Eurodeputetja nga Sllovenia, Tanja Fajon, ka kërkuar nga Kosova që ta ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër, por sipas saj, vendimi duhet të merret nga politikanët e Kosovës. “Situata në Kosovë është komplekse. Kuptoj ndjeshmërinë e politikanëve të përgjegjshëm të Kosovës, të Qeverisë, të Kuvendit ndaj kriterit të demarkacionit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Por dua të vë në dukje që ky kriter për heqjen e regjimit të vizave është vënë nga Komisioni Evropian dhe për këtë Qeveria Thaçi kishte rënë dakord. Nëse ka diçka që nuk mund të pranohet tani, që nuk mund të zbatohet tani, atëherë Kuvendi dhe politikanët e Kosovës duhet të propozojnë alternativa. Dëshiroj t’i inkurajoj ta bëjnë këtë. Por kam frikë, druhem se mos përdorimi i retorikës së heqjes së regjimit të vizave po përdoret nga politikanët e Kosovës për situatën e brendshme politike dhe liberalizimin e vizave po e mbajnë peng të kësaj situate. Uroj që Kosova të ketë sa më parë liberalizim të vizave dhe për këtë po përpiqem në Parlamentin Evropian”, ka thënë ajo për “Deutche Welle”.