Dëshmori i kombit Faik Mjeku u lind në fshatin Grabovc i Epërm të Komunës së Kastriotit, (ish-Obiliq) nga prindërit Tefik e Havë Mjeku. Shkollën fillore e kreu në fshatin Shipitullë, ndërsa shkollimin e mesëm në Qendrën Shkollore Teknike në Kastriot.
Në pamundësi për të vazhduar shkollimin universitar për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ai hyri punë në Termocentralin ”Kosova A” ku punoi deri në kohën e dëbimit nga puna të shqiptarëve nga pushtuesi serb, në vitin 1990. Gjatë protestave popullore në vitin 1989, ishte ndër organizatorët e parë dhe udhërrëfyes në mesin e shumë punëtorëve. Për këtë arsye serbët e larguan nga puna. Ai edhe më parë kishte qenë nën përcjellje të sigurimit serb për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e vitit 1981. Faiku nuk e kishte ndalur veprimtarinë e tij patriotike. Ai kudo ku kishte pasur mundësi kishte shkruar: “Kosova Republikë”. Duke qenë se policët e përcillnin disa herë e kishin arrestuar dhe e kishin keqtrajtuar fizikisht. Në mungesë të punës dhe në kushte të rënda sociale, po ashtu edhe në shënjestër të sigurimit serb, Faiku largohet nga Kosova dhe shkon në Gjermani. Atje gjeti punë me të cilën ndihmoi familjen. Asokohe bie në kontakt me veprimtarët e lëvizjes së rezistencës kombëtare dhe kontribuon në të gjitha aktivitetet që zhvilloheshin në përpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
I pakënaqur me rrjedhat paqësore politike dhe i vetëdijshëm se regjimi kriminal serb nuk do të ndalonte pa një kundërvënie të përgjithshme, Faik Mjeku në vitin 1997 lë punën në Gjermani dhe kthehet në vendlindjen e tij. Sapo kthehet në fshat ai aktivizohet në njësitin e armatosur, i cili tashmë vepronte.
Asokohe në fshatrat Graboc, Shipitullë, Hade, Bardh etj. vepronin bërthamat e para të armatosura, ku shquheshin Abedin Sogojeva, Ferid Curri, Enver Graiçevci, Bedri Berisha, Shaban Berisha, Fejzullah Graiçevci e shumë të tjerë.
Faiku angazhohet për zgjerimin e rrjetit të luftëtarëve sidomos të fshatrave Graboc i Epërm dhe Shipitullë, duke i organizuar ata për të shkuar në Shqipëri me qëllim të furnizimit me armë e municion për nevojat e luftës.
Faiku mori pjesë në aksionin e parë të organizuar nga UÇK-ja në këtë trevë, në fshatin Hamidi, ku sulmohet një patrullë e policisë, me ç’rast vriten disa policë serbë, kurse njësiti sulmues i UÇK-së kthehet në bazë pa dëmtime.
Në qershor të vitit 1998, eprorët e luftës së UÇK-së në zonën e Drenicës kishin zgjeruar pikat e rezistencës në fshatrat rreth Qyqavicës në drejtim të Kastriotit, si në fshatrat Graboc i Epërm, Graboc i Ulët, Shipitullë, Hamidi, Hade, Sibovc etj. Komandanti i mirënjohur i UÇK-së, Fehmi Lladrovci (dëshmorë) me bashkëluftëtarët e tij, Shaban Shala, Ilaz Dërguti, Sabit Lladrocvi, Asllan Fazliu e të tjerë, kishin për qëllim që luftën ta çonin sa më afër Prishtinës. Faiku mori pjesë në luftimet e zhvilluara në fshatin Hade.
Ai me bashkëluftëtarët e tij mori pjesë edhe në aksionin ushtarak për marrjen nën kontroll të minierës që qymyrit në Bardh të Madh (ish-Bellaqevc), më 30 qershor të vitit 1988. Atë ditë në luftimet ballë për ballë forcave serbe ranë dëshmorët Mentor Dërvishaj, Ismet Uka dhe Xhemajl Mehmeti, ndërsa u plagosën disa luftëtarë të tjerë të UÇK-së.
Fakiu asokohe u caktua udhëheqës i pikës mbrojtëse te vendi i quajtur ”Shkoza”, në mes fshatit Grabovc i Epërm dhe Shipitullë, që ishte pika me e rëndësishme në këtë zonë lufte. Sulmi u ndërmor për shkak se forcat serbe ishin stacionuar me arsenal të madh ushtarak në vendin e quajtur ”Kërshat e Grabocit”, nga e cila ata vazhdimisht granatonin fshatrat Graboc i Ulët, Grabovc i Epërm, Shipitullë dhe fshatrat të tjera përreth, me qëllim për ta mbyllur rrugën e furnizimit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në drejtim të zonës së Drenicës.
Duke parë rëndësinë strategjike të kësaj pike të stacionimit të forcave serbe, Faiku hartoi planin për t’i sulmuar ato.
Më 31 korrik të vitit 1998, në mbrëmje, njësiti i UÇK-së, i kësaj zone mori aksion të furishëm kundër forcave serbe. Gjatë luftimeve, Faik Mjeku u plagos për vdekje dhe në rrugë për në spitalin ushtarak të Likocit mbylli sytë, duke ua lënë amanet bashkëluftëtarëve që ta vazhdojnë luftën deri në fund për lirinë e Kosovës.
Dëshmori Faik Mjeku ka lënë bashkëshorten dhe katër fëmijë. Shokët e luftës dhe bashkëfshatarët e tij ia kanë ngritur lapidarin në vendin ku nga plumbat e gjakatarit serb, i rrodhën pikat e para të gjakut të tij.(A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …