Enver Hoxha

Fakte e dëshmi për Enver Hoxhën që nuk mund të mohohen

        16 tetori shënon ditën kur në vitin 1908 kishte lindur, Enver Hoxha, prijësi komunist i Shqipërisë, personaliteti më me ndikim dhe me reputacion më të thellë kombëtar e ideologjik të kohës,  themeluesi  i Partisë Komuniste Shqiptare, komandanti, i cili me shokët e tij udhëhoqi me shumë sukses luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe ndërtimin socialist të vendit. Gjatë tërë kohës së sundimit të tij, kishte qenë figura ideologjike e politike e unitetit mbarëkombëtarë e shtetëror.  Edhe pse disa qendra botërore kishin bërë përpjekje të pareshtura për ta rrëzuar atë dhe regjimin e tij, asnjë prej tyre nuk kishte arritur, madje as ta befasonte.  Po thuajse të gjithë kishin dështuar. Ky dështim i qarqeve më të fuqishme të botës  ia shtonte fuqinë dhe besimin se askush nuk mund t’ i bënte asgjë. Dështimet e tilla bënin që Enver Hoxha ta sforconte bindjen se ishte i pathyeshëm, në radhë të parë sepse ishte në të drejtën e tij dhe në saje të besimit se komunizmi një ditë do të përhapej në tërë botën. Edhe ashtu, ky formacion shtetëror ishte zhvilluar në dy të tretat e botës. Kjo ishte ajo forca magnetike, e cila e tërhiqte dhe për më tepër, ai me kohë kishte filluar të besonte, se pasonte e ruante me konsekuencë marksizëm-leninizmin e vërtetë, atë të rrugës burimore, marksizmin ortodoks.

      Duke qenë i rrethuar nga shtetet grabitqare fqinje, të cilat mbanin nën pushtim më tepër se dy të tretat e territorit të Shqipërisë, Enver Hoxha ndiente rrezikun e gllabërimit nga Jugosllavia, apo nga Greqia, apo nga të dyja bashkë,  dy shtete armike, të cilat ishin shumë më të fuqishme ekonomikisht e ushtarakisht. Mu për këtë qëllim ai kishte shpikur teorinë e mbrojtjes së përgjithshme të Atdheut nga çdo shqiptar, dhe për çdo qytetar. Pikërisht  për këtë qëllim kishte urdhëruar ndërtimin e qindra mijëra bunkerëve, në të gjitha këndet kilometrike të Shqipërisë, kishte ndërtuar strehimoret të forta e të shumta për tërë popullatën por edhe për kreun e Shtetit. Me ndihmën e shokëve të idealeve, me punën e palodhshme, me pretendime dhe me besim të madh në qenie se gjithçka e bënte në të mirë të popullit dhe të Shqipërisë, Enver Hoxha doemos se i besonte vizionit të tij dhe ishte në gjendje që me tërë forcën mendore e fizike ta mbronte, ta përparonte dhe ta përmbaronte atë vizion, të cilit në mos të gjithë, i besonte dhe e përqafonte shumica dërrmuese. Dhe ashtu kishte vepruar gjatë gjithë jetës së tij.

       Ndikimi i tij ishte shtrirë po aq fuqishëm edhe te të gjithë shqiptarët e trojeve të mbetura nën robërinë e  regjimit titist të RSFJ-së. Thjesht, Enver Hoxha ishte lideri më i dashur dh e i pranuar nga  shumica dërrmuese shqiptare. Ishte njeriu që cilin e kishin ngritur në kult, ndërsa ai vetë nuk preferonte kultet. Sa ishte gjallë Enveri, kundërshtarët e tij kishin frikë edhe të mendonin keq për të, pa lërë më të shpreheshin hapur kundër tij, apo kundër regjimit komunist. Enver Hoxha ishte alfa dhe omega, ishte njeriu i cili pretendonte që Shqipërinë e vogël dhe të izoluar socialiste ta shndërronte në qendër botërore të marksizmit e leninizmit burimor, rrënjësor. Ai gjatë tërë jetës së tij kishte studiuar  teoritë shkencore të klasikëve të marksizmit por edhe teoritë kundërshtare kapitaliste. Duke qenë në rrjedhë solide të informimit, për tërë atë që po ndodhte në botë, duke qenë jashtëzakonisht mirë i informuar për të gjitha zhvillimet në Shqipëri dhe jashtë saj, lideri i pakontestuar komunist i asaj kohe, Enver Hoxha, mbase pa dashjen e tij  ishte shndërruar në një mbinjeri tokësor, edhe pse ai urrente ideologjitë pesimiste të mbinjeriut të Shopenhauerit, Niçes e të tjerëve.

Po cili ishte Enveri në të vërtetë?

A gaboi shumë duke menduar se ishte më i pagabueshmi?

A gaboi me qëllim që ta dëmtonte sa më shumë Shqipërinë, të cilën e deshi më shumë se familjen e tij, më shumë se gjithçka në jetë?

A gaboi vetë apo e yshtën të gabojë, nëse gaboi me të vërtetë, nëse gaboi duke e përvetësuar teorinë marksiste-leniniste,  që kishte evoluar si proces ideologjik botëror dhe ishte përhapur në dy të tretat e shteteve të botës: Marksizmi  nuk kishte qenë shpikja e tij. Marksi, Engelsi, Lenini kishin rrojtur gati një shekull para se të lindte Enveri.

A  gaboi dhe sa gaboi ndaj atyre, të cilëve u kishte falur besimin dhe jo vetëm njëherë e kishin mashtruar e zhgënjyer, qoftë me dashje apo pa dashje?

Figura dhe personaliteti i Enver Hoxhës do parë e studiuar  në të gjitha dimensionet kombëtare, ideologjike, politike, filozofike e mbi të gjitha do parë afria e tij me njerëz, dashuria për ta, sinqeriteti dhe miqësia, pa lënë anash edhe luftën pa asnjë kompromis kundër të keqes, kundër tradhtisë, kundër armikut të klasës, kundër asaj që ai e konsideronte të keqe e tradhtare dhe besonte me gjithë mend se  e tillë ishte.

Enver Hoxha në jetën e tij nuk e pa rrënimin dhe rënien e sistemit, të cilit i besonte më shumë se çdo besimtar që i beson Zotit. Ai vdiq me besim se Shqipëria do të mbijetonte, pavarësisht se kishte informata që ekonomia nuk ishte ajo që duhej të ishte, ajo që ai dëshironte, synonte dhe kishte synuar gjatë tërë kohës së sundimit.

Kjo është njëra anë e medaljes.

Cila është ana tjetër, ajo e “errëta”?

A kishte anë të errët Enveri apo regjimi të cilin e përvetësoi  ai me shokët e tij me mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullit?

A ishte vetëm i  errët ai regjim, ndërsa  ky i sotme qenka më i bardhi dhe më i miri?

A mund të konstatohet se gabimi më i madh i tij ishte botëkuptimi dhe pikëpamja filozofike marksiste leniniste, kur ajo nuk ishte shpikja e tij, por ishte realiteti i mbisunduar në një pjesë të madhe të botës, ishte një realitet që po e dridhte kapitalizmin botëror madje edhe vetë Amerikën dhe aleatët e saj?

Nuk ishte socializmi e komunizmi vetëm përzgjedhja e Enver Hoxhës.

Enveri nuk ishte shpikës i ideologjisë komuniste, por  e kishte zgjedhur atë, i besonte asaj po aq sa i kishin besuar: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Tito, Mao Ce duni, Fidel Kastro, Zhivkovi, Dupçeku, Hrushqovi, Ho Shi Mini, dhe qindra udhëheqës komunistë nga mbarë bota.

A ishte diçka tjetër Enver Hoxha?

Realisht jo. Me fakte e dëshmi jo.

Ai kishte pranuar botërisht se ishte përfaqësues i Diktaturës së proletariatit, në kohë dhe rrethana të caktuara historike, sikur kanë qenë qindra të tjerë.

Me gënjeshtra amputime, falsifikime anime nga këndi tjetër i vështrimit edhe mund të kundrohet, por nuk mund të akuzohet pse ishte marksist leninist dhe pse zhduku disa nga kundërshtarët, fakt realist ky, sepse kundërshtarët politikë i zhduk çdo regjim në botë, kush më shumë e kush më pak, dikush i zhduk duka ua vrarë ardhmërinë, duke i katandisur nëpër botë, duke i lejuar të drogohen të trafikojnë, të mbjellin, të korrin e të përdorin droga, të shesin e të lutivojnë bimët e vdekjes. Dikush i zhduk duke mos i arsimuar apo duke i bërë ithtarë të Zotit të vetëm që nuk pranon asnjë zot dhe asnjë fe tjetër. Krejt kjo ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht, ashtu si dje e pardje ashtu edhe sot e nesër.

Kundërshtarët e sotëm të Enver Hoxhës janë realiteti argumentuar faktik që tregon më së miri se  ai nuk i kishte zhdukur, sepse ose kishin qëndruar urtë e butë dhe nuk kishin pasur pikë trimërie e dinjiteti për ta kundërshtuar, ose kishin qenë bashkëpjesëmarrës në të gjitha veprimet e tij, ose kishin qenë të dyja bashkë.

Nuk vuajti asnjë ditë në burgjet e Enver Hoxhës, Sali Berisha, (respekt për ata që kanë vujatur). Ai që tani paraqitet si   kundërshtari më i ashpër, më i pa kompromis dhe i hakërryer deri në çmenduri kundër atij regjimi, përkundrazi kishte komunisti tipik i kohës, madje  mjeku personal dhe miku i ngushtë nga ana e tij, pavarësisht se kishte apo nuk kishte Enveri respekt për të.

Nuk janë pak ata që shtiren se i kishte dënuar, injoruar apo katandisur regjimi dhe të cilët në fakt ishin pjesa përbërëse shtytëse e regjimit, komisarët e saj.

Janë po ata që kishin brohoritur,  jo vetëm njëherë dhe jo vetëm me një rast: “Parti Enver Jemi gati kurdoherë”. Janë po ata që e kishin lavdëruar e madhëruar dje dhe që shajnë e pështyjnë sot. Kanë moral këta njerëz, kanë dinjitet, derisa nuk pranojnë hapur dhe botërisht  se ishin pjesë e regjimit, se ishin bashkëfajtorë, nëse 50 vitet e kohës së komunizmit kishin qenë faj njerëzor, ai ishte dhe faji i tyre. Ata ishin të tillë si Enveri,  i kishin besuar  me gjithë mend marksizëm leninizmit,  ata kanë lënë mijëra vepra trashëgim dhe  dëshmi të atij besimi. Nuk mohohen  këto fakte me një fjalë goje. Për më keq janë ata që mohojnë një pjesë, mbase pjesën më të madhe dhe më meritore  të jetës së tyre, të aktivitetit, zhvillimit e përparimit  të familjeve dhe të afërmve të tyre.

Përpjekja për t’ia veshur Enver Hoxhës dhe familjes e trashëgimtarëve të tij  të gjitha fajet, nëse i marrim dhe i pranojmë si të tilla, pra si faje të rënda, është përpjekje hipokrite, është mungesë morali qytetar, njerëzor e kombëtar, është mungesë identiteti e dinjiteti, është mungesë nderi e burrërie. Nuk mund ta ndërtojë dot një botë të mirë apo të keqe një njeri i vetëm, vetëm me familjen e tij  pa pasur përkrahjen e shumicës, pavarësisht rrethanave që kanë ekzistuar. Enveri dhe të gjithë liderët e bllokut komunist e kishin përkrahjen e shumicës, ose thirreshin në faktin se e kishin besimin e shumicës, një qëndrim gjithsesi demokratik. Edhe sot në Shqipëri sundon klasa politike, që ka fituar besimin e shumicës, ashtu sikur në pjesën dërrmuese të botës.

Është apo nuk është më mirë sot, do të na vlerësojnë nesër, ashtu sikur ne sot vlerësojmë të kaluarën. ( Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …