Gjatë periudhës së kaluar kohore kemi qenë dëshmitar të reagimeve të ndryshme të elitave politike, shoqërisë civile, medieve dhe qytetarëve përkitazi me shpalljen e aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës lidhur me të akuzuarit për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të kryera në hapësirat e ish Jugosllavisë, në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Së fundit pamë edhe skenat tronditëse televizive nga shpallja e aktgjykimit ndaj gjashtë kroatëve të Bosnjës për krimet e kryera të luftës nga Tribunali i Hagës. Ishte tejet tronditëse skena “live” e helmimit të gjeneralit kroat Slobodan Praljakut në mënyrë publike në gjykatë, gjatë shpalljes së aktgjykimit nga ana trupit gjykues të Tribunalit të Hagës.
Tash më në mënyrë publike në Republikën e Serbisë priten si heronj të gjykuarit e Tribunalit të Hagës për gjenocid, krimet kundër njerëzimit dhe krimet të luftës. Këtyre të gjykuarve u jepen mirënjohjet, shpallen heronj dhe veprimet e tyre të kryera konsiderohen si veprime patriotike në shërbim të atdheut. Por, aspak nuk përmenden krimet e kryera në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të luftës . Këto ditë qarkullojnë në media mendime se duhet të ngritën edhe shtatoret për nder të gjykuarve të Tribunalit të Hagës. Shpalljet si të pafajshëm të kriminelëve të supozuar të luftës në anën tjetër krijojnë pakënaqësi dhe reagime të ndryshme në opinionin publik .
Në Republikën e Kroacisë të dënuarit për krime të luftës nga Tribunali i Hagës konsiderohen si viktimë sepse ata kanë mbrojtur integritetin territorial të shtetit të tyre nga agresori serb dhe se veprimet e tyre nuk mund të konsiderohen si krime lufte meqenëse kanë qenë të imponuara nga pala tjetër, duke harruar se edhe në mesin e tyre ka pas individë të cilët i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe kanë shkelur ligjet e luftës dhe për këtë edhe janë gjykuar nga Tribunali i Hagës.
Gjatë këtyre ditëve po ballafaqohemi në media me këto dukuri dhe duke pas parasysh se këto ditë pritet që të fillojë së vepruari Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, kompetenca e së cilës është të gjykojë krimet e kryera në Kosovë për një periudhë të caktuar kohore(1998-200), është interesant të shihet se si do jetë reagimi i elitave politike , mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Kosovës.
Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë e cila do të gjykojë krimet e luftës në Kosovë, është themeluar nën presionin e fuqishëm të faktorit ndërkombëtar, si të Washingtonit ashtu edhe të Brukselit, kundër vullnetit të faktorit vendor.
Saktësisht, Gjykata Speciale e Kosovës u themelua me miratimin e Kuvendit të Kosovës, së pari të ndryshimit të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës, pas së cilës pasoi edhe aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me 3 gusht të vitit 2015, me të cilin edhe iu hapën dyert procedurës së krijimit të Gjykatës Speciale. Edhe pse Gjykata Speciale e Kosovës është themeluar brenda në Kosovë, nga organi i saj legjislativ, Kuvendi i Kosovës, funksionimi i saj do të jetë jashtë Kosovës, me seli në Hag të Holandës.
Krijimi i kësaj Gjykate Speciale dhe pajtimi për themelimin e kësaj ishte për shkak të dobësive të vet elitës politike dhe shtetërore kosovare për dështimin e mos krijimit të një Gjykate vendore në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila do të merrej me gjykimin e krimeve të supozuara në Kosovë, sikurse janë themeluar Gjykatat vendore në shtetet tjera të krijuara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, sikurse në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të cilët në një mënyrë apo tjetër gjykuan një numër të caktuar të përgjegjësve të supozuar që kanë kryer krime të luftës në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Veçanërisht është brengosës Ligji për Dhomat e veçanta dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në të cilin ka shumë zbrazëtira të cilët si të tillë lënë të hapur interpretime të lira të tyre. Sidomos është non sens dispozita e nenit 19 paragrafi 4 i cili parasheh që rregullat e procedurës dhe provat mund të ndryshohen nga gjyqtarët e dhomave në seanca plenare në konsultim me prokurorinë e specializuar. Jashtëzakonisht është shqetësuese edhe dispozita e nenit 37 që ka të bëjë me prova të paraqitura e cila lejon mundësin që provat të mbledhura nga ndonjë autoritet ose agjenci kombëtare ose ndërkombëtare për zbatimin e ligjit para krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, do të mund të përdoren si provë. Kjo nënkupton se edhe provat e mbledhura nga autoritetet e shtetit të Serbisë mund të përdoren si prova, e para se gjithash shqetëson fakti se këto prova mund të jenë të manipuluara.
Krerët e caktuar shtetëror dhe politik të Kosovës do të duhej të reagonin dhe të mendonin mirë e mirë për pasojat e saja në vitin 2015 me rastin e themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, por në vend që të reagojnë atëherë, ata tani reaguan, duke parë rrezikun nga Gjykata Speciale e Kosovës pasi ishim dëshmitar të iniciativës së pasuksesshme për zhbërjen e kësaj Gjykate Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës. Së fundi kjo iniciativë nga ana e Kuvendit iu dërgua qeverisë së Kosovës që të përgatis projektligjin për ndryshimin apo zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe më pas të procedojë Kuvendit të Kosovës për miratim.
Mirëpo kërkesat e tilla në këtë moment jo vetëm që rrezikojnë prishjen e raporteve me faktorin ndërkombëtar, ” miqve tanë që na ndihmuan të krijojmë shtetin e Kosovës” por ekziston edhe rreziku i “zhbërjes së shtetit të Kosovës edhe ashtu akoma me pranim jo të përfunduar sipas drejtës ndërkombëtare ”.
Në aktualitetin e tanishëm kosovar, me këto veprime të pamatura ad hock, aty për aty, fitohet bindja se klasa e caktuar politike e cila e ka bërë thirrje për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar( të njohur në opinionin e gjerë publik si Gjykata Speciale me seli në Hag) tani përpiqet për ndryshimin apo shfuqizimin e këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës, por këtë nuk është duke bërë në interes të popullit dhe shtetit kosovar, por për interes të tyre personal.
Në përmbyllje të këtij vështrimi, do të konludojë se kjo është rrjedhojë e dobësisë dhe shkurtpamësisë politike të krerëve të caktuar politik e shtetëror, pasi që veprimet kryesisht i bëjnë në mënyrë stihike, paushale, , aty për aty, duke mos menduar më tutje se çfarë pasoja do të mund të sjellin më vonë vendimet e këtilla sikurse që është rasti me Asociacionin, Demarkacionin e së fundmi tani edhe me Gjykatën Speciale të Kosovës. Në fund nuk mund e të mos e citojë thënien e veprimtarit tonë të shquar, bacës Adem Demaçit, e cila korrespondon plotësisht me të cekurat e këtij opinioni të shkruar:
“ Fatkeqësisht ne edhe sot si popull në shumicën e rasteve jemi më shumë të përfshirë nga stihia sesa nga një përparimi si duhet dhe sa duhet. Prandaj sa i takon, dijes, vetëdijes e organizimit si popull ende jemi në bisht të Evropës. Kjo është një e vërtet fortë e hidhur, mirëpo poqese nuk e tejkalojmë edhe më tutje do të mbetemi popull i vonuar”.