizimin e Kalasë me ç’rast përveç rindërtimit të mureve rrethuese të Kalas, janë rindërtuar edhe objekte tjera të cilët aludonin në ish objektet e dikurshme ekzistuese në Kala, sikurse që ishin ahuret e kuajve, depot e armëve dhe pushkëve, kuzhina për përgatitjen e ushqimit, dhomat për fjetje etj., dhe të cilët sipas projektit të paraparë priten të përfundojnë në fund të vitit 2017, por në këtë projekt nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës nuk parashihet  ndërtimi i xhamisë dhe sahat kullës në Kala. Edhe konventat ndërkombëtare që trajtojnë ruajtjen, renovimin dhe restaurimin e objekteve me rëndësi të veçantë të trashëgimisë kulturore, cekin se objekti i trashëgimisë kulturore i cili ka pas destinimin e veprimit të fundit të funksionimit të tij ekzistues, duhet të rikthehet në  gjendjen e tij të dikurshme të funksionimit. Pasi që xhamia e Mahmut pashës në Kala ka shërbyer si xhami deri në vitin 1912, është e udhës të rikthehet në këtë gjendje të saj të dikurshme ekzistuese

Tri objekte më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që kanë ekzistuar në Kala, e që janë me rëndësi primare edhe në ditën e sotshme,  janë xhamia, sahat kulla dhe  topi. Këto tri perla së pari do të duhej të rindërtohen dhe funksionalizohen, ashtu që xhamia e rindërtuar do të shërbente  edhe si monument kulturor për vizitorët e shumtë në Kala, por në të cilin do të mund të falin edhe ndonjë namaz, besimtarët që  do të vizitojnë, e kohë pas kohe në mënyrë simbolike do të mund të falet ndonjë namaz i përbashkët i bajramit apo xhumasë. Poashtu edhe rindërtimi i sahat kullës është interesant në vazhdën e objekteve në ndërtim  në Kala, ndërsa krahas saj duhet funksionalizuar  topi ekzistues për paralajmërimin e përfundimit të agjërimit ditor gjatë muajit  të bekuar të Ramazanit, të cilët si të tillë do të kishin një impakt të drejtpërdrejtë në avancimin dhe zhvillimin e sektorit të turizmit në qytetin tonë të lashtë të Prizrenit, pasi që këto tre monumente  do të jenë ”per exellelent” në Kalanë e restauruar dhe rindërtuar dhe një fakt shtesë për turistët e shumtë kombëtar dhe ndërkombëtar që do të vizitonin Kalanë dhe do të kënaqen me bukuritë  e saja, e sidomos të objekteve të veçantë të trashëgimisë kulturore në Kala të Prizrenit, sikurse që janë  xhamia, sahat kulla dhe  topi, si margaritarë të çmuar të trashëgimisë sonë të pasur kulturore në Kala të Prizrenit.

7.11.2016

 

Burimet:

1 Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. Београд,  Историјски институт, (у штампи).

2 Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.152

3 Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës   në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.106

4 Hasan Kaleshi-Ismail Eren:”Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-Përshpirtënimet dhe Vakëfnameja  e tij”, Edukata Islame, nr.81, Prishtinë, 2006, fq.183

5 Shukriu Muhamed, Prizreni i lashtë…, Prizren, 2001, fq. 270

6 Rexhepi,Resul, Mehmeti, Sadik, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, Prishtinë, 2010, fq.38.

7 Shukriu Muhamed, Prizreni i lashtë…, Prizren, 2001, fq. 278-286

8 Kostiq, Petar, Crkveni život pravoslavnih srba u Prizrenu,…u XIX veku, Beograd, 1928, str.I, ribotim 1998

9 Kostiq, Petar, Crkveni život pravoslavnih srba u Prizrenu,…u XIX veku, Beograd, 1928, fq.71,ribotim  1998

10 Po aty, fq.93

11 Shukriu Muhamed, Prizreni i lashtë…, Prizren, 2001, fq. 270

12 Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. Београд,  Историјски институт, (у штампи).

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …