Faik Miftari: Rezistenca dhe asistenca

Për të kuptuar gjendjen e tanishme katastrofale në të cilin gjendet bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti, do të analizoj  disa shkaqe apo indiciet të cilët kanë kontribuar në këtë situatë të tanishme në të cilin gjenden myslimanët në botë.


“Me 29 nëntor 1947 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara solli vendimin me 2/3 e votave me të cilin Palestina u nda në dy shtete, në shtetin palestinez dhe shtetin hebre, ashtu që palestinezët të cilët në atë kohë përbënin në vitin 1948, 68, 3% të popullatës së gjithëmbarshme dhe i kishin në posedim të tyre 93,5% tokë, iu ndanë  vetëm 46% të territorit të Palestinës, ndërsa hebrenjve të cilët përbënin 31,7% të popullatës dhe  kishin në posedim të tyre vetëm 6,5% tokë, iu ndanë 54% të territorit të Palestinës”. Pas kësaj, me 14 maj 1948 Izraeli shpalli pavarësinë e tij, të cilin ” vetëm 11 minuta pas, ishte SHBA-ja  e para që e njohu Izraelin, ndërsa 11 orë më pas ishte Turqia shteti i dytë që e njohu Izraelin”. Palestinezët së bashku me shtetet arabe që e mbështetnin drejtpërsëdrejti  klauzulën palestineze, Egjiptin, Sirinë, Jordaninë, Libanin dhe Irakun, zhvilluan katër luftëra kundër Izraelit, në vitet 1948, 1956, 1967 dhe 1973, gjatë së cilave Izraeli okupoi jo vetëm pjesët tjera të mbetura palestineze, Gazën, Jerusalemin, Bregun Perëndimor, por edhe gadishullin e Sinajit të Egjiptit dhe rrafshnaltën e Golanit të Sirisë. Pas kësaj, Izraeli duke pa që nuk do të mundte në shtigje të gjata të dilte përball të gjithë arabëve së bashku, me ndihmën e aleatit kryesor të tij SHBA-të, zhvilloi një politikë afrimi një nga një me shtetet arabe që i përkrahnin palestinezët në luftën e tyre për çlirimin e territoreve të okupuara dhe kthimin e refugjatëve palestinez të dëbuar në trojet e veta.


Të parën që arritën, ishte marrëveshja me mbretin Hysejn të Jordanisë, në vitin 1970, me ç’rast ushtria jordaneze gjatë shtatorit 1970, që njihet në histori  si ”shtatori i zi”  shuajti me gjak rezistencën palestineze kundër Izraelit që kryhej nga Jordania. I dyti në radhë ishte Libani, të cilit i shkaktohet një luftë civile qytetare që zgjati plot 15 vite nga 1975 gjer në vitin 1990, një shtet me një konglomerat të shumtë etnik e fetar, me ç’rast rezistenca palestineze do përfundojë nga Libani dhe se Izraeli do të okupojë jugun e Libanit me të ashtuquajturin  “Ushtrinë e jugut të Libanit”. Pas marrëveshjes së arritur në Camp David në vitin 1978 në mes Sadatit dhe Beginit, nën mbikëqyrjen e SHBA-ve, u zmbraps edhe Egjipti nga përkrahja e gjer atëhershme palestineze, pasi që me këtë marrëveshje Izraeli lidhi paqen me Egjiptin, si kundërvlerë ia ktheu gadishullin e Sinajit. Vetëm disa vite para kësaj ngjarje, mbreti Fejsal i Arabisë Saudite i cili ishte një mbështetës i fortë i çështjes palestineze, pas luftës së vitit 1973 arabo- izraelite shkaktoi embargon e naftës botës , pas së cilit u likuidua  në atentatin e kryer nga rrethi i ngushtë familjar,  në vitin 1975, pas së cilës edhe Arabia Saudite u zmbraps nga mbështetja palestineze.


Në vitin 1979 ngadhënjeu Revolucioni Islamik në Iran, me ç’rast u përmbys regjimi safavid i shahut Pahlavi, në vend të cilit në krye erdhi lideri fetar imam Homeini i cili udhëhoqi plot 10 vite, gjer në vdekjen e tij në vitin 1989. Iraku i udhëhequr nga Sadam Hyseini sulmoi Iranin në vitin 1980, luftë e cila zgjati plot 8 vite, dhe përfundoi pa fitues në vitin 1988. Bota jo vetëm që e nuk e gjykoi Sadam Hysejnin dhe Irakun për sulm ndaj shtetit fqinj e cila  ishte kundër të drejtës ndërkombëtare , por në mënyrë indirekte e  mbështeti me sigurimin dhe armatosjen e regjimit të tij. Por, pas kësaj  kur në vitin 1991 Sadam Hysejni prapë sulmoi dhe okupoi Kuvajtin, e tërë bota u ngrit në këmbë, dhe me një aleancë të fuqishme të krijuar rreth vetes, SHBA-të e çliruan Kuvajtin nga okupimi irakian, tani duke vënë në fuqi të drejtën e nëpërkëmbur ndërkombëtare. SHBA-ja dhe Britania e Madhe e përmbysën regjimin e Sadam Hysejnit duke sulmuar dhe okupuar Irakun në vitin 2003, nën akuzën se ishte duke zhvilluar armatimin e palejuar të shkatërrimit në masë, e cila akuzë pas disa vitesh doli e tillë e pasaktë.  Iraku u shkatërrua, pas kësaj Iraku më nuk ishte në gjendje fare të mbështet Palestinën, pas së cilës u zhyt në një luftë civile fetare sektare e cila akoma po zgjat edhe në ditët e sodit.


Me Revolucionin Islamik të Iranit në vitin 1979,  ndryshuan shumë raporte politike, ushtarake, strategjike, rajonale në Lindjen e Afërt. Irani , i cili gjer në vitin 1979 së bashku me Turqinë ishin të vetmet shtete në Lindjen e Afërt, të dyja shtete jo arabe,  që nga themelimi i Izraelit në vitin 1948 zhvilluan bashkëpunim ekonomik, politik, tregtar, diplomatik, por pas vitit 1979 këto raporte ndërruan, e sidomos pas vitit 1990, Irani u vu në ballë të boshtit të rezistencës kundër Izraelit, duke zëvendësuar Egjiptin, në përkrahje të mbështetjes aktive të rezistencës palestineze, krahas Sirisë e cila kishte mbetur e vetmuar nga shtetet fqinje arabe të Palestinës, e cila jo vetëm që nuk u zmbraps nga tentimet e shumta të shteteve për të lidhur paqe me Izraelin, por nuk i la palestinezët dhe vazhdoi të mbështet edhe më tutje çështjen palestineze. Irani,  pas përfundimit të luftës me  Irakun, filloi me të madhe të zhvillohet në të gjitha fushat kryesore, si ato ekonomike, politike, ushtarake, shkencore, kulturore, dhe të bëhej një faktor i rëndësishëm dhe në rritje në Lindjen e Afërt. Ai në vitin 1990 në jug të Libanit, themeloi Lëvizjen Hezbullah, nga popullata shiite arabe që kryesisht jeton në jug të Libanit, pas së cilës filluan  sulmet guerile të tyre  kundër Izraelit dhe të ashtuquajturës ”Ushtrisë jugore të Libanit”, të cilët zgjatën plot 10 vite, pas së cilës në vitin 2000 Izraeli  u tërhoq nga Libani.


Irani nëpërmjet Sirisë vazhdimisht e pajisi Hezbullahun përveç me armatim, tani  më edhe më të sofistikuar,  edhe materialisht e financiarisht, ashtu që Lëvizja e Hezbullahut tani lirisht mund të thuhet se vepron si një “shtet” brenda shtetit të Libanit. Me forcimin e Iranit, Arabia Saudite filloi të shqetësohej me të madhe, duke braktisur doktrinën e mëparshme të mbështetjes palestineze dhe kërcënimit nga Izraeli, duke vënë në theks tani doktrinën re të asaj, se rreziku kryesor për të është Irani, i cili me të madhe zhvillohej dhe forcohej në të gjitha fushat. Ashtu që Arabia Saudite përpos armatimit marramendës (“gjatë vitit 2013 shpenzoi 67 miliard dollar, e katërta në botë, pas SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës, për armatimin e saj”), i vuri në lëvizje të gjitha format tjera në dispozicion, qofshin ato materiale, financiare, ekonomike, ideologjike, për t’u kundërvënë “rrezikut” në rritje të Iranit si një fuqi e re rajonale në Lindjen e Afërt. Izraeli në korrik të vitit 2006 pas incidentit në kufirin me Libanin, sulmoi Hezbullahun, pas së cilës  pas një lufte 33 ditëshe, dhe rezistencës së fuqishme që bëri Hezbullahu, Izraeli u detyrua të tërhiqet nga Libani, e cila luftë nga analistët ushtarak të asaj kohe, u vlerësua “ si një luftë, në të cilin Izraeli që nga viti 1948 nuk ka përjetuar aq humbje  të mëdha si në armatim ashtu edhe në trupat ushtarake”.


 Kjo ishte hera e parë që analistët ushtarak vlerësuan se Izraeli pësoi një goditje të fortë,  shprehur në termin ushtarak, “humbje të lehtë”. Përveç Hezbullahut, pas tërheqjes së Izraelit nga rripi i Gazës, në vitin 2005, pas dy rezistencave aktive të Intifadës palestineze, Irani vazhdoi edhe më shumë të mbështes me përkrahje materiale, financiare, logjistike dhe ushtarake, dy lëvizjet kryesore të palestinezëve në Gaza, Hamasin dhe Xhihadin Islamik. Fill pas kësaj, e sidomos kur në vitin 2007 Hamasi pas zgjedhjeve të lira demokratike në Gazë në vitin 2007 e mori pushtetin qeverisës në Gazë, Izraeli ndërmori një sulm ushtarak ajror, detar dhe ujor në fund të vitit 2008, me ç’rast pas luftës 22 ditore,  Gaza pësoi një goditje të fortë, por nuk u dorëzua dhe rezistoi me aq forcë që kishte në dispozicion. Pas kësaj Izraeli për herë të dytë sulmoi Gazën në vitin 2012, por pas 8 ditë lufte, u arrit një armëpushim i shpejtë pas së cilës  u ndërpre lufta. Me 7 korrik të vitit 2014 Izraeli për herë të tretë e sulmoi Gazën, një luftë që zgjati 50 ditë, në të cilin Hamasi dhe Xhihadi Islamik së bashku edhe me grupet tjera bënë një rezistencë të fortë, me ç’rast gjatë gjithë kohës arritën pandërprerë të sulmojnë me raketa me rreze të shkurta veprimi nga 40 km e gjer në 75 km, caqet në Izrael, duke përfshirë edhe kryeqytetin Tel Aviv. Edhe pse përjetuan pasoja të paparapara, pothuajse gati shumica e infrastrukturës e Gazës u shkatërrua, me ç’rast u vrani mbi 2000 palestinez dhe u plagosën mbi 10.000, shumica e të cilëve ishin civil, gra, pleq dhe fëmijë, palestinezët nuk u zmbrapsën por dolën edhe më të fortë, pasi që tani ishin në gjendje të rezistojnë plot 50 ditë.


Kjo luftë, nga analistët ushtarak, u quajt edhe “luftë e tunelëve” të cilin e kishin përdorur palestinezë një strategji të re luftarake, me ç’rast sipas analistëve ushtarak “sollën befasi të papritura për shtabin ushtarak të Izraelit, nga e cila luftë tunelesh ishte dhe befasia e madhe, nga e cila pësuan shumica e ushtarëve izraelit, nga gjithsejtë 73 izraelit të vrarë, 3 ishin civil dhe 70 ishin ushtarë”.


 


Pas arritjes së ndërprerjes së luftës, Hamasi dhe Xhihadi Islam publikisht e falënderuan që kjo rezistencë u arrit në saje “të përkrahjes materiale, financiare, logjistike dhe ushtarake pikësëpari nga Irani, por edh nga Hezbullahu dhe Siria”. Boshti i rezistencës apo i ashtuquajturi ”aksi i së keqes” i përbërë prej Iranit, Sirisë, Hezbollahut dhe Hamasit, edhe përkundër përpjekjeve të fuqishme për ta shkatërruar,  qëndron edhe më tutje përkrah rezistencës aktive palestineze kundër Izraelit.  Në saje të kësaj duhet kuptuar edhe luftën e Sirisë, e cila akoma po zgjat që nga viti, 2011, e cila filloi me vlugun e pranverës arabe, për një demokratizim të shoqërisë arabe, kundër diktatorëve arab, e në rastin e Sirisë kundër regjimit të Bashar al Asadit. Por në njërën anë pas grushtshtetit tëë kryer në Egjipt nga gjenerali Sisi me të cilin u përmbys kryetari i zgjedhur Mursi në mënyrë demokratike, e  i cili grushshtet në mënyrë të heshtur u mbështet nga fuqitë perëndimore, ndërsa  në mënyrë publike u përshëndet dhe u mbështet nga Arabia Saudite dhe shtetet e pasura arabe të Gjirit, ndërsa në anën tjetër, Arabia Saudite intervenoi me ushtrinë e saj në Bahrejn për të mbrojtur familjen mbretërore aktuale për të qëndruar në fron, pas demonstratave dhe protestave të pranverës arabe në Bahrejn, që akoma edhe gjatë këtyre ditëve janë duke vazhduar në mënyrë paqësore për demokratizimin e shoqërisë arabe të Bahrejnit. Pranvera arabe  devijoi nga qëllimi i paraparë i saj, me ç’rast u përdorën standarde të dyfishta dhe në të cilin u kyçën faktor të shumtë  ndërkombëtar për realizimin e qëllimeve dhe interesave të ndryshme politike, energjetike, strategjike, të sigurisë etj., e sidomos në rastin e luftës në Siri, erdhi e shprehur në mënyrë të hapur,  e që ishte shkatërrimi dhe pushtimi i Sirisë dhe përmbysja e regjimit të Asadit, me të cilin boshti i rezistencës do të thyhej, pasi që me rrënjën e Sirisë, do të përfundojë   rezistenca aktive kundër Izraelit,  e Hezbollahut në Liban, dhe e Hamasit në Gazë.


Për të realizuar këtë qëllim,  u  proklamua botërisht një “luftë e shenjte” sektare në mes sunitëve dhe shiitëve, pas së cilës nga më shumë se 80 shtetet nga katër anët e botës vërshuan me dhjetëra mijë vullnetar, apo të ashtuquajtur “xhihadistë” në luftë kundër regjimit alevitë (shiitë) të Bashar Assadit, edhe pse vetëm 10 % të popullatës siriane janë alevitë (shiitë), ndërsa 80% të popullatës siriane janë sunite dhe 10 % janë sirianë të krishterë. Në këtë grackë të “luftës së shenjtë” ranë pre jo vetëm  shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, por dhe boshnjakët nga Bosnja dhe Sanxhaku, të cilës iu përgjigjen dhe me  qindra vetë iu bashkëngjitën kësaj lufte jo të drejtë, johumane, jonjerëzore. Se kanë ra në grackë këtë e pohon edhe Nysret Imamoviçi, udhëheqës i vehabive në Bosnjë, në letrën e tij dërguar medieve elektronike në të cilin porosit” se kjo luftë nuk është e jona, kemi ra në kurth dhe apeloi të gjithëve që të kthehen nga ku kanë ardhur”. Kur u pa se regjimi i Bashar al Assadit nuk do të dorëzohet në saje të rezistencës së fortë që bëri me ushtrinë e vet, i përkrahur jo vetëm nga Hezbollahu, por edhe nga Irani i cili deklaroi se “Siria paraqet linjën e kuqe të boshtit të rezistencës, të cilin nuk do të lejojmë të bie”, por sidomos në saje të përkrahjes së Putinit dhe Rusisë, pas përgatitjes së sulmit ushtarak amerikan nga presidenti Obama në shtator 2013, i cili kërcënoi se ” Rusia do të mbrojë Sirinë”,  pas së cilës Obama dhe amerikanët u zmbrapsën nga sulmi mbi Sirinë. Obama dhe Putini arritën një kompromis, një marrëveshje për shkatërrimin e armëve kimike siriane, pas së cilës u bë e  qartë se Siria do të mbijetoi dhe Assadi nuk do të mund të gjunjëzohet. Pas kësaj e tërë strategjia e luftës ndryshoi, në skenë u paraqitë  i ashtuquajturi Shteti Islamik me kalifin Abu Bakr al Bagdati, duke u thirrur  “që do luftojë për të ashtuquajturën Kalifat Islam”, e i cili u  zgjerua edhe në Irak, dhe kur u pa se tani kjo do të paraqet rrezik jo vetëm për Lindjen a Afërt, por edhe më tej për interesat më të gjera botërore, në samitin e NATO-së të mbajtur gjatë këtyre ditëve në Wels, u ndezën ” llampat  e kuqe” me ç’rast  filluan përgatitjet për eliminim e këtij grupi.


 Myslimanët në përgjithësi duhet kuptuar dhe vështruar nga ky këndvështrim, ngjarjet aktuale politike, ekonomike, ushtarake, energjetike që janë duke u luajtur në skenën politike ndërkombëtare, në prizmin e interesave të ndryshme gjeopolitike në botën e tanishme multipolare ku gërshetohen dhe konfrontohen interesat e ndryshme të faktorëve relevant vendim marrës botëror sikurse janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian në njërën anë dhe Rusia e Kina në anën tjetër.


 Por për fat të keq, myslimanët gjenden në një nivel të tillë të dijes, injorancës, mos njohjes së rrjedhave aktuale politike botërore, si pasojë e së cilës bien pre lehtë. Vetëm njeriu i ditur, është i ngritur dhe se si i tillë nuk bie kollaj në çfarëdo gracke dhe kurthe nga kushdo qoftë dhe nga cilado anë qoftë e përgatitur, e programuar, e sajuar, për qëllime të caktuara politike.


 07.09.2014                                           

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …